Shqiptarët në klube për natën e Vitit të Ri, ja për çfarë paguajnë

Lajme

Shqiptarët në klube për natën e Vitit të Ri, ja për çfarë paguajnë

Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 12:47
Ilustrim

Muaji dhjetor është muaji i ftohtë i vitit, por dashur pa dashur mbetet i bukur. Vetëm në dhjetor mund ta shohësh qytetin të veshur me drita gjithandej, vetëm në dhjetor mund të shohësh në çdo cep të qytetit koncerte dhe aktivitete të ndryshme. Ndaj mund të konsiderohet i veçantë, sa i ftohtë edhe i ngrohtë. Përveç kësaj në 3 ditëshin e fundit çdo kush është duke mbyllur punët për kompaninë ku punon dhe çdo kush ka një plan se ku do të jetë më datën 31 dhjetor. Datë, e cila bën të mundur kalimin nga një vit në tjetrit, bën të mundur që numri pas të rritet, bën të mundur që çdo njeri t’i dedikoj disa orë në javë vetes për të bërë një plan një vjeçar për të gjitha objektivat që dëshiron të përmbush.

Por, 31 dhjetori është pikërisht ajo datë që çdo njeri feston, feston arritjet dhe punën e një viti që sapo ka lënë pas, feston duke shpresuar në të tjera arritje. Por çfarë ndodh në Tiranë në këtë datë? Nga një vëzhgim i bërë në terren duket se më të kënaqurit në raste të tilla janë club-et. Në vetvete biznese që kanë si synim fitimin, por duke kënaqur klientin. Altin Mahmutllari, prej dhjetë vitesh barist, tregon me detaje se si operohet në club-et e kryeqytetit. Çfarë pëlqejnë klientët, duke filluar një nga pijet, arredimi, show, të ftuarit, ambienti e deri tek kostoja që ato janë të gatshëm të paguajnë.

Tashmë nga viti në vit trendi i rezervimeve të tavolinave është kthyer në fakt. “Të qenurit barist më ka bërë që të jem në kontakt me njerëz të ndryshëm, e kjo gjë mua më pëlqen. Përveç kësaj është një punë që e bëj me dashuri, pra e dua. Sa i takon festave të fundvitit me sa unë kam dijeni duhet të jenë mbyllur, të paktën në klubin ku unë jam prenotimet kanë përfunduar.

Tashmë, ne shqiptarët jemi mësuar që duhet të bëjmë rezervime më parë, pasi u ka ndodhur që e kanë lënë në momentin e fundit dhe nuk kanë qenë të kënaqur me atë çfarë kanë gjetur apo kanë shkuar atje ku ka pasur vend. Në një farë mënyrë kanë mësuar nga kjo përvojë. Përgjithësisht me club-et e mira kudo në vend operohet me pjesën e rezervimeve”, rrëfen Altini. Por, teksa u ndalëm tek rezervimet, ai shpjegoi se ka rezervime të ndryshme. “Gjatë rezervimeve në një club mund të them se janë me kategori. Kemi rezervime për zonën delux, për zonën vip dhe arena.

Dy zonat e para janë përgjithësisht për klientë që një club i ka të përhershëm dhe që të themi i ofrohet një shërbim më cilësor, pasi dhe pijet që u shërbehen janë më cilësore dhe të shtrenjta. Klientë të tillë preferojnë këto zona pasi nuk janë shumë afër personave të tjerë dhe kërkojnë të jenë më të qetë në tavolinën e tyre. Ndërsa në zonën e fundit, arena janë klientë të cilët kanë një shërbim cilësor sigurisht, por nuk kanë vëmendjen që mund të kenë personat që kanë rezervuar në dy zonat e tjera”, tha Mahmutllari. Në club çdo kush mund të kënaqet si nga muzika që ofrohet ashtu edhe nga vetë përgatitjet e club-it ku je. Moshat janë të ndryshme duke filluar një 20 deri në 45-50 vjeç, kjo sipas Altinit nuk ka kufi pasi varet se sa i ri ndihesh në shpirt.

“Moshat janë të ndryshme duke filluar nga 20 vjeçarët deri tek 50 vjeçarët. Një club i mirë dëshiron që të japë maksimumin për personat që kanë rezervuar, ndaj ka të ftuar këngëtarë, për kënaqësinë e të pranishmëve ka balerina, ka akrobatë të cilët bëjnë disa numra artistike, është një vajzë me zjarr, janë robotët me drita. Mendoj që klubet e kanë kuptuar se çfarë dëshiron klienti edhe atë i ofron. Nëse dikur nuk kishte të ftuar këngëtarë por DJ, sot ndodh e kundërta. Diku para 5-6 vitesh në clube kishte vetëm DJ dhe të huaj të cilët luanin nga repertori i tyre, ndërsa sot kemi salla të vogla koncertesh, ku këngëtarët janë në skenë. Sot nuk mund të quhet nata e realizuar nëse nuk ka këngë shqip”, tha Altini. Ai rrëfen se kryesisht klientët parapëlqejnë këngëtarët më në zë të momentit.

Tirana në festë 

Dy javët e fundit kryeqyteti ka gumëzhin nga aktivitete e shumta. Diku një koncert nga një grup apo këngëtar, diku shfaqje si “Krishtlindje në Tiranë” realizuar nga Sokol Guga, diku një tjetër shfaqje tek Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, “Arrëthyesi”, e cila e cila luhet nga Enada dhe Gert Vaso, diku aktivitete në sheshin Nënë Tereza... festivali i RTSH, Kënga Magjikë etj etj. Kjo është një gjë e mirë! Qytetari, të themi ka larmishmëri zgjedhjesh. Nuk ka një panoramë klubesh, por edhe gjatë ditës ai mund të ndjejë aromë festash. Mirë apo keq dhjetori është muaji i fundit i vitit, e si i tillë këtë të ftohtë që mbart e ngroh me aktivitete e shumta që organizohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat