Ish-zyrtari i bankës fajtor për dëmin prej 41 mijë eurove

Lajme

Ish-zyrtari i bankës fajtor për dëmin prej 41 mijë eurove

Më: 25 prill 2017 Në ora: 09:34
Gjykimi i ish-zyrtarit t9 bankës

Jusuf Arifi është shpallur fajtor për keqpërdorim të autoritetit zyrtar, ngase sipas aktakuzës i shkaktoi dëm prej 41 mijë eurove një banke.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Jusuf Arifin si kryerës të veprës penale keqpërdorimi i autoritetit zyrtar.

Aktakuza thotë se i akuzuarit Arifi në cilësinë e ish- shefit të shërbimeve të jashtme të Bankës për Biznes, i ka shkaktuar dëm të njëjtës në shumë prej 40,933.17 euro.

Ish- zyrtarit të Bankës për Biznes i është shqiptuar dënim me kusht në kohëzgjatje prej 1 viti, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 vjetëve.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu- Selimaj, bëri të ditur se i akuzuari Arifi po ashtu do t’i paguajë edhe shpenzimet gjyqësore, si dhe në emër të paushallit do të paguajë vlerën prej 50 eurove.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arifi përmes transaksioneve ndërkombëtare të bëra qëllimisht, i ka shkaktuar dëm “BpB”-së në shumë prej 40,933.17 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e gjithë kjo është bërë me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore, pasi që ka bërë debitimin e llogarisë së bankës duke bërë pagesa ndërkombëtare pa mbulesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat