Nëna e Donjeta Pajazitajt dëshmon për vrasjen e vajzës së saj

Lajme

Nëna e Donjeta Pajazitajt dëshmon për vrasjen e vajzës së saj

Më: 23 tetor 2017 Në ora: 22:23
Gjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Lumnije Pajazitaj ka rrëfyer në Gjykatën e Pejës për ditën e fundit kur e pa të gjallë të bijën, Donjetën.

Ajo tha se Donjeta ishte fëmija i madh dhe mbajtëse e familjes. “Donjeta ka qenë fëmija jonë i parë. Kushtet ekonomike i kemi pasur jo të mira. Një kohë kemi jetuar me social derisa është punësuar Donjeta”, tha ajo.

Më tej, Lumnija tregoi për ditën kritike – 9 nëntor 2015.

Atë ditë, Donjeta ishte nisur për punë. Atë ditë ajo ishte në ndërrimin e dytë, që i binte të punonte pasdite.

“Në mëngjes ajo i ka kryer punët e shtëpisë. Sa herë shkonte në punë e merrte bukën me veti. Më tha: a po ma bon edhe bukën. Pastaj ia kam bërë gati bukën edhe ia kam dhënë. Te dera e korridorit jam përshëndetë me të. Më tha: Mamë, ditën e mirë e mos ma baj dertin se hëngra bukë edhe bukën ma ke përgatit mirë”, tha Lumnije Pajazitaj për ditën kritike kur vajza e saj kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në punë dhe më s’ishte kthyer, raporton KALLXO.com.

“Ma nuk e di çka është bërë me të. Unë jam ndarë me të te dera e korridorit të shtëpisë”, shtoi ajo.

Më tej, dëshmitarja tregoi se në orët e mbrëmjes i kishte telefonuar një koleg i punës së vajzës së saj dhe e kishte pyetur pse nuk ka ardhur Donjeta.

“Veç kur ka thirr në mbrëmje dikur rreth orës gjashtë, Enis Ukaj burrin tim edhe i ka thanë pse nuk ka ardhur Donjeta në punë. Kur kanë thanë që nuk ka shkuar në punë e kam pas një parandjenjë të keqe se e kam ditë që i ka ndodh diçka, se ajo kurrë s’ka ndodhë mos me shku në punë apo të vonohet”, tha Lumnija.

Nëna tregoi se atë mbrëmje i ka bërë tri herë telefoni.

“Atëherë e kemi thirr Donjetën në telefon. Tri herë i ka bërë telefoni edhe është ndërprerë. Bashkëshorti e ka marrë një veturë të një shoku edhe ka shkuar në punë ku ka punuar ajo. I ka pyetur se a e kanë parë Donjetën, i kanë thënë jo”, shtoi Lumnije Pajazitaj.

Ajo  tha se edhe një ditë pas zhdukjes se Donjetës kishte telefonuar vajza e motrës së saj nga Prishtina dhe kishte thënë së llogaria e “Facebook”-ut të Donjetës është aktive.

“Kemi provuar me thirrë edhe një herë, veç ka bërë një herë telefoni edhe është ndal”, tha nëna e viktimës.

Ajo tutje e përshkroi vajzën e saj si tip i qetë dhe i mbyllur dhe gjithmonë e kujdesshme duke njoftuar për çdo gjë.

Ajo po ashtu tregoi se vajza e saj nga Strellci deri te puna e saj në hyrje të Pejës ka udhëtuar me autobus, kurse nga fshati tek rruga kryesore shpesh ka shkuar me kushërinjtë e saj.

“Ka ndodhë që kemi hypur ndonjëherë edhe në veturën e Naserit (të akuzuarit)”, u përgjigj Lumnije Pajazitaj pyetjeve të prokurores Valbona Disha- Haxhosaj.

Po ashtu, ajo tregoi se disa herë kishin ardhur për ta kërkuar dorën e vajzës së saj për nuse, por rasti i fundit tha së ishte një familje nga Juniku kishin lidhje familjare sipas Lumnije Pajazitajt me bashkëshorten e të akuzuarit Naser.

Ajo tha së nuk kishin marrë përgjigje se çfarë kishin vendosur ajo familje që kishin shprehur interesimin për Donjetën, kurse tregoi kur kishin shkuar pas një kohe për ta uruar familjen e Naserit për vajzën e tij.

“Kemi shkuar t’ia bëjmë çikën përhajr, pa me vet gruaja e tij me mua, i tha Donjetë se ky (Naseri) nuk ka lanë me ardh me të lyp se atyre u ke pëlqye. E ky (Naseri) i tha ta gjon mixha ty njo”, tregoi ajo.

E dëmtuara tregoi edhe momentin kur të akuzuarit ia kishte kumtuar lajmin për zhdukjen e Donjetës pa u bërë publike ende.

“Kur u zhduk Donjeta, na hala pa e përhap lajmin mirë që u zhduk, ky (Naseri) të nesërmit u ardh në mbrëmje bashkë me bashkëshorten e vet edhe tha: A ish zhduk Donjeta a?”, tha ajo.

Nëna e viktimës tha se i akuzuari u kishte thënë se Donjeta mos është martuar me një person nga fshati Gllogjan i Pejës. Ajo po ashtu tha se vet i akuzuari kishte sugjeruar në disa vende të kërkohet Donjeta.

Edhe lajmin për gjetjen e trupit të pajetë të Donjetës pas disa javësh në bjeshkët e Strellcit, Lumnije Pajazitaj tha i kishte njoftuar i akuzuari, Naser Pajazitaj.

“Para policisë na ka thirr prej Prishtinës na ka kallxu se u gjet trupi i Donjetës”, tha ajo.

Ajo tha se me familjen e Naser Pajazitajt kishin pasur marrëdhënie të mira, ndërsa shtoi se derisa nuk ishte arrestuar i akuzuari nuk kishin pasur dyshime tek ai.

Para 30 viteve ajo tha se axha i bashkëshortit të saj e kishte plagosur vëllain e Naser Pajazitajt, kurse për këtë rast ajo tha së kishin ishin pajtuar duke i dhënë 20 ari tokë si kompensim.

Babai i Donjetës nuk ndihet mirë, nuk jep dëshmi

Gjatë seancës se sotme të shqyrtimit kryesor në cilësinë e dëshmitarit ka qenë edhe babai i viktimës, Halili. Ndryshe nga bashkëshortja e tij, Halil Pajazitaj nuk ka dashur të dëshmojë para trupit gjykues.

Përveç që tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori ai para gjykatës nuk tha asnjë fjalë. Arsyetimi i tij ishte se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Nuk po muj me fol, jam keq me tension dhe sheqer”, tha Halil Pajazitaj.

Përkundër insistimit të trupit gjykues që ai ta shfrytëzojë të drejtën të deklarohet, prindi i viktimës prapë nuk tha asnjë fjalë.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues se a të largohet publiku nga salla e gjykimit që ai ta jap dëshminë e tij prapë Halil Pajazitaj refuzoi të flasë.

Dëshmia e bashkëshortes së të akuzuarit

Dushe Pajazitaj ka dëshmuar para trupit gjykues në gjykimin e burrit të saj, Naser Pajazitaj, i cili po akuzohet për vrasjen e kushërirës së tij, Donjetës.

Ajo gjatë dëshmisë se saj tregoi se ku kishte qenë bashkëshorti i saj ditën kur Donjeta Pajazitaj ishte zhdukur.

“Atë ditë në mëngjes bashkë me vajzën Arjetën kanë shkuar me xhip për t’i blerë disa sene në Strellc të Epërm. Pastaj ka qëndruar në shtëpi derisa ka shkuar në varrim të një fshatari dhe është kthyer në shtëpi”, tha ajo.

Pasi kishte ardhur nga varrimi burri i saj, Dushe Pajazitaj tha se ai e kishte thirrë shokun e tij të ngushtë që së bashku të shkojë në Pejë për t’i marrë disa para tek familja e burrit të vajzës se tyre.

“Më pas e ka thirr Zeqirin i cili ka ardhur në shtëpinë tonë që të shkojmë së bashku në Pejë. Kemi shkuar në Pejë unë, Naseri dhe Zeqiri edhe i kemi ra kah rruga në drejtim të varrezave të Zemajve”, tha dëshmitarja Dushe Pajazitaj.

Kur kishin shkuar në Pejë, tek Stacioni i Trenit, Dushe Pajazitaj tha se burri i saj i kishte thënë se e pa Donjeta Pajazitajn.

“Naseri tha këqyrni tek është kushërinia jonë qetu, Donjeta. Kerri ke tu ec shpejtë unë e ktheva kokën e kam këqyr shpejt por s’e pashë, veç një vajzë me flokë të bardha por s’e pash përballë”, tha ajo.

Për ketë rast ajo tha se nuk i kishte treguar askujt me arsyetimin se nuk kishte qenë e sigurt a kishte qenë Donjeta vajza që kishte parë me flokët e bardha në Pejë tek Stacioni i trenit.

Një ditë pasi ishte zhdukur Donjeta, ajo tha se burri i saj bashkë me vajzën dhe shokun e tij Zeqirin kishin shkuar në bjeshkë për t’i marrë disa drunj dekorues.

“Në mëngjes kanë shku me i marr do llamperi në bjeshkë, e pasdite u shku në të pame”, tha Dushe Pajazitaj.

Ndërsa për lajmin se është zhdukur Donjeta Pajazitaj ajo tha se e kishte kuptuar nga bashkëshorti i saj, Naseri.

“Naseri me ka treguar që ish zhduk Donjeta, kish pasë dëgjuar në të pamën në fshat”, tha bashkëshortja e të akuzuarit. Ajo po ashtu tregoi se veturën e tipit xhip e ka vozitur vetëm bashkëshorti i saj, për të cilin tha se e ka shfrytëzuar për të shkuar në bjeshkë.

Dëshmia e kushëririt të dy palëve

Kushëriri i afërt i palës së dëmtuar dhe të akuzuar, Qamil Pajazitaj, ka dëshmuar gjatë seancës së sotme në Gjykatën Themelore të Pejës.

Ai ka rrëfyer momentin kur e kishte takuar Donjeta Pajazitajn kur kishte dalë nga shtëpia e saj për të shkuar në punë.

“Kam qenë në shtëpi dhe kam punuar deri në orën 13:30. Pastaj kam dalë trup nga një livadh dhe në atë moment jam takuar me Donjetën e cila dul nga shtëpia e saj. Jemi përshëndetur  dhe jemi nisur dytë në këmbë deri tek vendi i quajtur Drum. Tek Drumi unë e kam marr drejtimin me shku në varrim sepse kishte vdekur një bashkëfshatar, ndërsa Donjeta me tha se po shkoj në punë edhe ka vazhduar përpjet ka shtëpizat e Jusajve”, tha dëshmitari.

Tutje kushëriri i dy palëve tha sapo kishte shkuar në varrim e kishte telefonuar bashkëshortja se vajza e tij e ka lënduar dorën. Ai tha se në varrim nuk kishte qëndruar me shumë se 5 minuta.

I pyetur nga i akuzuari Naser Pajazitaj se a e kishte parë atë ditë në varrim dhe e a kishte përshëndetur me dorë, dëshmitari Qamil Pajazitaj tha së nuk është e vërtetë.

“Jo s’e kam parë dhe me vjen keq sepse nuk është e vërtetë”, tha dëshmitari.

Kurse për zhdukjen e Donjetës tha se e kishte kuptuar përmes televizionit.

Fjala hyrëse e prokurores dhe e avokatit mbrojtës

Prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, gjatë fjalës hyrëse të këtij shqyrtimi gjyqësor tha se në bazë të provave materiale të aktakuzës dhe procedimit të dëshmitarëve do vërtetohet fajësia e të akuzuarit Naser Pajazitaj për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Ndërsa, avokati mbrojtës tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe në bazë të provave materiale do tregohet pafajësia e të pandehurit, Naser Pajazitaj.

Në fillim të seancës, prokuroja e rastit e lexoi aktakuzën të ngritur ndaj Naser Pajazitajt për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

“I akuzuari Naser Pajazitaj dyshohet se me datë 09.11.2015, rreth orës 14:30, në bjeshkët e Strellcit, pikërisht tek kroni i quajtur “Kroni i Lajthisë”… me dashje dhe me armë të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat,” tha prokurorja Haxhosaj.

Aktakuza thotë se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, tha prokurorja.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, Naser Pajazitaj akuzohet edhe për dy vepra tjera të armëmbajtjes pa leje.

Për veprën penale të vrasjes së rëndë, i akuzuari u deklarua i pafajshëm, ndërsa për dy veprat penale për armëmbajtje pa leje, ai i pranoi pjesërisht ato.

Sipas prokurorisë, Naser Pajazitajt ka qenë edhe me herët i dënuar për veprën penale vrasje e rëndë për motive të hakmarrjes.

Në qershor të këtij viti, gjatë seancës së shqyrtimit fillestar, KALLXO.com kishte kapur pamje kur i akuzuari Naser Pajazitaj derisa po dilte nga salla e gjykimit ishte grushtuar nga vëllai i Donjeta Pajazitajt.

Donjeta Pajazitaj disa javë ishte shpallur e zhdukur derisa u gjet e vrarë në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.

Për vrasjen e Donjetës dhe zbardhjen e këtij rasti disa herë u organizuan protesta dhe marshe paqësore./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat