Ish-Infermierja e ‘Medicus’ mohon deklaratën e dhënë në Polici

Lajme

Ish-Infermierja e ‘Medicus’ mohon deklaratën e dhënë në Polici

Më: 25 tetor 2017 Në ora: 16:37
Ilustrim

Në rastin gjyqësor të njohur si “Medicus” ka dëshmuar ish-infermierja e kësaj klinike, Mendehie Hajdari.

Ajo tregoi se aty ka punuar me orar të përgjysmuar, pranë dr. Tefik Bekteshi.

Rreth detyrave që kishte aty, dëshmitarja tha se ka përgatitur pacientët e kardiologjisë si dhe detyrat e tjera të cilat i takojnë një infermiere e cila e asiston specialistin e kardiologjisë.

Dëshmitarja tha se e mbante mend kohën kur dr.Tefiku ishte larguar nga puna dhe se më pas kishte vazhduar që të punonte me disa doktorë të tjerë, emrat e të cilëve nuk i kujtoheshin për momentin.

Përpos këtij detaji dëshmitares gjatë gjithë dëshmisë nuk i kujtoheshin edhe shumë gjëra të tjera.

Prandaj prokurorja e çështjes Valeria Bolici detyrohej që kohë pas kohe dëshmitaren ta ballafaqonte me deklaratën e saj të dhënë në vitin 2008 në Polici në mënyrë që t’ia rifreskonte kujtesën.

“Dëshiroj që t’i referohem deklaratës tuaj të dhënë në nëntor të vitit 2008. Ju keni thënë se në dhomën e dytë të katit të dytë përveç dr. Lutfi Dervishit aty në një ekip me të merrnin pjesë edhe anesteziologu Sokol Hajdini si dhe dy anesteziologë të tjerë dr. Sylejman Tulla dhe dr. Islami, infermierja Shpresa Makolli e doktori nga Turqia dr.Jusuf”. A keni thënë kështu”, e pyeti prokurorja.

Kurse dëshmitarja e mohoi të ketë thënë një gjë të tillë.

“Jo nuk më kujtohet. Këtë që po e dëgjoj jam e sigurt që nuk e kam thënë. Çdo gjë që më kujtohet para dhjetë viteve është se aty nuk ka pasur ndryshime në mes të katit përdhese apo katit të parë dhe krejt çka jam e sigurt që kam thënë është se kam punuar me dr.Tefikun dhe nuk e kam thënë se kush ka qenë në ekip me kënd”, u përgjigj infermierja Hajdini.

E pyetur nga prokurorja nëse i kujtohej se çfarë operacione të tjera janë kryer në katin e parë përpos atyre të kardiologjisë, dëshmitarja përsëri tha se nuk i  kujtohet.

Por, pas kësaj përgjigjeje nga ana e dëshmitares, prokurorja e pyeti më në detaje dëshmitaren.

“A e di nëse ndonjëherë është bërë transplantim i veshkës në katin e parë?”, pyeti ajo.

Ndërsa dëshmitarja u përgjigj se krejt çka ajo di është se në momentin që i kanë arrestuar atë dhe stafin dhe i kanë marrë në pyetje ajo aty e ka kuptuar që diçka është duke ndodhur por që asgjë tjetër nuk i kujtohet.

Prokurorja gjatë marrjes në pyetje edhe me tej vazhdoi që herë pas here dëshmitaren ta përballë me deklaratën e saj të dhënë në stacionin policor.

“Kur je përgjigjur në pyetjen: A mund të na tregosh se ju si infermiere a keni marrë pjesë në operacione ku në sallë kanë qenë të shtrirë dy persona të cilët kanë kryer transplantim të veshkave, ju jeni përgjigjur: Po, mund të them se aty janë kryer operacione të transplantimit të veshkave, rasti më i freskët është para një jave”.

“A ka qenë atëherë kujtesa juaj më e freskët apo tash pas dhjetë vitesh?”, e pyeti prokurorja.

Por dëshmitarja tha se është shumë e sigurt se nuk e ka thënë një gjë të tillë.

Ndër të tjera dëshmitarja tha se asaj nuk i kujtohej të ketë pasur pacient të huaj në klinikën “Medicus”, përpos pacientit të fundit.

Pasi që dëshmitarja tha se s’e mban mend që në klinikë të ketë pasur pacientë të huaj, prokurorja përsëri e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në Polici.

“Në deklaratën tuaj të dhënë në polici pas pyetjes në lidhje me transplantimin e veshkave kur të kanë pyetur a të kujtohet se nga kanë ardhur pacientët, ju keni thënë: Po, mund të them se pacientët dhe donatorët kanë qenë nga të gjitha vendet e ndryshme të rajonit”.

Kujt ju keni referuar kur keni folur për donatorët, pyeti prokurorja.

“Jam e sigurt që nuk e kam thënë këtë”, u përgjigj përsëri dëshmitarja.

Pasi që dëshmitares iu ofrua në shikim nënshkrimi i saj i dhënë në Polici, ajo tha se e njeh atë nënshkrim si të sajin por që nuk i kujtohet ta ketë nënshkruar atë deklaratë dhe se edhe nëse ka nënshkruar diçka ajo ka menduar se ka të bëjë me të dhënat personale.

Pas kësaj përgjigjeje të dëshmitares, prokurorja prapë e pyeti me këmbëngulje.

“E keni nënshkruar një letër që thotë se jeni të detyruar që ta thoni të vërtetën. A e keni thënë atëherë të vërtetën në Polici?”

Por, dëshmitarja tha se kanë kaluar dhjetë vjet dhe shumicën nga pyetjet që i lexoi prokurorja nuk janë të vërteta dhe se ajo krejt çka di është ajo se çfarë po dëshmon sot.

Ajo u pyet edhe nëse e njihte dr. Jusufin, të cilin e kishte përmendur në deklaratën e dhënë në polici, por dëshmitarja tha se atë e kishte takuar rastësisht ndonjëherë në shkallë në klinikë dhe se për emrin e tij kishte mësuar vetëm në polici.

Mendehie Hajdari kishte dhënë deklaratë rreth këtij rasti në vitin 2008 në Polici, por më vonë kur kishte filluar ky gjykim ajo nuk ishte thirrur më si dëshmitare.

Si dëshmitar kishte qenë i planifikuar që të dëgjohej edhe Agim Krasniqi por me pëlqimin e të gjitha palëve dëshmia e tij u konsiderua si e lexuar.

Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, në të cilën dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të Supremes për rigjykim.

Në seancën e shqyrtimi fillestar në korrik 2017, Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini u deklaruan të pafajshëm./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat