Beteja e Koshares njihet si një ndër betejat më të mëdha e më të përgjakshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pikërisht më 9 prill të vitit 1999, ushtarë të UÇK-së, pas një beteje të ashpër për çdo metër katror, arritën që me guxim e vendosmëri, të krijojnë avantazhe dhe të dëbojnë ushtrinë jugosllave nga kufiri në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
E në fillet e luftës, komandanti i Brigadës 138, Agim Ramadani, pas një vizite në zyrën e gazetës kombëtare “Bota sot” në Zvicër, kishte kërkuar nga botuesi Xhevdet Mazrekaj, që të dërgonte gazetarët në terren për të raportuar për të bëmat heroike të UÇK-së.
“Xhevdet, dërgomi gazetarët, unë të garantojë për jetën e tyre se humbi morali i shqiptarëve”, i kishte thënë Ramadani, Mazrekajt, duke nënkuptuar se duhej raportuar edhe për dëmet që pala shqiptare ia shkaktonte palës pushtuese serbe.
Pikërisht nga Kosharja, atje ku edhe u shemb muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, gazetarët e “Bota sot” Naim Kelmendi dhe Muhamet Çeta, kishin arritur që të sjellin pamje edhe nga vrasja e ushtarëve serbë, pas betejës së përgjakshme.