Janjiq: Perëndimi do zgjidhje të shpejtë për Kosovën

Lajme

Janjiq: Perëndimi do zgjidhje të shpejtë për Kosovën

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 16:29
Dushan Janjiq

Kryetari i Këshillit drejtues i Forumit për Marrëdhënie etnike, Dushan Janjiq, ka vlerësuar sot se komunikimi i drejtpërdrejtë i Prishtinës me Beogradin është kryesisht i ndërprerë dhe se gjërat po shkojnë gjithnjë në këtë drejtim.

Kjo gjë bashkësinë ndërkombëtare po e vë para dilemës a të vazhdojë së punuari në mënyrën e deritashme, apo të kërkojë mënyrë të tjera për zgjidhjen e problemit.

“Kjo është fazë e ndjeshme në të cilën bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë Washingtoni, tregojnë shenja gatishmërie që t’i lënë manash lojërat e pushtetarëve të vegjël lokalë. Kjo i bën nervozë, sidomos ata që kanë qenë të gatshëm për lojë të gjatë politike”, citon media serbe të ketë thënë Janjiq.

Ai mendon se vendet e Quintit (SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia) qartë nuk janë për lojën e gjatë politike, se kanë mendim tjetër dhe se po i afrohen qëndrimit se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet pa marrë para sysh nëse Serbia dhe Kosova shkojnë ose jo drejt Bashkimit Evropian.

“Këto vende kohë më parë kanë mbajtur një mbledhje, porse nuk ekziston asnjë dokument i posaçëm, por një seri dokumentesh, përfshirë edhe mendimet e institucioneve me ndikim dhe të organizatave të tjera”, ka shtuar ai.

“Ka zhurmë në mediet serbe dhe keqpërdorim i nervozizmit nga autoritete Kosovës. Kemi raporte të vazhdueshme për incidente në të cilat pala serbe është viktimë. Kemi garë të politikanëve shqiptarë të cilët s’e kanë kuptuar se Statuti i Asociacionit të Komunave serbe është kusht i Serbisë për dialog”, thotë Janjiq.

Ai ka shtuar se nëse statuti i AKS-së do të mundësohet nga cilado palë, atëherë nuk ka asgjë nga Marrëveshja e Brukselit.

“Në rast të tillë, mbetet që sërish të përsëriten kontakte të drejtpërdrejta me dy palët ose të organizohen konferenca ndërkombëtare, e është i mundshëm edhe izolimi i njërit ose i dy aktorëve”, ka shtuar ai.

Janjiq pret që përfaqësuesja e Lartë e BE-së Frederica Mogherini së shpejti të organizojë takim të ri në Bruksel me përfaqësues të Beogradit e të Prishtinës në të cilin do të sqarohej si të shkohet më tej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat