Fëmijët e të gjitha komuniteteve pushojnë bashkë në Mal të Zi

Lajme

Fëmijët e të gjitha komuniteteve pushojnë bashkë në Mal të Zi

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 12:17
Llazar Radulloviq

Shoqata e Malazezëve të Kosovës “Llovqen”, për të gjashtin vit rresht po e realizon projektin “Beçiqi 2018”, në të cilin nga viti 2013 deri më 2018, 600 fëmijë shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, turq, goranë dhe të komuniteteve të tjera të Kosovës, kanë kaluar pushimet në Beçiqi të Malit të Zi.

Për çdo vit fëmijët shkojnë në pushimoren “Llovqen” në Beçiqi, ku përveç akomodimit dhe ushqimit, kanë të siguruar edhe një pjesë të plazhit me rojtarë, derisa turistët e tjerë nuk mund të pushojnë në atë pjesë gjatë kohës sa fëmijët qëndrojnë aty.

Në çdo mbrëmje aty organizohen lojëra, ku fëmijët garojnë në vallëzim, për modelin më të mirë të flokëve, për missin e pushimores, vokalin më të mirë, etj.

Të gjithë fëmijët nga Kosova, në këtë projekt garojnë së bashku, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare e fetare, duke përfaqësuar kështu shtetin e tyre, si dhe bashkërisht ata përpiqen të fitojnë sa më shumë medalje dhe të ndajnë bashkë gëzimin.    

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Llazar Radulloviq, e ka falënderuar Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që e ka vlerësuar idenë e shoqatës, e cila mbështetet në faktin se Kosova është një shtet shumetnik dhe se të gjithë duhet të jetojmë se bashku dhe bashkërisht të kontribuojmë për një jetë më të mirë.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të tretin vit rresht po e mbështet këtë projekt, gjë për të cilën i jemi shumë mirënjohës. Këtë vit për herë të parë ka kontribuar edhe Zyra e Kryeministrit dhe me këtë rast u jemi mirënjohës edhe kabinetit të kryeministrit. Jemi të sigurt se vitin e ardhshëm do të marrim përkrahje edhe më të fortë për realizimin e këtij projekti”, ka thënë Radulloviq.

Ai ka shtuar se për të gjashtin vit rresht këtë projekt po e mbështet edhe Qeveria e Malit të Zi dhe ka shprehur falënderim të veçantë për tërë Departamentin për Diasporë të Malit të Zi, për mbështetjen e këtij projekti dhe për premtimin se në vitet që vijnë do të japin përkrahje edhe më të madhe.

“Institucione të këtilla dhe njerëz të tillë na japin vullnet më të madh dhe më të fortë që të punojmë edhe më shumë që t’i bërë fëmijët bashkë dhe t’ua mundësojmë që të shoqërohen sa më shpesh dhe kështu të bëhen shokë dhe miq të mëdhenj dhe të kuptojnë se duhet ta duan shtetin e Kosovës dhe që nesër ta ndërtojnë bashkërisht”, përfundoi Radulloviq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat