Vuçiqit nuk i duhet leja, por vetëm të lajmërojë për vizitën në Kosovë

Lajme

Vuçiqit nuk i duhet leja, por vetëm të lajmërojë për vizitën në Kosovë

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 18:07
Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, sipas marrëveshjes së parimeve të arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka nevojë që të marrë leje nga autoritetet e Kosovës për vizitë tek bashkëqytetarët e tij serbë në Kosovë.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet teknike Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, në mars të këtij viti kishte sqaruar për media pas arrestimit të Marko Gjuriq, se sipas marrëveshjes zyrtarë serbë vetëm duhet të paralajmërojnë vizitën. Por në asnjë moment Tahiri nuk kishte folur për leje paraprake.

”Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel parasheh që vizitat e tilla të paralajmërohen. Mirëpo, duhet të respektohen kushtet e marrëveshjes për paralajmërim të ndonjë vizite”, pati thënë ajo pasi Gjuriq ishte arrestuar nën arsyetimin se nuk ka pasur leje për vizitë në Kosovë.

”Nëse shkelen kushtet e marrëveshjes, atëherë pala tjetër mund ta refuzojë kërkesën për vizitë”, pati thënë Tahiri.

Presidenti serb pritet që të vizitojë Kosovën në datat 8 dhe 9 shtator të këtij viti.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme është konfirmuar se atij dhe ekipit të tij “i është dhënë leja”, dhe se ai do të përcillet nga Policia e Kosovës.

Mirëpo Policia e Kosovës në një njoftim për media mohon të ketë marrë konfirmim zyrtar për vizitën e Vuçiq në Kosovë.

Në mars të këtij viti, vizita një zyrtari serb, ajo e të ashtuquajturi shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, kishte përfunduar me arrestimin e tij nga Policia e Kosovës.

Kjo me arsyetimin se ai nuk kishte pasur leje për të hyrë në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat