Vrasja makabre e Artan Sekiraqës, familja s’po mundet ta sjellë trupin në Prishtinë

Lajme

Vrasja makabre e Artan Sekiraqës, familja s’po mundet ta sjellë trupin në Prishtinë

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Vrasja e tij u bë në mënyrë makabre. Artan Sekiraqa dyshohet se u vra para disa javëve nga gruaja e tij, Suzana, në Francë. E dyshuara për vrasjen menjëherë mori rrugë për në Kosovë, bashkë me djalin e vajzën që e kishte me Artanin. Ajo disa ditë pasi e kreu vrasjen u arrestua në vendlindje. Por trupi i pajetë i Artanit ka mbetur në morgun e Francës tash e disa javë. Duhet kërkesë e institucioneve kosovare për sjelljen e trupit të tij, e kjo ende nuk është bërë. Familja e Artanit të ndjerë po kërkojnë ndihmë për kthimin e trupit të tij në vendlindje, ndërsa thonë fjalë të rënda për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Trupi i pajetë i Artan Sekiraqës, i cili u vra në Francë nga gruaja e tij, Suzana, nuk po mund të sillet në Kosovë. Trupi i 33-vjeçarit nga Prishtina, ka mbetur tash e disa javë në një morg në Francë.

Familja e Artan Sekiraqës është duke bërë përpjekje tash e disa javë që ta marrin trupin e familjarit të tyre për ta varrosur në vendlindje. Mirëpo, thonë se kjo gjë për ta po është e pamundur.

Në një prononcim , njëri nga familjarët e të ndjerit deklaroi se nuk po mund të kenë asnjë kontakt me autoritetet kosovare për të marrë më shumë informacione rreth mënyrës së sjelljes së Artanit në Kosovë.

Por, ky familjar, në kushte anonimiteti, deklaroi se është injoruar në vazhdimësi nga ana e autoriteteve të këtushme.

Madje, ky familjar thotë se zyrtarët e diplomacisë kosovare po tallen me ta, duke u thënë se trupin e pajetë të Artanit duhet që në Kosovë t’ua sjellin zyrtarët e LDK-së. Kjo ngase, sipas tij, familjarët e të ndjerit janë simpatizantë të këtij subjekti politik.

“Kemi thirrë në të gjitha institucionet. Asnjëri nga ta nuk po na tregon se si t’ia bëjmë rreth sjelljes së trupit të Artanit në Kosovë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk po e hapin telefonin zyrtarët që duhet të merren me këtë punë. Bile aty kur iu kemi prezantuar na kanë ironizu duke thënë se ju jeni Sekiraq dhe se trupin e Artanit duhet ta sjellë në Kosovë dikush nga LDK-ja e jo MPJ-ja”, tregon kushëriri i të ndjerit.

E organet e hetuesisë kosovare po pritet që gjatë ditëve në vijim ta shqyrtojnë mundësinë për bërjen e kërkesës për sjelljen e trupit të pajetë të Artanit në Kosovë. 

Kështu ka bërë të ditur  zëdhënësi i Prokurorisë, Ibrahim Berisha.

“Për momentin nuk kemi asgjë të re sa i përket kësaj çështjeje. Nuk kemi bërë kërkesë për sjelljen e trupit të viktimës në Kosovë. Unë të hënën në mbledhjen që e kemi do ta parashtrojë këtë kërkesë”,  tha të enjten , Berisha.

Ai sqaroi se krimet e rënda janë duke u marrë me këtë rast dhe se ndaj të dyshuarës është vazhduar masa e paraburgimit prej dy muajve.

Rreth motivit të vrasjes thuhet të kenë qenë zënkat në çift. Por, historia në mërgim e Artan Sekiraqës, 33 vjeç, kishte nisur qysh para gjashtë viteve.

Ai ishte martuar në Kosovë me Suzana Zogianin. Pas një kohe martesë, çifti bëhet me një djalë. Por, sipas familjarëve, Artani bashkë me Suzanën disa vite pas lindjes së djalit morën rrugë drejt Gjermanisë. Gjithë kjo për t'ia gjetur ilaçin djalit të tyre, ngase të njëjtit i ishin shfaqur disa probleme shëndetësore, intervenimi i të cilave mund të bëhej vetëm jashtë Kosovës. Menjëherë pasi shkuan në Gjermani, familja Sekiraqa aplikoi për azil, por aty u refuzuan nga autoritetet gjermane. Kështu, Artani bashkë me familjen treanëtarëshe, morën rrugë drejt Francës, për t’u sistemuar atje.

E në këtë shtet Artani e gjeti vdekjen. Ai dyshohet se u vra me sëpatë nga gruaja e tij Suzana. Askush nga familja nuk po e di se pse ka ndodhur kjo tragjedi, ani se nga familja deklarojnë se çifti disa herë kishin pasur probleme me njëri-tjetrin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat