Ankthi i familjes nga Vushtrria për babanë e zhdukur

Lajme

Ankthi i familjes nga Vushtrria për babanë e zhdukur

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 16:51
Shtepia e Dalipit, fshati Studime

Ka dy ditë prej kur Dalip Rashica ka dalë nga shtëpia, e familjarët nuk e kanë asnjë informacion për fatin e tij. 61-vjeçari ka disa vite që vuan nga depresioni e shumë shpesh kishte ikur, mirëpo, largimi asnjëherë nuk kishe zgjatur kaq shumë. Media gjatë ditës ka qëndruar në shtëpinë e Rashicës në fshatin Studime e Ulët, e familjarët kanë bërë thirrje për këdo që e ka parë që të ju ndihmojnë për gjetjen e prindit të tyre.

Për shumë vite Dalip Rashica kishte punuar si kondukter e me atë rrogë kishte mbajtur familjen e tij. Por, vitet e fundit shëndeti i ishte përkeqësuar e kështu kishte kohë që 61-vjeçari po merrte terapi kundër depresionit.

Me përkeqësim të sëmundjes ai disa herë edhe kishte ikur nga shtëpia, për t’u kthyer pas disa orëve.

Mirëpo, nga e shtuna mbrëma Dalipi nuk është kthyer më, e familjarët janë të shqetësuar për fatin e tij.

Vëllau i tij, Mehdi Rashica tha për Express se tashmë kanë pak shpresë, pasi që natën kur u largua moti ishte shumë i ftohtë e kështu ka vazhduar edhe këto dy ditë.

“Të shtunën në mbrëmje është largu,  vëllau  ka qenë me depresion me barna, në ora 21:00 më lajmëroj vajza e vëllait se nuk është duke i pirë barnat, tentuam me ja dhanë, se ato ditë rrike më shumë ratë, e nuk mujti me u qu tha ska hangër as buk sot, tensionin e kish pas të lartë. Shkova unë, pas disa përpjekjeve përsëri nuk i ka pi barnat” deklaroi Rashica.

Vajza e tij, kishte lënë prindin të vetëm për pak minuta e atë kohë Dalipi kishte ikur.

“Kur vajza ka dal për pak jashtë, kur u kthy në shtëpi se pa ka babën brenda. Ka pas raste kur ka dal edhe më herët qeshtu nëpër lagje, shkuam në emergjencë thamë i ka ra të ligtë e ka qu najkush e lajmëruam policinë, shkum edhe te shpijat e vjetra në katun po as aty nuk ishte,” tha Rashica.

Megjithëse lajmëruan policinë, të shtunën e të dielën familjarët kishin dalë edhe vetë të kërkojnë Dalipin, por, pa rezultat.

Në kërkim kishin dalë edhe sot nga mëngjesi, e nesër numri i forcave të policisë do të rritet edhe në fshatrat më larg.

“Sot kemi dalë me policinë, kemi shku te shtëpitë në katun prapë, te një vend ku kemi pasur dyshim, sot kemi kërku prej orës 09:00 të mëngjesit nëpër fshatin tonë dhe këtë fshatin afër, por ska pas asnjë shenjë, nuk e ka pa askush”, rrëfente vëllai i Dalipit.

Shqetësimi nga orët e gjata të kërkimit është rritur edhe më shumë, tashmë familjarët e dinë që për Dalipin nuk kanë informacione as më shumë se  100 familje të këtij fshati, e nesër po presin që kërkimin së bashku me FSK’në ta bëjnë edhe në vendet me larg shtëpisë.

Dalipi është baba i katër fëmijëve, sipas fëmijëve të tij ai i njeh familjarët pra ka vetëdije të plotë edhe pse i sëmurë, ndërkaq në natën kur ka ikur nga shtëpia ka qenë i veshur në pizhame, si në foto.

Ata kanë bërë thirrje përmes medias për të gjithë ata që e kanë parë ose kanë ndonjë informacion që t’i lajmërojnë në numrat e mëposhtëm:

044549743/ 044713707/ 044499300

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat