“Kosova” VI, VII dhe VIII e Buxhovit, vepër kapitale e historiografisë shqiptare - Bota Sot
“Kosova” VI, VII dhe VIII e Buxhovit, vepër kapitale e historiografisë shqiptare

Libra

“Kosova” VI, VII dhe VIII e Buxhovit, vepër kapitale e historiografisë shqiptare

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 08:26
Pamje nga promovimi i librit

Në ambientet e kulturuara të librarisë “Dukagjini” në Prishtinë, mbrëmë u bë promovimi i tre vëllimeve të fundit (VI,VII dhe VII) të “Kosovës”. Me këtë rast, botuesi Nazmi Rrahmani tha se fjala është për një vepër kapitale të historiografisë shqiptare të parën të llojit të tillë, në të cilën nëpërmes Kosovës përfshihet historia shqiptare nga antikiteti deri te koha jonë. Rreth tri veprave të fundit, vëllimeve VI, VII dhe VIII me të cilat përmbyllet kompleti prej tetë veprave, Nazmi Rrahmani tha se këto hedhin dritë në fazën e fundit, por më të ndjeshme të shtetformimit të Kosovës, atë të protektoratit ndërkombëtar nga qershori i vitit 1999 e deri më 17 shkurt 2008 kur shpallet pavarësia e shtetit të Kosovës. 

“Në këto libra, autori me anën e dokumenteve pasqyron sfidat me të cilat u ballafaqua shtetformimi, nga ato të angazhimit ndërkombëtar e deri te vendoret, që ishin me zhvillime shpesh kundërthënëse dhe të përcjella me konflikte, sidomos me ato që kishin për qëllim këtë proces ta ndalnin ose ta fusnin në një rrugë pa krye në mënyrë që të pengohet pavarësia.”

Edhe redaktori i librit, Ramadan Musliu, përmbylljen e veprës me tri vëllimet e fundit, e quajti “projekt kapital të historiografisë shqiptare” edhe për faktin se është vepra e parë e cila nxjerr në pah një raport historik jashtë konventave ideologjike dhe limiteve të tjera të vëna nga historiografia serbe, e ku Dardania, e anashkaluar qëllimisht, shfaqet si amëz e antikitetit shqiptar e ndërlidhur me lashtësinë pellazge.

Image
Pamje nga promovimi i librit

“Meritë tjetër  e madhe e Buxhovit”, theksoi Musliu “është edhe rrënimi i gënjeshtrës së historiografisë hegjemoniste serbe rreth Kosovës – djep mesjetar serb, që është kthyer në program nacionalist-hegjemonist serb me të cilën është pushtuar Kosova prej një shekulli”. 

Në fund, Ramadan Musliu, tha se vepra e Buxhovit mbetet model po edhe shtrat i pakapërcyeshëm i historiografisë shqiptare.

Autori i librit, me këtë rast tha se vepra e tij paraqet certifikatën historike të Kosovës të ndërlidhur me Dardaninë si qendër të antikitetit, vendi dhe rëndësia e së cilës ka qenë e madhe dhe përcaktuese jo vetëm për qytetërimin antik, por edhe për zhvillimet tjera, që kanë përcaktuar karakterin shoqëror, politik dhe kulturor të botës ilire si pjesë e asaj pellazge.

Image
Pamje nga promovimi i librit

Rolin e madh të Dardanisë në këtë aspekt, që ka përcaktuar edhe zhvillimet në mesjetë dhe veçmas në Bizant, ku duhet kërkuar identitetin administrativ, atë shpirtëror dhe shtetëror shqiptar, Buxhovi e theksoi edhe në zhvillimet e vonshme që lidhen me nacionalizmin shqiptar që çuan te shpallja e pavarësisë shqiptare në vitin 1912. Ndër këto ngjarje autori veçoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si dhe kryengritjen e Kosovës të vitit 1912, të cilat ishin përcaktuese për shfaqjen e shtetit shqiptar.

Duke iu referuar Kosovës si qendër e nacionalizmit shqiptar që vuri në binarët historik shpalljen e pavarësisë kombëtare, Buxhovi tha se me shpalljen e pavarësisë së shtetit të Kosovës, në një farë mënyre përmbushet edhe koncepti i Rilindjes kombëtare për shtetësinë shqiptare të përkatësisë evropiane në përmasat e përafërta me shtrirjen e saj etnike gjatë Perandorisë Osmane. Por, sipas autorit, shteti i Kosovës, kjo e arritur e madhe historike, që çështjes shqiptare i jep impulse historike dhe politike për të qenë dominuese në rajon në aspektin gjeostrategjik, duhet të mbrohet dhe të konsolidohet me anën e patriotizmit shtetëror në mënyrë që të përballojë sfidat historike dhe kurthet, ndër të cilat, Buxhovi theksoi ato që i vinë nga Beogradi dhe projekt ruso-sllave, që veprojnë me perfiditet të madh dhe operojnë në forma të ndryshme.

Image
Pamje nga promovimi i librit
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...