Silueta e nënës - Bota Sot
Silueta e nënës

Libra

Silueta e nënës

Nga: Kaltërina Meka Më: 9 mars 2019 Në ora: 22:47
Kopertina e librit

Poezia është vetë shpirti, rrjedha e ujit. Pika e ujit të kroit nga guri i pathyeshëm. Ajo nuk shpjegohet në asnjë mënyrë. Asnjë herë dhe kurrë nuk shpjegohet deri në fund. Ajo të çel plagë. Ajo shëron plagë! Poezia është ilaç. Melhem. Ajo pa dyshim është e veçantë. E krijuar nga fijet më të kristalta shpirtërore, nga lulet dhe aromat më të njënjëshme të jetës, për të ecur në të gjitha kohët, për të prekur e jetuar në të gjitha vetëtimat, në të gjitha çeljet e reja të secilës zemër, në hapësirat kurrë të mbyllura për të zgjuar dashurinë e dhembjen. Ja pse ajo ndrit qoftë në dhembje apo në dashuri, pse buhet kaq e fortë dhe e papërsëritshme. Poezia e njëmendtë është ajo, e cila këputet nga thellësia e shpirtit e përmes pikës së gjakut pikë në letër,për të hyrë në zemër të lexuesit .Poezia e njëmendtë është ajo, e cila rrjedh nga brendësia, nga ndjenja e shpërthimit, të marrë jehonë ndër ecje, leqe e vetmi sipërfaqesh të veçanta, për t`u zgjuar në secilën shkronjë, në secilin varg në poezinë e drejtpërdrejtë,në rrëfimin e zgjedhur, në kallëzim poetik, apo në atë me simbole, me metafora, e -

shfaqen veç varret mbi jalli në dumnicë

e unë nga i bie fyellit në rosujëra ndër lot

Ja pse gjithherë poezia e dhembja janë një amshim.

Ja pse e marrin një kuptim,një hije dhe dritë, për t`u shquar nga pika e gjakut të vet, për ta shfaqur tërë atë udhëtimin deri te shtrirja në hapësirë e kohë, në letër, në mbamendje.

ende në arkivol udhëton krejt e ngrirë

veç dhe `i pëllëmbë e të arrish te rosujërat

të prehesh mes dy gurësh në kodër

aty kaherë të presin dy çunat e çupa

unë me biletë në buzë në radhë i mpirë

me qumështin e gjirit tënd ilaç

Poezinë e lind pika e thellë e reales, dhembja, dridhja e gjëmës së brendshme, e krijon dashuria, çdo gjë që lëviz rreth nesh, secili mendim, secila rrjedhë. Secila pikë e kroit, secili kalli i dritës e grurit, për të formuar përsëri poezinë nga dhembja, e ajo e dhembja e përhershme janë një amshim, një kuptim, një nuancë, të shtatë ngjyrat e harkuara të ylberit, të cilat e krijojnë mozaikun më të bukur të qiellit shpirtëror.

Jeta gjithsesi i ka bukuritë dhe dashuritë e përmotshme. Kjo rrjedhë, jo rrallë,lëndohet. Këputet.

Zgjohet e kaluara, këlthet e tashmja, e ardhmja vjen hapësirës së ngelur zbrazët pa një zemër, pa një palë duar që e përkëdhelin shpirtin e mbetur vetëm. Shfaqet përhitja, silueta, dhembja.

Dhembja jeton te shpirti e shpirti amshohet te dhembja.

Magjisë së dhembjes i dorëzohet vetëm shpirti që e ka humbur personin që tashmë mungon e prapë është aty e gjithherë do të jetë, kaq sa do të ketë frymë shpirti që e shkruan poezinë, e cila në të gjitha rrjedhat e ngriti në jehonë udhën e mbetur vetëm me lëvizjen e siluetës, me zbrazësitë.

të pres e s`vjen pse vonon nënë

as ta dëgjoj frymën as lëviz gjë në dhomë

e prapë hija jote shfaqet nën hënë

e lulet e xhenetit ndrisin me aromë

Çdo gjë është zë i vërtetë, i afrohesh, e dëgjon e nuk e dëgjon e është e s` është. Kumbon e prapë ik e përhitet vetëm jehonë. S`ka jehonë pa zë. S`ka hije pa trup. Ka vetëm dhembje dhe imitim të siluetës, të cilën e shohim në secilën lule, në zbritje e ngjitje jetës. Mungon personi i dashur.

Shfaqet e humb.

E prapë është. Nuk është e prapë është dhe gjithnjë.

Kjo, në një përpjekje të veçantë është esenca brenda shkrimit poetik të librit, kaq sa do të ketë mendim, kaq sa do të ketë rrjedhë të brendshme, kaq sa do të ketë shpirt e jehonë përmbledhja me poezi “A të dhemb pse më nuk të dhemb” të Nexhat Halimit, autor me përvojë në krijimin artistik. Ky është botimi i parë i librit, me vetëm 50 faqe, me të gjitha krijimet kushtuar vdekjes së nënës.

ky mëngjes i turbullt e dumnica qan

Iku, në këtë mënyrë një vit pa nënën e silueta e njëjtë lëviz gjithnjë aty, e – përsëri, autori shkroi librin tjetër, me 80 faqe për nënën. I shtoi nga dita në ditë shumë kujtime, shumë inserte, shumë rrjedha të kaluara në jetë pranë nënës, ndërsa babanë e kishte larg, në përpjekje të përditshme për ta bërë pragun e ri të shtëpisë, të iknin nga Dumnica e Poshtme e të krijonin një jetë më të mirë, një jetë tjetër. Kjo familje dhe ashtu muhaxhirësh, e ikur për ta shpëtuar kokën nga Toplica, ku u ngelën të gjitha dhe tashmë erren e agojë të vetmuara vetëm varret e paraardhësve, kaherë të mbuluara me bar të egër.

Pak udhë larg nga atje, tashmë varret e rrethuara me tela gjemborë i ruajë të dashurit e familjes, në copëzën e tokës mbi jalli, ku ndrisin lulet e xhenetit bri lumit, mes barit e pemëve e yjeve të ndritur lart. Natën ata bëhen engjëj , ndërsa të gjithë flejë veç poeti shkruan, e çel dhembjen e vet dhe krijon libër për nënën, për të dashurën e vet që nuk është më.

Padyshim, ky është një libër i rrallë, pa përsëritje, pa fjalë që do ta rëndonin dhe do t`ia humbnin kuptimit poezisë, veç pse dhembja sillet në rreth, ik për një çast e prapë shfaqet, i kushtohet një personi, gjurmët e të cilit ai i gjen kudo të shikojë në udhët e Dumnicës së djegur deri në shtëpi të fundit nga armiku i vjetër yni, i përbetuar.

“sorra mos ma qoftë as ashtin në prishtinë

të dhimbshin sytë të bartja tërë ditën në shpinë

të të shikojë doktori me `i të folur tjetër”

ah nënë e mbushja me ujë kroi gotën e vjetër

prishtina afër nënë ti vajte dhe në amerikë

në stihinë e luftës zemra digjej me shtëpinë

më varrosni te fëmijët e mi te kodra e fjetur

më ka marrë malli për të dashurit e vdekur

Kot është zemra e njeriut nuk mund të ndihet e qetë larg atyre që i takojnë amshimit, kudo të jetë e ndien njëjtë dhembjen për ta dhe dashurinë. Ja pse, ky libër është i veçantë. Ndoshta, ky është njëri ndër librat e vetëm në letërsisë shqipe, i cili në tërësi i kushtohet darkës me nënën, drekës me nënën, mbledhjes së frutave me të, korrjes së misrit, korrjes së grurit, por pa e banalizuar për asnjë çast motivin e angazhimit të nënës në këtë rrjedhë. Libri i dytë është shkruar për një vit. Ka biseduar me ata që e kanë ngushëlluar, ka biseduar me ata që e kanë lexuar librin, ka gjetur detaje, kujtime, çaste të veçanta, të cilat i kanë ikur herën e parë. Tash shfaqen dhe më fuqishëm, në mënyrë të veçantë.

Libri ka faqe e përjetime të prekura me veçanti. Shtohen ditët e jetës pa nënën e dhembja ngel gjithnjë e njëjtë.

Koha ik e dhembja sa vjen e shtohet.

Në libër përdoren teknika të ndryshme të vargut, me rimë, pa rimë, përdoret një vargu, dy vargu, tre vargu, katërvargëshi. Shkrimi rrjedh në vargje të lira, por ka dhe sonete, kurora tingëllimash e me radhë. Autori e ka përdorur përvojën e vet të gjasë në krijimtari dhe me fuqi të rrallë ka krijuar një poezi, që do të mbahet mend për kohë të gjatë. Gjithnjë duke e apostrofuar të vërtetën që e afron secili detaj, gjithnjë duke e bërë të jetë i afërt dhe i ngrohtë brenda dhembjes që ndien dhe që e shpreh.

Ja pse pra poezia dhe dhembja janë një amshim i shkrirë brenda shpirtit, brenda poezisë së librit, njërit ndër librat më të veçantë të autorit.

ja nënë në këtë festë siç jam zotuar me lot

arrita mes dy gurësh në dumnicë tek vijë e ujit

në heshtje përgjërohem në dritën tënde në zot

e mungesa rëndë rëndë më shpërthen në gji

Poezia pa hamendje do të apostrofoj të ketë diçka të shenjtë në vete, diçka nga lart, ndërsa ajo sa herë lidhet, gërshetohet e bëhet një me dhembjen e dashurinë e krijojnë amshimin, pa të cilin shpirti nuk do të ndriste dot në kohë e hapësirë.

Asnjë herë dhe kurrë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...