Panairi i Librit nis rrugëtimin drejt dekadës së tretë - Bota Sot
Panairi i Librit nis rrugëtimin drejt dekadës së tretë

Libra

Panairi i Librit nis rrugëtimin drejt dekadës së tretë

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 23:59
Ilustrim

Ka hapur dyert të mërkurën në Prishtinë ngjarja më e rëndësishme që i dedikohet librit në vend, Panairi i Librit. Kjo ngjarje e organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës sivjet shënon edicionin 21-të. Në këtë panair po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, ndërsa numri i titujve të rinj vlerësohet të jetë mbi 1500, shkruan Gazeta “Zëri”.

Në hapjen e kësaj ngjarjeje kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, para të pranishmëve falënderoi të gjithë librarët, përkthyesit, shkrimtarët, redaktorët, korrektorët dhe lexuesit për përkrahjen që po i japin librit. “Të mbash gjallë e madje edhe më shumë të krijosh një ngjarje kulturore të rëndësisë së tillë është një fitore e madhe për një vend të vogël si ky yni. Të shohësh pa fund lexues, të cilët vijnë e vizitojnë Panairin përbën kryelajm dhe kënaqësi të jashtëzakonshme për ne. Kjo për të treguar se me gjithë sfidat e panumërta lexuesi është i vetëdijshëm dhe më i pranishëm se kurrë. Megjithatë është e pashmangshme për mua që të mos vë në pah një lajm të pakëndshëm që na u dha në fillimin e këtij viti. Agjencia e Statistikave të Kosovës dha një raport për rënien e 120 mijë lexuesve më pak në nivel vendi në bibliotekat tona publike”, theksoi në fjalën e tij Zeneli, duke u bërë thirrje të gjithëve që kanë në dorë fuqinë për të ndërmarrë diçka të veprojnë. “Bibliotekat tona janë në gjendje letargjie dhe rrjedhimsht edhe lexuesi nuk është i pranishëm. Shifrat që vijnë nga Panairi tregojnë në fakt se interesi sa vjen e rritet, por bibliotekat publike nuk e kanë vëmendjen institucionale që duhet ta kenë. E kuptojmë rëndësinë e rrugës, të asfaltit, por të mos harrojmë ndërtimin e rrugëve drejt dijes”, tha ai duke shtuar tutje se në mesin e shumë aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë Panairit është arritur që të botohen libra më shumë se ndonjëherë, ku të pranishëm janë rreth njëqind botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e diaspora.

Panairi është i hapur deri të dielën dhe ardhja e lexuesit sipas Zenelit është e çmueshme, sikundër e domosdoshme.

I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vlerësoi se momentalisht nuk ka veprimtari më me interes publik që është më vështirë të mbahet sesa botimi, mbajtja e interesimit të lexuesve dhe organizimi i një panairi të tillë. “Nuk ka nevojë ta falënderoni Komunën aspak e as Ministrinë, falënderimi kryesor sot i shkon Shoqatës së Botuesve, të cilët e mbajnë këtë nivel të librit në shtetin tonë. Shumë mirë që pjesën më të madhe të literaturës sot që janë të botuara në gjuhët e huaja, e kemi të botuar e të përkthyer sot në gjuhën shqipe dhe përveç kësaj e kemi një numër po ashtu të shkrimtarëve e të botuesve, të autorëve tanë, prej të cilëve i kemi edhe sot këtu me ne. Jam jashtëzakonisht i nderuar që sot në mesin tonë është Fatos Kongoli, shkrimtarin me të cilin jemi rritur, me librin ‘Ne të tre’, të cilën e ka lexuar çdo fëmijë në shkollat tona e deri te romanet e fundit. Po ashtu kam nderin që kemi edhe shkrimtarin Huan Asensio, po ashtu një shkrimtar i njohur në Francë në literaturën evropiane dhe tha se është i çuditur dhe i gëzuar që në Prishtinë e kemi këtë nivel të librit dhe të kulturës”, u shpreh i pari i Komunës, shkruan gazeta “Zëri”.

Fatos Kongoli e nderoi me pjesëmarrjen e tij Prishtinën, Panairin e mbi të gjitha lexuesin. Ai u shpreh shumë i gëzuar që pas shumë vitesh ka ardhur në Kosovë për një ngjarje të rëndësisë së madhe. “Jam shumë i gëzuar që ndodhem në Prishtinë pas shumë vitesh. Falënderoj Shoqatën e Botuesve që më dha këtë kënaqësi të madhe të marrë pjesë në këtë Panair. Jam shumë i prekur nga fjalët e mira që u thanë për mua këtu dhe shpresoj se ky të jetë një rast i lumtur për mua që të takoj lexues. E kam shprehur që unë personalisht i detyrohem Kosovës shumë, sepse jam ndier i mbështetur nga lexuesit këtu. Shpresoj që edhe kjo ardhje do të sjellë kujtime të mira, ngase edhe kësaj here vij me një roman ose libër të ri”, vlerësoi shkrimtari Kongoli.

Mysafiri Huan Asensio, shkrimtari francez, para lexuesit kosovar u shpreh falënderues për mikpritjen. “Do të dëshiroj t’i falënderoj të gjithë njerëzit që më kanë ftuar këtu, Shtëpinë Buzuku që ka publikuar librin tim. E kam shkruar një libër rreth Judës, para se të vija këtu bëra një shëtitje rreth stendave dhe librave, me të vërtetë më ka befasuar fakti dhe më pëlqeu se si përmes përkthimeve keni një jetë kulturore shumë të pasur, i kam parë emrat e shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë dhe është nder për mua të jem këtu”, tha ai.

Qemal Minxhozi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, e vlerësoi si një emocion të veçantë pjesëmarrjen në këtë ditë të dijes në Prishtinë. “Panairi në Kosovë ka filluar rrugëtimin në vitin e parë të dekadës së tretë. Kudo në Kosovë festohet njëzetvjetori, kurse këtu sot festohet 21-vjetori. Është diçka unike, e veçantë që Kosova në kulmin e luftës hapi për herë të parë panairin e librit shqiptar. Është panair i veçantë për faktin se është multidimensional, nga viti në vit rriten titujt e librave dhe sivjet arritëm në 1500 tituj. Themi ‘arritëm’ sepse e kemi të përbashkët arritjen, ku 60 për qind e shtëpive botuese, e lexuesve që kanë ardhur sot këtu janë nga pjesa tjetër e kufirit”, thekson Minxhozi që sipas tij, pas Tiranës Panairi i Prishtinës për të gjithë botuesit shqiptarë është panairi më i rëndësishëm ku merret pjesë.

Rikujtojmë se Panairi i Librit në Prishtinë është organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, ka filluar më 5 qershor dhe është i hapur deri më datë 9 qershor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...