Mesazhe dhe imazhe

Libra

Mesazhe dhe imazhe

Nga: Prend Buzhala Më: 25 qershor 2019 Në ora: 15:18
Foto ilustrim

Për poezinë e Nijazi Ramadanit te vëllimi THERRËZ, mund të themi që në fillim se njësoj i jep vend si poetikës, ashtu edhe mesazhit. Për deri sa te poetika ai përzgjedh thënien e dendur artistikisht e funksionale estetikisht, ter hapësira e mesazhit ai spikat kohët në përballje dhe vlerat e atdhesisë, njësoj si ato të dashurisë dhe refleksioneve mbi realitetet personale e ato nacionale që i jetuam e përjetuam.

1.  Semantema e letrës

Te dorëshkrimi i tij ai veçon Letrën, si referencë të krijimit, mesazhit dhe imazhit. Madje, fjala imazh, semantemë figurative e riardhur nga vëllimet tjera, shfaqet gjithnjë i ngurosur, i ngrirë. I palëvizshëm. Letrra dhe imazhi shpërfaqin a shënjojnë autonominë e lirikës, sipas atij parimit kantian, se vetë krijuesi është ai që i gjen normat, parimet e veprimit krijues personal. Në fakt, letërsia mund të "pavarësohet" nga realiteti (i jashtëm, nga shoqëria), ani se shoqëria dhe letërsia janë dy procese të ndërlidhura reciprokisht dhe gjenden në korrelacion të përhershëm, të pandërprerë. "Letra" quhet cikli i parë i librit. Letra, përgjithësisht, është referencë e punëns përkushtuese, e dëshmisë së gjallë, e aftësisë dhe dashurisë, edhe drejtësisë dhe shenjtërisë, e hirit dhe jetës së hirshme.

Më tutje na shfaqet poezia "Letra e gjallë", një si dialog i vijueshëm me nënën, me njësi biografemash lirike. Letra e gjallë është sinonim e personifikim i librave të shenjtë. Këtë shenjtëri urate e dialogu të përshpirtshëm, poeti e gjen te qenia e shenjtëruar që quhet nanë dhe e cila nuk njeh mort te kujtesa e të birit:

 

Mos e kujto atë që vajti

e iku përsëri Nanë

(...)

Tek e kaluara s’ka kthim

Vetëm paqja qoftë me Ty –

 I yti jam…

 

Edhe imazhi është një semantemë lirike qe së shenjtës. Te poezitë “IMAZHI I PASHLYESHËM” (Heronjt e janarit: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla), kujtesa vjen si përjetësi, pra, si diçka e vlerave të epërme, mu ashtu si është e shenjtë kujtesa për tre të rënët::

 

Në përjetësi

Vjen imazhi i tyre

Mbi ato rrasa guri

 

Në kujtesën tonë ajo ngjarje që la gjurmë në histori, vjen si “Imazh i pashlyeshëm janari”. Për, kushtimet e ndjeshme lirike vijnë për Ali Podrimjen e Adem Demaçin, dy ikona të letërsisë (i pari) dhe lëvizjeve kombëtare (i dyti). Poeti imazhin e ruan vetëm për njerëzit e zgjedhur. Ndër ta është nana (e shkruar në trajtën gege), si te poezia “Imazhi yt – nanë”. Paradigmat (burimi, prototipi) i imazhit vjen si një ikonë e shenjtëruar. Te vetë Perëndia ekzistojnë këto imazhe e paradigma, domethënë, e asaj bote që u krijua nga ai, botë e ngjashme me të, hyjnore dhe e pandryshueshme. Te kjo poezi imazhi lidhet me kujtesën e me dhimbjen.

 

2. Poetika e kujtesës

 

Poeti i ndan me ne kujtimet, në formën sublime të artit. Kjo kujtesë dhe kjo letër janë si një zemër që rrah pandërprerë (“Me ato që sjell vyrtyti im/ Ndjehem plotë zjarr në zemër”). Kujtesa është zemra e dytë e folësit lirik. Kurse poezia i zë ato çaste që nuk lejojnë të zhduken, ani se “Tek e kaluara s’ka kthim”. Janë kujtesa të zemrës që e mënjanon të ligën dhe e lartëson të mirën. Kësisoj edhe durohet barra e së kaluarës. Cassandra Clare, shkrimtare amerikane, te vepra e saj “Qyteti zjarrit qiellor”, thotë: “Ka kujtime që koha nuk i shlyen... Përgjithmonë nuk harrohet humbja, ajo vetëm sa bëhet e durueshme". Kurse poeti këndon :

 

Koha që s’kthehet më

Mes hijeve e kujtimeve

Fshihet dhimbja e dikurshme

 

Poeti nuk është ai që e kërkon të vërtetën. Ai dëshmon për këtë të vërtetë nëpërmes artit të fjalës. Dëshmon për të vërtetën e botës së tij të brendshme, jetës vetë. Kjo dëshmi e gjallë, si letër e gjallë, nis me vetëflijimin (poezia e parë) në do kohë të vështira:

 

Ma ndalën fjalën

Si ta nxjerrë frymën

 

Thash t’i bie vetës

E ta ndaj mes për mes

 

Kjo poezi, vjen si album i së kaluarës së dhimbshme. Rikthimet në kohë ndodhin tek të dy cikle: “Letra” dhe “Fryma e gjallë e nanës”. Kujtimet mbesin si një gur i gdhendur në kujtesë; kujtimet për nënën, për përjetimet në kohë, për dashurinë. Më ato nuk kthehen, thotë i ndërgjegjshëm folësi lirik (“Kujtesë që s’vdes kurrë/Në shpirtin tim“). As dashuria nuk gjendet më, por ajo mbetet si hije e gjallë. Jeta lëviz me rrjetin e viteve, vjen si rijetim ëndrrash. “"Gjërat zhduken pa lejen tënde, pastaj kthehen përsëri pa lejen tënde", thotë Kristin Cashore. Është kujtesa si ditar shpirti. Poeti arin t’i ndërlidhë historinë, kujtimet, të djeshmen me mitiken dhe bashkëkohoren. Poezia e Nijaziut krijohet në çastin kur ai e përqendron botëshikimin e tij te rrënjët e nacionales, te identiteti i fortë i vetvetes nëpër kohë, si bërthama që gjenerojnë vazhdimisht vlera shpirti, rrënjëzimi në kohë e vlera qëndrese:

 

Lumi nis të rrjedhë

Si një pikë uji në embrion

Lumbardh e bënë shtratin e vet

Me degën e vet

 

3. Testamentarja e vargut dhe kërkimi i çelësit të artë

 

E megjithatë poeti arrin të shkoqet nga ajo e kaluar, mbasi edhe e sotmja me gjërat e saj të përditshme, shfaqet si preokupim krijues:

 

Ndjehem i lumtur 

Me të gjitha rrjedhat

Me të gjitha mëngjeset

Kur fillon dita e re

Kur gjallëron e frymon

Liria në sytë e mi

 

Ndryshe, edhe Nijaziu përafrohet me ata poetë modernë të letrave tona që herë ligjërojnë me një tis apokaliptik për realitetin e herë me tone ekstatike për të sotmen:

 

Me ato që sjell vyrtyti im

Ndjehem plotë zjarr n’zemër

I rinuar mbi natën e zezë

I plotënuar në sytë e nanes

Në rrudhat e babait

Në ëndrrat e vëllezërve e motrave

 

Në jo pak poezi ai ka shqetësimin e vazhdueshëm për vargun dhe formën e tij, ka përpara shqyrtimin konstant për mundësitë që t’i krijon lirika moderne e vargut të lirë me gjatësi të ndryshme e me njësi strofike të ndryshme, me përvojat krijuese të poetëve të letërsisë sonë të sotme. Janë çastet personale që zhyten në thellësitë e kujtesës kolektive, çaste që poetizohen në mënyrë supreme, me një ligjërim që nuk imponohet. Kësisoj poezia e tij shqiptohet si dialog me të djeshmen e me të sotmen. Ndryshe nga jo pak poetë që shfaqin nihilizmin si botëshikim lirik, Niajziu këtë nuk e pranon; ai i thotë po edhe dhimbjes, edhe lumturisë. I pranon ashtu si t’i vijnë, ashtu si i jeton e përjeton. Jetës nuk i gjunjëzohet.

Nëse te Ali Podrimja shquan tragjiken e Lumit, te Dem Demaçi tragjiken e vetëflijimit, i shtrirë gjithandej si realitet tragjik e krenar edhe në kolektivitetin e kombit të tij; nëse te kujtesa për nanën ka shumë dhimbje e përkushtime vetëflijuese; apo te vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka edhe tragjedi nacionale; kjo do të thotë që poeti është i ndërgjegjshëm se nuk  ka tragjedi pa vlerë sublime.

Poeti është në kërkim të çelësit të artë për lumturinë fundore. Aty e ka edhe testamentin  tij të fundit. Fjalën si zjarr i pashuar testamentar, fjalën si zjarr të frymëzimit dhe përkushtimit poetik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat