U botua libri “Atje qirinjët i ndez dielli“

Libra

U botua libri “Atje qirinjët i ndez dielli“

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 15:43
Foto

Këto ditë doli nga shtypi libri i ri i Zef Mulajt

Lirikat e Zef Mulajt, të përfshira në këtë vëllim, pasqyrojnë vrullin, ndjenjën lirike, vargun abstrakt e të sofistikuar në metaforat e veta, që kompletojnë edhe më tej opusin krijues në sferën e poezisë lirike, aty ku “Ëndrrat bëhen udhëtare / Në pikun e lodhjes marrin udhën / E fundosen në kaltërsinë e Valbonës / Atje, afër qiellit…”. Në përgjithësi lirikat shprehin një hov, një ndjenjë, e cila manifestohet si ndijim shpirtëror, rrënjët etimologjike të vetë lirikave, me tablo nga Alpet Shqiptare, përkatësisht nga krahina e Valbonës dhe lumit me të njëjtin emër, ku “Nën hijen e atij qiellit blu/ lindi një luftëtar, bir i një bariu… / që vizatonte me vetëtima / ëndrrat për shtatoren e Lirisë…”.

Gjithsesi poeti ka krijuar individualitetin, duke e orientuar qasjen kah motivi, që materializohet në këto lirika poetike, herë – herë të ndjeshme dhe më tutje edhe të fuqishme. Lirikat e Zef Mulajt, janë ndjenjat poetike të shprehura përmes artit të poezisë, me ndijime gjithëpërfshirëse, veçanërisht në fushën e poezisë, që shprehin larmi ndijimesh e përjetimesh mjaft meditative dhe tejet impresionuese, sidomos atëherë kur bën përpjekje për ta shndërruar edhe lirikën poetike në “pentagram të Alpeve”.

Por njëjtësimi i vendlindjes me diellin, shpreh mallin që kanë poetët, të cilët atdheun e kundrojnë nga larg, e kur ndodh që poeti t’i ketë pasur bimët objekt studimi, ky mall, kjo metaforë dhe ky hyjnizim për Alpet, Valbonën, kthehet si lajtmotiv i poezisë, ku dëshmojnë vargjet: “Mbretëresha e alpeve të mia shqiptare / Valbonë!” ose “Në vendlindjen time, atje tek dielli…”

Po ngarkohet...

Në një plan, këto lirika janë edhe një diskurs në raportin me të gjitha ravijëzimet dhe përjetimet që e rrethojnë vetë poetin, si njeri, si qytetar dhe si intelektual. Pavarësisht mllefit për gjëra të caktuara poeti ka arritur me sukses t’i harmonizojë ndjenjat në raport me ndijimet, të cilat i perceptohen si zhvillime, e më pas duke iu dhënë motivin lirik iu jep vargjeve një lloj petku estetik për t’u pranuar, lexuar e komentuar pak më mirë, më përjetueshëm.

Ky libër ngjason në një ditar, që përmban lirika të strukturuara në poezi, të cilat shprehin ndjenjën e brendshme, që interpretohet si besim logjik në të bukurën, të cilën ia atribuon kryesisht zonës nga e ka prejardhjen, përmes së cilës ka krijuar peizazh sa artistik po aq edhe lirik, e në një plan tjetër, kjo lloj lirike e radhit poetin në autor, që Atdheut ia ka bërë autopsinë, pikërisht ashtu siç shprehet edhe vetë në poezi: “Unë ia kam bërë autopsinë / e kohërave atdheut tim…”.

Dimensioni i meditimeve poetike shkon përtej angazhimeve të tij ditore dhe pak më gjerë hapësirës shpirtërore, e cila shtrihet gjerë e gjatë në kufijtë etnikë e gjeografikë të tërësisë shqiptare. Por forma e qasjes sikur e bënë më karakteristike poezinë, të cilën e stilizon me elemente, siç thamë të veriut dhe trevës së Valbonës, duke krijuar kështu simboliken e krijimit lirik, si një botë hyjnore, si një ndjenjë shpirtërore, me të cilat poeti e sublimon angazhimin e tij në këtë fushë.

Atje janë yjet e ndezur
Shkoni atje
Atje dhe unë kam lindur
Vajzat më të bukura janë atje
Atje është
Valbona lumi im
Freskia e botës rrjedh atje
Atje është jeta më e bukur
Lulet mbijnë mbi gurë atje
Kush lindë atje bëhet poet
Atje sytë e vajzave janë si yje
Nëse shkon njëherë do mbetesh atje
E brenda teje përgjithmonë
Lumi do të rrjedhë
Natë e ditë yjet rrinë ndezur atje
Udhëtoni drejt yjeve.

Poezia: “UDHËTIM DREJT YJEVE”

Sipas kësaj, poeti lë për të kuptuar se udhëtimi drejt Valbonës është udhë që të mbetesh atje, jo nga tragjikja por nga mahnitja, nga bukuritë e zonës, por sidomos nga sytë e vajzave, që janë si yje magjepse, andaj nëse shkon njëherë, do të mbetesh përgjithmonë atje, e në anën tjetër, kush lind atje, bëhet poet. Janë specifika të zonës së virgjër ose vargjet e një dashurie të pashmangshme, sublimuese, një ndjenjë e thellë, metaforë e përsosur, me një frazeologji të stërholluar. Zef Mulaj, me këtë libër plotëson dhe kompleton edhe më tej gamën krijuese, opusin e tij lirik dhe krijues. Ky poet është i sinqertë deri në fund, në secilën fjalë, në secilin varg: “Për herë të parë në jetë / Ujë nga toka ime në Mërtur / Më kanë dhënë me një lugë druri”.

Këto ndjenja të brendshme vetjake, e bëjnë shpirtin e poetit më të ndjeshëm, ndjenjën e tij më përjetuese dhe mallin për atdheun edhe më ledhatues. Siç duket, malli i poetit është lajtmotiv që shprehet herë më hapur e herë më ndjeshëm, por përshkrimi i bukurive nga zona e tij dhe atributi, që ai u jep atyre bukurive, qesin në pah dashurinë lirike, që ka për vendin dhe atdheun në njërën anë, kurse në anën tjetër, del më hapur lidhja e tij shpirtërore me vendlindjen dhe atdheun, të cilat në përvijim kohërash, është detyruar të jetojë dhe veprojë larg, larg diku përtej detit! Ky realitet poetik e lirik dhe ndjesor, ka ndikuar që poeti të bëhet edhe më lirik, më sensitiv, dhe të ketë një dimension më të zgjeruar në aspektin emocional, me ç’rast ka gjetur shprehje më të përjetuara.

Ky element lirik dhe meditativ është një formë, është një mënyrë, për të krijuar lirika të mira me ide dhe ndijime poetike, të harmonizuara, për t’u përjetuar mjaft mirë. Atdheu, përkatësisht, Shqipëria për poetin është ndjenja dhe kuptimi i jetës, kuptimi i angazhimeve poetike. Por nëse shikohen edhe më thellësisht ndijimet dhe ndikimet e kësaj lirike, sikur të gjitha udhët na shpien për në Valbonë, dhe jo vetëm “Kush lindë atje bëhet poet”, por „Ka një emër ky lumi, ”Valbonë”, me “emrin tënd sa njerëz pagëzuar janë”?!

Simbolikë shumë e fuqishme, madje do të themi deri në hyjnizim, për të cilën nuk kursehet aspak, duke u shprehur se “Ti je lumi i Perëndisë së Alpeve”. Gjithsesi, lirikat poetike artikulojnë artistikisht mendimin poetik e filozofik të poetit, ndërsa struktura e vargut duket sikur lëshojnë tinguj të harmonizuar, një refren i magjishëm përplot ndjenja e përjetime të shkruara me gjetje poetike, që japin figuracione artistike mjaft mirë të realizuara. Ta zëmë në poezinë “Mos i falni malet?!”, ai bëhet kryq mbi fatkeqësitë?! Duket sikur është i ndikuar nga një veprim i vrazhdë politik, prandaj poeti këlthet, “mos i falni malet”! Refren ky që komunikon drejtpërdrejtë me një aktualitet në Kosovë, ku paria e atjeshme politike falte toka, madje edhe ato, ku janë varret me kryqe përmbi gurë!

Mos m’i falni malet
Mos ma shteroni kroin tek lisi i njomë,
Aty kam varrin me kryq përmbi gurë
Malli i falur nuk bën dobi…

Kroin e ftohtë ma thajnë
M’i rrëzojnë çetinat, më shkelin barin,
Ma prishin varrin me kryq
E gurin e shqiponjës dikujt ia falin.

Arat e shtëpitë
Nën hijen e maleve marrin frymë
Lisat mbi varret e gjyshërve Kanë mbirë.

Mos m’i falni malet.
Se kockat e gjyshërve nga varret do të dalin!

Poezia: “MOS I FALNI MALET”

Në këto rrethana, shtrohet pyetja cili është roli i poetit në raport me lexuesin, përveç atij të misionarit lirik, për të harmonizuar ndjenjën, ndijimin me perceptimin artistik të vargut dhe poezisë si tërësi lirike, e cila ndërlidh poetin me lexuesin, që po i afron mesazhe përplot jetë e gjallëri, përplot optimizëm, për jetë më të mirë, sepse siç shkruan ai: “Turmat thërrasin: / Duam ura… me këmbë / Për të lidhur brigjet tona / Të ndara!“.

Atdheu, zona dhe vendlindja, për secilin poet janë inspirime artistike, prandaj edhe për Zef Mulajn si poet, vendlindja është burimi i ndjenjave të pashtershme, ndërsa lirikat e këtij libri e kthejnë poetin atje ku ka nisur mërgimi i tij, qoftë drejt qendrës urbane, apo përtej detit, në atdheun e dytë, nga i cili në mënyrë metaforike, si në kuajt e ëndrrave e kthen lirikën atje, ku i buron frymëzimi, sa rrëqethës po aq drithërues, duke e bërë poetin vizionar, i cili iu bënë thirrje poetëve:

Flisni e mos heshtni miq poetë
Bashkohuni e dilni edhe në rrugë,
Flisni e këndoni për shpirtrat e lënduar
Psalme thurni për shpirtrat e paqetë!

Flisni me gjuhën e njeriut për njeriun
Bashkoni vargjet e këngës së zgjimit,
Zgjojini nga gjumi shpirtrat e paqetë…
Flisni e mos heshtni, miq poetë.

Poezia: “ZGJOJINI NGA GJUMI”

Ndërsa në poemën “POETËT”, këtë thirrje lirike e zhvillon më tej, duke i zbërthyer mjaft aspekte, që përcaktojnë rolin e poetit në shoqëri: “Mplaket fjala, mplaket koha / Mplaket ligji, mplaket pushteti / Mplaket guri, plaket muri i kullës / Mplaket edhe liria, mplaket edhe Zoti / Ndaj rebelohet poeti”. Nga kjo poemë na shfaqen fytyrat lakonike të poetëve, melankolia e tyre, shpirtbutësia, ndjesia dhe tiparet humane e hyjnore, që poeti ua atribuon poetëve, duke i cilësuar si krijesa hyjnore me përmasa përrallore, që shpeshherë na duken sikur janë Zotat e tij, të mi, të të gjithëve. Një element i dukshëm i këtyre lirikave janë gjetjet poetike, temat e trajtuara, aspektet figurative, lidhjet ideo-emocionale, përplot mesazhe të qarta, të cilat kryesisht trajtohen në aspektin pozitiv, duke i dhënë emocion artistik jetës, poezisë dhe motivit që trajton, për t’u bërë dritë magjike dhe në aspektin meditativ, lirika përjetuese njëkohësisht!

Këto elemente i gjejmë nëpër poezitë e këtij libri, që për disa nuanca po i veçojmë disa: “Rrëfim i vështirë”, “Lotët e ikjeve”, kushtuar arbëreshëve, “Valët e lumit”, “Nesër në Sheshin Shën Pjetër”, “Mbi fytyrën e gurëve”, “Dy kohët”, “Dhembja e papritur e një gruaje”, “Urat”, “Zogu në fluturim”, etj. Lirikat poetike, janë vargje melankolike, drithëruese dhe përjetuese me një ritmikë të harmonizuar dhe me një mendim të peshuar, për të përcjellë mesazhin ideoartistik sa më besnikërisht tek lexuesi.

Një lloj përkufizimi që shtjellon përpjekjen artistike dhe detyrën poetike, për t’i shërbyer shoqërisë dhe njerëzimit, ndërsa si lexues i rëndomtë, të pushton ndjenjat dhe qetësohet shpirti, sepse konstruksioni artistik është i tillë, e lirikat marrin dimension në aspektin ideoartistik, pasi në shumë plane ka prekur tërësinë e përditshmërisë, të cilën e përshkruan me mjete të thjeshta, por ndërton mendim artistik të vyeshëm dhe motivues.

Ëndrrat e grave janë si lulet me shumë ngjyra
Si reaksionet atomike në shpërthim,
Në dhimbje të papritura kthehen
Kur vajzërinë e humbin në pabesim.
Dhimbja e papritur e një gruaje
Si zëri i fëmijës, kur sapo lindë.

Poezia: “DHIMBJA E PAPRITUR E NJË GRUAJE”

Vargu lirik i Zef Mulajt, janë lirika, përkatësisht mendime të konsoliduara, të ndikuara kryesisht nga pasioni i tij për bimët, në të cilat një pjesë e motiveve i gjen pikërisht “në rrënjët e lisave të bjeshkëve”, “Në rrënjët e lisave të lashtë krye ulur”, “Në rrënjët e lisave shekullorë”, ose në “Rrënjët e rrushit buzë përroit / të thatë”, “rrënjët e luleve”, a të drunjve e bimëve të tjera, me pikasje të atyre elementeve, që e karakterizojnë zonën me të cilat mburret poeti, e për shumë doke e zakone të tjera, ai shpreh nostalgji të vazhdueshme. Përpjekja e autorit për të ndërtuar lirika meditative dhe mbresëlënëse duket se janë elemente, që e karakterizojnë ndjenjën e poetit, andaj ai paska zgjedhur figurat dhe simbolet e tij, për t’i shtjelluar disa fenomene të përjetuara ose të imagjinuara.

Këto lirika mbresëlënëse e plotësojnë edhe më tej angazhimin e autorit në studime dhe hulumtime në fusha të tjera, duke e kompletuar edhe më mirë personalitetin krijues të Zef Mulajt!

Shefqet DIBRANI, St. Gallen, qershor 2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat