Publicisti Fatmir Z. Çitaku lexuesve po u dhuron librin e radhës “Çitakët përgjatë kohërave të historisë”, - Bota Sot
Publicisti Fatmir Z. Çitaku lexuesve po u dhuron librin e radhës “Çitakët përgjatë kohërave të historisë”,

Libra

Publicisti Fatmir Z. Çitaku lexuesve po u dhuron librin e radhës “Çitakët përgjatë kohërave të historisë”,

Nga: Zymer Mehani Më: 23 tetor 2019 Në ora: 16:35
Balina e librit

Poeti dhe publicisti Fatmir z. Çitaku këtyre ditëve para lexuesve po del me librin e tij të radhës “Çitakët përgjatë kohërave të historisë”, një monografi që flet për rrugëtimin e Çitakëve gjatë shekujve.

Meqenëse prej një kohe relativisht të gjatë autori i është rrekur punës për të mbledhur material, si biografi  historike e gojëdhëna  prej të parëve të Familjes Çitaku dhe të dhëna tjera për vazhdimësinë e jetës së kësaj Familjeje nëpër kohë, ai vendosi që materialin e  grumbulluar ta jetësoj me një libër, që do të jetë kronikë, njëfarë ditari, pse jo edhe monografi,  ku do të përshkruhet historia e  Familjes së gjerë Çitaku, në kushte dhe rrethana nga më të ndryshmet, në mjerimin,  dhunën  e përndjekjen nëpër kohë nga pushtues të huaj të truallit amtar.

Libri ka për qëllim t'i kujtojë dhe të mos i lërë në harresë të gjithë ata persona, të gjallë e të vdekur, të paimagjinuar, por realë, të ditur, të mbajtur mirë mes vete me vullnetin e pashoq, të guximshëm, të drejtë e mbi të gjitha njerëzorë, ngase brez pas brezi gjer në ditët e sotme, vunë para vetes interesin e përgjithshëm kombëtar, duke sakrifikuar në rrugëtimin për të jetuar e vepruar, në funksion të mbijetesës. Ishin  këta  njerëz, që pa rezerva,  me mund  dhe pa kurrfarë  kompenzimi   material apo financiar, u përpoqën  dhe ia arritën qëllimit që t’u përshtaten  rrethanave të  kohës, gjithnjë duke i kushtuar kujdes zhvillimit të intelektit.

Mendojmë dhe jemi të bindur  se  lexuesi në këtë libër  do të gjejë emrat, biografitë  dhe  veprimtaritë e të gjithë atyre personave të respektuar nëpër kohë, që bënë aq sa mundën, në kushte të jashtëzakonshme, duke vepruar dhe duke gjetur mënyrën e mbijetesës, duke shpëtuar kështu nga  zhbërja, dëbimi dhe asimilimi kombëtar që u kanosej  nga okupatori shekullor. Ata meritojnë mirënjohje, respekt dhe lëvdata.

Autori ka deklaruar me modesti se bëri vetëm një hap, i cili do t’i hapë shtigjet dhe do t’i thyejë barrierat e heshtjes nëpër kohë, ngase nëpërmjet këtij libri do të dalë në pah e vërteta e rrugëtimit të Çitakëve nëpër kohë. Koha do të jetë ajo që prapë, në një moment të caktuar do të tregojë se a është me ne apo kundër nesh, në përpjekjet tona për të qenë apo për të mos qenë ata që jemi.

Po ashtu jemi të mendimit se iniciativa e autorit Fatmir Çitaku për botim të këtij libri është një urë lidhëse për të gjithë Çitakët kudo që janë, të cilët të gjithë janë të mobilizuar për ta realizuar botimin e librit, për çka autori u është falënderues,  që  gjetën  kohë dhe me kontributin e tyre ndihmuan për ta botuar librin e  shumëpritur  ''ÇITAKËT PËRGJATË KOHËRAVE TË HISTORISË”

Në librin në fjalë kemi mjaft të dhëna interesante, karakteristika të përgjithshme të Llapit e Drenicës (Podujevës, Skënderajt) dhe fshatrave, ku jetojnë Çitakët, si Bajçina, (Llap) Baja, Çitaku. Çubreli, Leçina etj (Skënderaj)  dhe gjithandej ku ata gjinden.

Vlen  të theksohet se  Familja  Çitaku është një familje prej më të mëdhave, qysh prej kohërave të mëhershme, edhe pse e shpërndarë nga të parët e tyre të Llapit e të Drenicës, nëpër vendet, ku sot jetojnë.

Me ardhjen e Perandorisë Osmane (1384) dhe të hordhive të mëvonshme bullgare, serbe dhe kryesisht sllave (1900-1999), në rajonin e Llapit,  duke filluar nga fshati Bajçinë, janë shpërngulur  shumë familje shqiptare (edhe familja Çitaku) dhe kanë depërtuar nëpër vende e qytete tjera, si në  Podujevë, Prishtinë, Novobërdë, por  disa familje kanë emigruar edhe në Turqi në kohë të mëhershme (1958).

Kjo dukuri e zymtë dhe e hidhur për shqiptarët përgjithësisht dhe për Çitakët në veçanti përsëritet edhe në kohën e Luftës së Parë Botërore (1914-1918), kur Familja Çitaku kishte humbur bij e bija, por edhe ishin ndarë shumë pjesëtarë të familjes duke kërkuar  vende tjera më të sigurta…  Çitakët gjatë asaj periudhe ishin në shënjestër të hordhive sllave, ngase armiku synonte që t’i largojë nga tokat e veta shekullore, si në Drenicë, ashtu edhe në Llap, ku  u luajt loja e mjerimit, e varfërisë, e përndjekjes, e persekutimit, vetëm e vetëm për t’i dëbuar (shqiptarët) nga tokat e veta shekullore.

Autori u referohet tregomeve të të parëve të Llapit, ku thuhet se shumëherë është dashtë për t’i larguar meshkujt nga shtëpia (fshati e qyteti) dhe për të qëndruar larg shtëpive, derisa të kalonin ekspeditat e asaj kohe, që i vrisnin meshkujt shqiptarë.

 Mësohet se edhe gjatë viteve ’20 të shek. XX Çitakët e Llapit kishin probleme të mëdha dhe të pareshtura me okupuesit sllavë, pasi që çdoherë shqiptarët vendës, edhe Çitakët, okupatori orvatej t’i skllavërojë, por edhe t’i dëbojë nga vatra e vet shekullore.

  Çitakët e Llapit, nga viti 1927 e tutje fillojnë të largohen pjesërisht nga Bajçina për në Prishtinë. Ata gjatë viteve 1923, 1927 e 1958-59 vazhdojnë emigrimin dhe largohen nga trualli amtar, duke marrë rrugën për në Turqi, gjithnjë nën represaljet e sllavëve. Më vonë, një pjesë e Çitakëve të Bajçinës kalon edhe në Podujevë, në Prishtinë e gjetiu, pas humbjes së meshkujve, të familjarëve gjatë Luftës së Parë e të Dytë Botërore.

Në  rajonin e Drenicës, Çitakët janë ngulitur në  fshatin  Bajë, e që prej andej janë larguar tërësisht dhe kanë kaluar në fshatin Çitak, Çubrel, Baicë, Leçinë  dhe  disa familje janë zhvendosur në Kerninë  të Istogut, në Mitrovicë e gjetkë. Më pastaj, Çitakë ka edhe në Pejë dhe nëpër trevat tjera shqiptare, si në Maqedoni, Preshevë dhe në vendet e Perëndimit.

E veçanta e gjithë kësaj është marrja e iniciativës për ta bërë një libër për Çitakët, me qëllim të bashkimit të tyre ngado që janë, pavarësisht vendit se ku kanë jetuar në të kaluarën e ku jetojnë tani.

Historia e Çitakëve është aq e lashtë, saqë është bukur vështirë për ta përmbledhur në një libër. Por, autori Fatmir Çitaku me të drejtë mendon se nëpërmjet këtij libri do ta shpëtojmë nga harresa njohjen dhe rrugëtimin e të parëve tanë (të Familjes Çitaku) përgjatë historisë.

Për ta sjellë një libër të tillë, i cili flet për historinë e lashtë të Çitakëve dhe rrugëtimit të tyre nëpër kohë, thotë autori, me doemos na ka ndihmuar uniteti dhe hapja e zemrave bujare e të gjithë Çitakëve, që me grumbullim të materialeve, fotografive e shënimeve të ndryshme kontribuan dhe bashkëpunuan me përkushtim me inicuesin e këtij projekti, duke e kompletuar aq sa ishte e mundshme me të dhëna e shënime për të parët e Çitakëve.

Me fillimin e hulumtimit dhe të kërkimit të rrugëtimit të Çitakëve  nëpër kohëra,  si në Llap, ashtu edhe në Drenicë e nëpër vende tjera,  gjithandej ku ka Çitakë, jemi munduar t’i  gjejmë të dhënat   bazike e historike për të parët e Çitakëve, tregon autori Fatmir Çitaku. E gjithë kjo punë është arritur me bashkëpunim dhe ndihmë të vetë Çitakëve.

Sipas  të  gjitha shënimeve  e materialeve të grumbulluara për të parët tanë, na tregon autori, kemi arritur të mësojmë se Çitakët kanë pasë  një rrugëtim  shekullor, duke ruajtur nderin, emrin dhe traditën, gjithnjë duke pasë parsysh  kohën e  egërsirave, që asnjëherë s’i kanë lënë të jetojnë të lirë në tokat e veta. Kjo do të thotë se Çitakët kanë jetuar nëpër kohëra, kur çdo gjë ka qenë kundër emrit shqiptar, pavarësisht se ku kanë jetuar.

Çitakët ishin familje e madhe, e ndarë, e përndjekur, që kanë  ruajtur lidhshmërinë dhe kanë qenë të  lidhur shpirtërisht, duke ruajtur  rrethin, fjalën e besën, si dhe duke mbetur vëllezër  të pandashëm dhe  të përkushtuar ta mbajnë vetën larg  çdo gjëje  që ka mundur t’i lëndojë, përçajë e t’i thyejë mes  vete, pavarësisht se ku jetuan  dhe nëpër cilat katrahura  kishin kaluar.

Duke dashur që ta hedhim në dritë të vërtetën e rrugëtimit të Çitakëve nëpër kohë,autori fatmir Çitaku ka punuar me një përkushtim shumëvjeçar, e sidomos nga vitet 1975/76, po ashtu në këto vitet e fundit, që nga paslufta (1999) e deri më sot, ngase ka qenë ëndërre tij ta vë në pah këtë rrugëtim të Çitakëve, që jetuan në trojet shqiptare, të ndarë e të përndjekur nga hordhitë e represaljet nëpër dekada e shekuj.

Gjatë tërë këtyre viteve autori Fatmir Çitaku ka arritur të mbledh shënime, biografi, fotografi e tregime historike, që të parët kishin lënë brez pas brezi, e që për fat të keq s'kishin pasë mundësinë asnjëherë t’i shkruajnë e t’i përmbledhin dhe botojnë në ndonjë libër.

Me  pamundësi për të shkruar nga represaljet, përndjekjet, vrasjet, internimet, shkatërrimet e nga gjenocidi nga armiqtë shekullorë,  e  po ashtu  edhe nga  qarqet e historitë  imponuese  e joreale,  Çitakët  mbetën  shumë mbrapa, duke mos  pranuar të luajnë nëpër lojërat e historisë e të historianëve, ngase ata historinë e shkruanin për interesa materiale e jo për të vërtetën.

Edhe në kohën  e mëvonshme të komunizmit Çitakët s'lejuan  asnjëherë  që  të dalë dikush e të shkruajë për familjen  e madhe të  tyre,  e cila  ishte  dhe mbeti me identitetin Çitaku, pa hyrë në imtësira, siç janë fiset, bajraqet etj., ngase ruheshin shumë nga dukuritë e shëmtuara të historianëve komunistë, që punonin për pushtetin, lajkatarë e të shitur. Nga kjo dorë e trathtisë vrastare mbi popullin e kombin, Çitakët mbetën larg historisë së shkruar, pa arritur që të vërtetën e tyre ta vëjnë në një libër, apo ta mbajnë një histori të shkruar diku.

 Paraardhësit e Çitakëve ishin autoktonë në trojet shqiptare. Ata jetuan me shekuj në trojet e veta. Me ardhjen e turqve (osmanëve), u ushtruan represalje të njëpasnjëshme mbi ta.

Thuhet se tre vëllezërit Çitaku ndahen, ku sipas të gjitha tregimeve del se ishin mobilizuar në ushtrinë osmane për t’i shpëtuar regjimit sllav,   që asokohe eliminonte çdo shqiptar, kudo që e gjente.

 Sipas  gojëdhënave, po ashtu  thuhet se  që  nga  ajo kohë, ata mbesin të ndarë e të  humbur larg njëri-tjetrit, ku më vonë  kuptohet  se  të tre vëllezërit Çitaku vendosen nëpër trojet, ku jetojnë e veprojnë  ende edhe sot e kësaj dite, d.m.th., njëri në Drenicë,  tjetri në Llap  e për vëllanë e tretë, tregohet  se shumë vite më vonë ishte zhvendosur në Shqipëri.

Pavarësisht se si ka qenë e vërteta, autori Fatmir Çitaku në libër sjell vetëm ato gojëdhëna, që kanë mbetur si histori e pashkruar, ku gjithnjë u referohet pleqëve që i kanë treguar.

Me bashkëpunimin e Çitakëve, me bisedat dhe takimet  e shumta, gjatë  muajve  shtator 2018  e deri në tetor 2019, autori Fatmir Çitaku  ka ndërmarrë iniciativën për të nxjerrë këtë libër dhe me angazhimin dhe përkrahjen e tyre u arrit që të mirren shumë shënime, biografi e foto për Çitakët që nga kohërat më të lashta, që flasin për ta.

Me hulumtimin e trevave shekullore, ku kanë jetuar Çitakët, të ndarë e të përndjekur autori Fatmir Çitaku ka siguruar material (shënime, biografi, foto, ngjarje të rrëfyera e tregime), nga të cilat del në pah se Çitakët ishin një familje e madhe, që e ruajën me dinjitet emrin e vet dhe lanë pas vetes një familje shumë kompakte, e cila ishte dhe vazhdoi të jetë familje e madhe me doke, zakone dhe tradita kombëtare e atdhetare.

Për të mbledhë shënime, fakte e foto nga aautori Fatmir Çitaku është dashtë të vizitohen të gjitha vendet, trevat ku kanë jetuar dhe jetojnë Çitakët. Në  fillim është  vizituar Bajçina, më pastaj  kemi  bërë vizita  edhe   në Drenicë, ku është vizituar fshati Bajë e Runikut (komuna e Skënderajt), në të cilin kanë jetuar të parët e Çitakëve të Drenicës, më pastaj është vizituar fshati Çitak dhe të gjitha fshatrat, ku jetojnë  Çitakët në komunën e Skënderajt.

Me inicimin për përpilim të librit për Çitakët, së pari është kërkuar të mirren shënime e njohuri nga pleqtë e Çitakëve, ku për fillim është organizuar takimi me Pleqtë në Bajçinë. Menjëherë, pas hapjes së faqeve nëpër rrjete sociale, autori Fatmir Çitaki ka komunikuar me shumë pjesëtarë të Çitakëve. Nga dalja në terren autori është takuar me Nazif (Ahmet) Çitakun dhe Ibrahim (Xhemail) Çitakun. Në fillim janë takuar në qytetin e Podujevës e pastaj kanë shkuar tri herë rresht tek Ibrahim Çitaku, ku është biseduar për librin. Gjithnjë në çdo takim kanë qenë së bashku kushërinjtë Nazifi dhe Ibrahimi.

Në ditën e parë, kur jemi takuar, kemi marrë një material me shkrim nga axha Ibrahim, po ashtu edhe nga axha Nazif Çitaku. Po ashtu, kemi pasë takime e debate edhe disa herë rresht, por materiale tjera s'më janë ofruar, thotë autori i librit, Fatmir Çitaku.

Vizitë  I është bërë  edhe  komunës së Skënderajt, më  saktësisht fshatit Bajë, ku kanë qëndruar  në kohërat më të lashta Çitakët e Drenicës, pastaj në fshatin Çitak te Runiku, në fshatin Leçinë, te Padalishta, në Çubrel, Bajicë, Brojë, në Kërninë etj. Gjatë takimeve është biseduar për jetën e Çitakëve në ato treva.

Fshati Bajë prej autorit Fatmir Çitaku është vizituar dy herë, me qëllim që të mblidhet material sa më i gjerë, të cilin edhe arriti ta sigurojë nga z. Fatmir Çitaku i fshatit Bajë. Me këtë rast, është biseduar edhe për dy familje të Çitakëve, që ishin larguar nga Baja për t’u ngulitur në një fshat tjetër, por që për këtë rast është ngelur pa informacion të plotë, vetëm dihet se në vitin 1941 ishin rikthyer në Bajë dhe sot jetojnë në fshatin Çitak. Po ashtu janë vizituar edhe rajone e qytete tjera, ku ka pasë Çitakë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat