Bashkim Saliasi, shkrimtari që i bën skaner shoqërisë

Libra

Bashkim Saliasi, shkrimtari që i bën skaner shoqërisë

Nga: Nuri Dragoj Më: 25 tetor 2019 Në ora: 11:41
Nuri Dragoj

Libri me skica dhe tregime i autorit Bashkim Saliasi, titulluar “Pse gjyshi lexon librat e mi”, redaktuar nga shkrimtari Kadri Tarelli dhe me parathënie të penës së njohur letërsisë për fëmijë, Viron Kona, është një prurje e re në letërsinë shqipe.

Autori di të flasë me gjuhën e fëmijëve, të dialogojë me ta, duke hyrë thellë në botën shpirtërore të tyre, të zbulojë çfarë dinë dhe pyetjet e pafundme për të mësuar më shumë. Çdo tregim i tij përcjell një mesazh, sepse qëllimi i autorit është të fshikullojë veset dhe të kultivojë virtytet, jo thjesht tek fëmijët, por për gjithë shoqërinë. Ai ka ditur të na jap me elegancë dhimbjen e shqiptarëve për shkak të ikjes masive, të braktisjes së vendit dhe familjes, të mbetjes së të moshuarëve pa fëmijë, pa mbështetje shpirtërore dhe ekonomike. Pleq që e mbajnë kokën nga dera, me shpresë se mund t’ju trokasë ndonjë prej bijëve, të tjerë që vdesin në vetmi apo gjenden të pajetë dy - tri ditë, pasi kanë dhënë shpirt. Fëmijë që fluturojnë përtej oqeanëve me mendjen pas, apo pa dashur të dinë për prindërit e vetmuar... Ikin dhe vetëm ikin. Jo gjithmonë ngaqë nuk kanë punë, jo për bukën e gojës, si dikur, por për të rendur drejt të padukshmes, të panjohurës, duke shpenzuar mijëra dollarë a euro. I tillë është tregimi me titull “Amerikani”.

Shkrimtari Bashkim Saliasi di të tregoj. Shumë ngjarje nga jeta ka mundur t’i hedhi në art, për t’i bërë pronë të gjithë shoqërisë. Këtë e sheh si obligim qytetar, ndaj dhe tregimet e tij janë konçiz, të thellë në mendim, dhe që lexohen më një frymë. Nëpërmjet humorit, Saliasi di të fshikullojë gabimet njerëzore, papjekurinë e groteskun e të rriturve që guxojnë të dërgojnë fëmijët natën në pyje, përballë kafshëve të egra, por edhe tendencën njerëzore për të përfituar, lakminë dhe indiferencën ndaj asaj që quhej “pronë e përbashkët”, por që nuk ishte e askujt, efektet negative që përcjell varfëria, gjetjen e rrugëve banale për të ruajtur pronën etj. Kjo duket qartë ne tregimin “Kush e hengri misrin”.

Shkrimtari na sjell në kujtesë kohën e vështirë gjatë sistemit të quajtur socialist, kur transporti i udhëtarëve ishte kthyer në makth. Kishte trena udhëtarësh që lëviznin në orare të caktuara, por qenë të rrallë. Autobuzat ishin të paktë, në një kohë që numri i udhëtarëve vinte në rritje. Jo më kot. Njerëzit duhej të lëviznin sa më pak. Kërkohej vetëm punë. Orë të tëra në pritje. Indirekt autori na zbulon dhe “korrupsionin”. Ai qe prezent, si pjesë e ndjenjës së njeriut, pavarësisht nga përmasat. Shembull për këtë ishte punonjësi i axhensisë. Përshkruan vështirësitë e udhëtimit mbi karrocerinë e makinave, në të ftohtë e pluhur. Por jo vetëm kaq. Në rrethet kufitare hasje dhe probleme të tjera. Kishte shumë kontroll. Njerëzit që ishin të panjohur për policinë, shiheshin më dyshim dhe shpesh përfundonin në Degën e  Punëve të Brendshme. Qëndronin atje, derisa të sqarohej çështja. Nuk duhej të dilte asnjë nga gardhi i thurur me tela me gjemba. Ndaj Bashkimi na prezanton tregimin, “E gjeç nga mos e pandefsh”.

Në tregimin “E dua jetën”, autori na sjell në vëmendje marrëzinë shqiptare të vitit 1997. Ishte armatosur tërë popullsia për shkak të rënies së shtetit pas rrëzimit të firmave piramidale. Erdhi një ditë e çmendur, kur njerëzit u pajisën me armë, sa të hapësh e mbyllësh sytë. Grupe qytetarësh rendnin drejt reparteve ushtarake dhe merrnin prej andej ç’të mundnin: Kallashnikov, karabina, kondratank, topa, arka me municion, granata, flakhedhëse e lloj-lloj armësh. Ishte rrëzuar tërë ngrehina e shtetit. Armët ishin sheshit. Zbrazeshin drejt qiellit pa pushim. Breshëri automatikësh, të shtëna topash, luftë e vërtetë. Jeta qe paralizuar. Për shkolla asqë bëhej fjalë. Vdekjet shiheshin si diçka e zakonshme. Në varreza vinin kryesisht të rinj, të vrarë kushedi për ç’shkak, apo pa asnjë shkak.

Qenë hapur burgjet dhe tërë të burgosurit ishin të lire. Lëviznin me automatik në krahë. Shqipëria kishte hyrë në një luftë të çuditshme, vëllavrasëse. Thuhej se njerëzit qenë çmendur dhe ishin sulur për të rrëmbyer armë. Flitej dhe për pirje gjaku. Kanibalizëm. Qe prishur dynjaja. Vërtetë bënin shqiptarët veprime të tilla? Televizionet e huaja jepnin të rinjë e të vjetër hipur në tankse që lëviznin lirisht shesheve. Të tjerë me antitank në krahë. Diku qëllohej me flakëhedhëse. Rreziqet ishin ngado, nga plumbi, predha, zjarri, pabesia. Njerëzit dukej sikur kishin fituar “liri absolute”. Lëviznin me armë në krahë rrugëve të kryeqytetit dhe kudo tjetër në Shqipëri, sidomos në qytetet e jugut. Fëmijët shtinin pa pushim në ajër. Ndiheshin trima dhe të burrëruar. Filloi të lulëzonte krimi në rrugë. Vrasjet ishin temë e ditës. Grabitjet me armë bënin kërdinë. Ecje rrugës dhe mund të shihje gjurma gjaku. Gëzhojat popullonin trotuarët. Vriteshin njerëz direkt, por dhe pa dashje, nga rikoshetat e plumbave, apo fluturimi i tyre “në rrugë të gabuar”. Policia gjyqësore qe shuar, prokuroria ishte strukur në qoshe të vetë. Çdo ditë shihje turma njerëzish që shkonin përr në varreza me arkivol të kuq në krah. Ecnin me heshtje varri. I lusnin zotit, por kishin frikë se nuk i dëgjonte. Njerëzit kishin nevojë. Duhej të siguronin bukën. Qenë të sëmurë e kërkonin ndihmën e familjarëve, të cilët lëviznin “me kokë në torbë”. Kjo ishte gjendja në popull. Ndaj me të drejtë autori e mbyll tregimin me shprehjen “E dua jetën...ajo është e shtrenjtë.

Autori është njohës i mirë i jetës. E di që nxënësit e kanë pakësuar dëshirën për të mësuar, që ka mes tyre të sjellshëm e të pasjellshëm, që duan të dëgjojnë mësuesit apo të bëjnë zhurmë në orën e mësimit, të shkëlqyer në mësime dhe të dobët, ku nuk mugojnë dhe ata që nuk dinë të shkruajnë emrin e tyre. Dhe ndihet keq për gjendjen e krijuar. Për të ardhmen e Shqipërisë. Për jetën e këtyre të rinjëve, sepse pa dije nuk ka përparim. Por në tregimin, “Mësuskat”, Bashkim Saliasi na shfaq një tjetër pamje të shkollës së ditëve tona. Atë të mungesës së mësuesve, jo në numër, por në aspektin profesonial, të edukatës. Bëhet fjalë për atë kategori të shoqërisë që do të përgatisë të ardhmen. Është zhvlerësuar arsimi në Shqipëri. Për mësues dërgohen nxënësit me mesatare më të ulët. E çfarë mund të pritet pas kësaj? Duke lexuar librin e Saliasit, mu kujtua një ngjarje, në një nga vendet nordike. Ishim në një aktivitet. Pranë kishim kryetaren e bashkisë së një qyteti me popullsi sa Shqipëria. Shoqëruesi na tha ngadalë në vesh: Kjo ka dy vajza, të dyja mësuese! Më bëri përshtypje kjo thënie, paksa e çuditshme. Kur mbaruam aktivitetin e pyeta: Pse ma theksuat faktin që ka vajzat mësuese? Tjetri me pa me habi. Dhe shtoi. Ju thashë sepse mësuesi në vendin tonë është më i paguari dhe renditet në krye të shoqërisë, pasi prej tij varet e ardhmja e vendit. Buka do të ketë shijen e brumit të gatuar prej tij. Pasi u ndamë, e ndjeva veten të fyer. Solla në kujtesë mënyrën si e vlerësojmë ne mësuesin dhe mbeta pa fjalë.

Autori i librit na flet për zborin, për udhëtime, për përralla, për ndjenjën e solidaritetit, për t’iu gjetur pranë njerëzve në nevojë, për miq e shok, punën e vështirë në emigraciion, përshtatjen në metropol, mënyrën si mund të punohet me nxënësit etj. Për shkrimtarin nuk ka nxënës të mirë dhe nxënës të keq, pasi po të zbatohen kriteret pedagogjike e psikologjike, të gjithë fëmijët janë të mirë. Nuk është fjala për shënjën e barazimit, por të dëshirës për të mësuar, për të mos e pranuar epitetin “i keq”. Autori di të na përballë me bukuritë natyrore të vendit tonë, me Valbonën apo Thethin, gjelbërimin e pafund dhe ujin e kristal, me makinën e transportit që mund të ndizej vetëm me manivel etj. Me tregimin e tij “Ngado që ta kthesh kokën, nesër ke radhën”, na këshillon të jemi punëtor dhe të dashur me njerëzit, sepse pa dashuri nuk ka jetë, por edhe sepse të gjithë jemi robër të zotit dhe një ditë do të ikim nga kjo botë. Autori thumbon nxitimin e të rinjve dhe nxjerr në pah mençurinë popullore, kur na paraqet tregimin “Nuk e dija se qëni im paska shok njerëz me pozitë”. Janë interesante tgregimet “Rrite gjarpërin të të haj kokën”, “Kush paguan io bie cylës”, “Më mirë një mik se një çiflik”, “Dridhe Like” etj.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të thuhet diçka për seclin tregim apo skicë, por të përcjellim mesazhin e nevojës për ta lexuar një libër të tillë, nga fëmijë dhe të rritur, pasi ke çfarë mëson. Për fat, ende sot, librat për fëmijë nuk mbeten rafteve dhe vitrinave të librarive, sepse etja e lexuesve të vegjel vjen në rritje. Prindrit nuk kursejnë ne blerjen e librave për fëmijë, pasi investojnë për kulturën, për arsimimin e tyre. Nëpërmjet tyre mësojnë fëmijët për të bërë më të mirën dhe të shmangen nga e keqja. Në letërsinë për fëmijë, e keqja thumbohet, kritikohet dhe ndiqet fabula e vjetër e kecit të pabindur ose të qingjit që ndahet nga tufa, duke ushqyer parimin moral “pësimi bëhet mësim”.

Ka autor që duke dashur t’i rrisin përmasat e veprimtarisë dalin jashtë kufijve të realitetit historik të kohës dhe u ngarkojnë fëmijëve barrë që s’mund ta mbajnë. Edhe në këtë drejtim, Bashkim Saliasi është i kujdesshëm. Punë të tilla duhen vlerësuar, pasi krijimet për të vegjël nuk janë në sasinë dhe nivelin e duhur. Autori nëpërmjet fabulave, përrallave, ëndërrave, është përpjekur të na udhëzojë për të ecur drejt rrugës me dritë, për të na shpëtuar nga errësira. Mundësitë e përrallave, sot janë të pakufishme. Me mjetet e saj ajo mund të trajtojë dhe trasmetojë te të vegjëlit ide të shëndosha, aspekte të edukatës, informacion të pasur. Vet praktika e krijimeve artistike ka shëmbur muret e paragjykimeve dhe po e bën përrallën e re të kultivuar. Ajo është një nga gjinitë më të dashura për fëmijët e moshës së ulët shkollore.

Tashmë shkrimtarët për fëmijë nuk janë të ndarë nga ata që shkruajnë për të rritur, apo si të thuash, janë të shumtë ata që shkruajnë për të gjitha moshat. Kush shkruan për fëmijë është i privilegjuar sepse gëzon respektin dhe dashurinë e tyre. Kjo gjini ka një specifikë të veçantë, sepse ajo shkon te të vegjëlit në disa forma. Shkon me anë të leximit të librit prej tyre, por edhe nëpërmjet tregimit gojor nga ana e prindërve apo motrave e vëllezërve më të rritur. Në këtë mënyrë, një shkrimtarë i mirë për fëmijë, është i dashur dhe i respektuar nga e gjithë shoqëria.

Nëse më parë shkruhej për luftërat, për heroizmin, zbulimin e diversantëve, luftën e klasave, sot ka hapësira të gjera. Por ka dhe shkrimtarë që na e japin botën e fëmijëve të ndarë nga ajo e moshave të rritura, sikur ata jetojnë të vetmuar dhe të rriturit nuk dihet në çfarë planeti kanë shkuar. Përkundrazi, Bashkim Saliasi na e jep të shkrirë e të njësuar jetën dhe mendimin, në të gjitha shtresat e brezat e shoqërisë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat