Në “Mesjetën” e Ag Apollonit - Bota Sot
Në “Mesjetën” e Ag Apollonit

Libra

Në “Mesjetën” e Ag Apollonit

Nga: Miranda Dobraj Më: 14 prill 2020 Në ora: 13:13
Miranda Dobraj

Libri Mesjeta ime i autorit Ag Apolloni është vepër autobiografike e përbërë nga dymbëdhjetë ese ose kapituj të emëruar me tituj latin.

Duke përdorur një tematikë të llojllojtë që është aktuale dhe ngjason me errësirën e mesjetës. Agu godet gjendjen aktuale të vendit, politiken, fenë, materialen, mungesen e shpirtërores, dominancen e aparences e shmangien e esencës.

Autori thekson se titulli është ambig, çka përcakton jo vetëm mesjetën si emërtim të një kohe të errët, por edhe si kompozitë që shënon mesin e jetës njerëzore, ku në të dy kuptimet Mesjeta është e personalizuar.

Përdor tematika sociale qysh nga fëmijëria e deri në mesin e jetës së tij, në moshën 35 vjeçare. Duke na njohur me gjenealogjinë sipas Kanunit, ai na njofton me personazhe të shumtë të jetës reale, si nga lisi i gjakut, ashtu edhe nga lisi i tamblit.

Pasi që librin e personalizon qysh në titull, edhe rrëfimet për autobiografinë e tij i bën në vetën e parë.

Ky libër shtjellon ngjarje që dominojnë në jetën e secilit prej nesh, shpalos realitetin e një kohe që po jetojmë e cila është kthyer si të ishte në një epokë mesjete. Përgjatë gjithë librit Ag Apolloni citon autorë të ndryshëm, citate të cilat e përforcojnë secilën ese të tij.

 Përdorimi i figurës së ironisë, i jep forcë kritikës gjithpërfshirëse, të politikës dhe gjithçkaje tjetër që është nën sundimin e saj. Ai vë përballë njëri-tjetrit atë që lexon një libër, me atë që lexon shumë libra; i pari beson, i dyti dyshon.

Shfaqja e një ateizmi të theksuar shihet përgjatë gjithë eseve, mohimi i Zotit, sharja e tij, krahasimi i Qeverisë me kishë mesjetare, ku fjalët e pushtetit i përngjason me ato të djallit për nevoja të veta, edhe djalli citon Biblën?

I ndikuar nga filozofia dhe parodia, ai sikur vë karshi njëra-tjetrës, seriozitetin dhe banalitetin në esenë Vulgus. Stagova (lisi i gjakut), që stagovalitë e krahasojnë me Stagiren e Aristotelit, vendin e mendjes, përballë Gjurgjudellit (lisit të tamblit) që nuk ishin shkollarë, por trefish vulgar.

Shkallët e ngjitjes së jetës në sistemin arsimor ai i paraqet në esenë Doctrina. Duke zhveshur gjithë maskimin e një sistemi politik, që vetëm demokratik nuk është, ai tregon se më as universitetet kosovare, madje as Universiteti Hasan Prishtina, nuk mund të quhet më tempull i dijes. Kështu si e ka shkatërruar politika universitetin, studenti dhe profesori e kanë humbur dinjitetin.

Zhvesh realitetin nga një maskë Persona dhe e shpie tek një përngjasim me epokën më të errët, atë të Mesjetës, por me një dallim, ku kjo e sotmja është kapluar nga një errësirë virtuale.

Inkuizicioni virtual është pakrahasimisht më i tmerrshëm se inkuizicioni mesjetar, që kishte vetëm armë hekuri, ose se shpifja në kohën antike, që kishte vetëm zërin e demagogut. – eseja “Inquisitio”. Këtu vihen përballë njëra tjetrës fama dhe vlera, ku për këtë të parën, sakrifikohet e dyta.

 Ikja nga realiteti natyral ka sjell për pasojë dehumanizimin e njerëzores. Tani pothuajse çdo gjë është sipërfaqësore, librat reklamohen por nuk lexohen, shkrimtarët shkruajnë por dëshirojnë të mbesin origjinal, të pandikuar nga të tjerët, pra, duan të lexohen por jo të lexojnë.

Pasojat që sjell e sotmja mesjetare, autorin e kanë shtyer në një dëshpërim të thellë aq sa të shkruaj Doktrinën e dëshpërimit. Këto dukuri, kaq të zbrazura kaq të errëta, nuk po e mundojnë vetëm autorin e Mesjetës, por të gjithë ata që janë viktimë e kësaj shfaqjeje.

E kur më shumë se sa sot, shfaqet gjithë skena mesjetare?

Me maskën e një aktori, autori sfidon gjithë aktorët e këtij teatri. Zhvesh politikën që ka vënë rrënjë kudo, jonjerëzoren, të pamoralshmen, të shëmtuarën e një aktualiteti mesjetar, të cënuarin, të burgosurin (shpirtin), të padijshmin, të dijshmin, budallain e mbi të gjitha të çmendurin. Gjithë kotësinë e një jetë të padobishme e ironizon me një theks satirik thumbues.

Përpos metaforës, ironisë dhe satires, ajo që dominon ndoshta më së shumti, dhe lidhet me veprën Mesjeta ime është alegoria. Alegorikisht, mundohet të nxjerrë të fshehurën e jetës, atë që del gjithmonë suprizë. E kjo nuk shihet vetëm në esenë Alegoria, por në të gjitha esetë tjera nxjerr demaskimin e shoqërisë, e të brendshmes, e asaj psiqikes, e jo fizikes, asaj që ndihet përbrenda e nxjerret ndryshe nga jashtë. Pra, metaforikisht thekson se njeriu para se të bie në kundërshtim me të tjerët, bie në kundërshtim me vetveten. Njeriu  mendon diçka ndryshe, ndien diçka ndryshe, por thotë krejt të kundërtën e asaj që mendon dhe ndien. Sepse ka mbi vete atë që e shtyp, atë të cilit duhet t’i shkojë pas, se është zot i shtëpisë.

Vepra luftën më të madhe e ka me pushtetin, me gënjeshtrat që i servir, me maskat që i përdor, me vjedhjet e shumta që i bën, e më së shumti pasqyron se ky pushtet vjedh njerëzoren (humanitetin). Lufton fenë, e cila në këtë shekull, më shumë se kurdo herë tjetër zgjat duart e saj për të gllabëruar njerëzimin. Pushtimin e kësaj errësire përmes eseve autori e paraqet, por nuk mund ta mund atë.

Sepse robëria e jetës, nuk të bën që të ikin vetëm vitet e jetës, por edhe truri, thotë ai, në esenë e fundit Via.

Në skenën e jetës sonë kosovare, e sotmja e një shekulli modern i përulet skllavërisht shekullit 11, Mesjetës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat