Lisi në rrënjët dardane përballë erërave

Libra

Lisi në rrënjët dardane përballë erërave

Nga: Prend Ndoja Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 12:26
Prend Ndoja

Rrezja e parë e diellit, pasi e perzente errësirën e natës në fshatin tim, së pari përqafonte kodrën e Rezinës (Rrezinës). Pastaj shtrihej fushave e arave të fshatit. Mbi lulet vesa fillonte të shndërrohej në pika uji që rrëshqisnin mengadalë drejt tokës, për t' ua lëshuar udhën rrezeve të diellit. Sa magjepsëse ishte pamja mbi atë hapësirë të fshatit në agun e hershëm të mëngjesit. Gjelbërimi, që kishte marrë një pamje karakteristike e të veçantë, bënte të dukej sikur gjatë natës parajsa kishte zbritur në këtë vend dhe tani shtrihej në mesin tonë. Kësaj bukurie i shtoheshin edhe cicërimat e zogjve, që me fluturimet e tyre nëpër hapësirë i jepnin asaj një harmoni e gjallëri të pashoqe. E gjithë kjo i ngjante një sinfonie të mrekullueshme, që edhe kompozitorët më të mëdhenj do ta kishin zili. E kush nuk do të donte të ulej e të shikonte përqafimin e rrezeve të diellit me natyrën e bukur të fshatit, të mbushte mushkëritë me ajrin e virgjër, të paprekur nga elementet artificiale e smogu që mbulonte metropolet e asaj kohe në vendet e tjera?

Zakonisht të dielave ritmi i punës për disa ngadalësohej. Të rinjtë ishin të angazhuar me aktivitete sportive, ndërsa për disa të tjerë e diela ishte festë, konsiderohej ditë pushimi e shumë nga ata u dedikoheshin lutjeve fetare.

Ishte ditë e dielë. Isha zgjuar si zakonisht herët dhe me një ritëm të ngadalte i isha drejtuar një karrigeje të vjetër druri, që dukej sikur më priste pranë asaj tavoline të vogël. Nën hijen e atyre pemëve, në një taracë të vogël, degët e lavjerrura nga pesha e frutave, dukej sikur do pikonin mbi tavolinë,Atë dit me kafen e mengjesit më shoqeronte edhe Nena, Ishte dita vetme e javës që në mëngjes mund të bisedonim dhe të pinim kafen pa ndonjë ngutje. Kisha një lidhje të veçantë shpirtërore me nënën e mund të them se prania dhe bisedat e saj ma bënin më të shijshme e më të veçantë kafenë e së dielës. Në momente të tilla e në një vend të tillë edhe brengat më të rënda treten, e humbin peshën dhe vendin e tyre e zë vallja e lumturisë. Syri nuk di të ngopet, duke shikuar rreth e rrotull.

Për një moment shikimi kaloi lumin dhe u ndal në një pikë të vetme. U ndal ndër do pemë, që ishin në pjesën e djathtë të kodrës së Rrezinës. Aty, rreth një trualli të rrënuar kishin mbetur dhe me zor po mbaheshin në këmbë ca pemë të vjetëruara. Ndër to ishte një hardhi rrushi e rrënuar nga shtati, por që edhe ashtu e shtrirë përtokë, nuk dorëzohej dhe ende nuk e kishte ndaluar prodhimin. Asgjë nuk lëvizte në atë truall të braktisur. As zogjtë e malit nuk këndonin më në atë vend. Vetëm një shpend nate (huti) e thyente heshtjen e errësirës me një zë që ndillte trishtim. Pemët, me ca degë të lodhura, u qëndronin stinëve, dukej sikur nuk donin të thaheshin, por të ruanin themelet e rrënuara të trollit të braktisur. Donin të qëndronin besnike ndaj dorës që i kishte mbjellë dhe sikur kërkonin të mos fikej drita e fundit e trollit të braktisur.

Andej pari, në krahun e majtë, e priste kodrinën një udhë e vjetër, që e lidhte dushkajën me qytetin e Gjakovës. Barinjtë mrizonin delet nën ato pemë. Kështu, për pak kohë i jepnin gjallëri trollit të vetmuar.

Edhe pse ishte truall i braktisur, fshatarët për vite me radhë e ruanin emrin e bashkëfshatarit të tyre që ishte larguar nga fshati. Kalimtarët, barinjtë, të gjithë ende thonin që po kalojmë apo po pushojmë tek shtëpia e MQ. Braktisja e fshatit ishte si një gjëmë e madhe. Historia e së kaluarës së fshatit ishte e ngjashme me atë të viseve të tjera shqiptare, plot vuajtje dhe persekutime nga sunduesit. Gjatë historisë edhe në këtë fshat shumë herë ka ndodhur që armiku, për t'i dëbuar nga trojet e tyre familjet shqiptare, ka djegur shtëpitë e tyre. Ato familje edhe janë larguar për pak kohë. Por afërsia me fshatin, me banorët e tij dhe dashuria për vendlindjen e tokën e të parëve kanë bërë që ata të kthehen përsëri dhe të rifillojnë jetën në tokën e tyre.

Në ato kohë ishte jashte normave dhe gati nuk mund të imagjinohej zhvillimi i jetesës larg fshatit. Aty, që nga mëngjesi kishte plot gjallëri. Njerëzit që dilnin nga dyert e shtëpive për të shkuar në punë, në shkollë apo ku i thërriste dita, u ngjanin bletëve që dalin nga kosherja e shpërndahen luleve të pranverës për të mbledhur nektarin. Sa e këndshme ishte pamja e bujqëve kur, pas disa orë lodhjeje, lëshonin veglat e punës dhe nën ndonjë hije uleshin e pushonin, freskoheshin me ujin e burimeve e me ndonje gotë raki përpara shijonin perimet e prodhimet e fshatit, frut i duarve dhe i djersës së tyre. Afërsia me veten e tyre dhe me njëri - tjetrin e ngrinte lumturinë në atë nivel sa ajo me thjeshtësinë e madhështinë e saj njëherësh ia kalonte edhe lumturisë së lordëve më të mëdhenj të botës,apo të atyre që nuk i zinte as gjumi natën duke bërë llogaritë e pasurive të tyre. Kjo ekzotikë kaq origjinale në trevat shqiptare ka tërhequr sa e sa personalitete të shquara që kanë shkruar me entuziazëm e dashuri në veprat e kujtimet e tyre. Mjafton të kujtosh lordin dhe poetin Bajron, gazetaren dhe studiuesen e famshme, Mis Durham, italo-austriakun e pasionuar Fabian Barcatta e shumë të tjerë.

Në të gjitha anët ishin mbushur plot udhët ku njerëzit lëviznin me gëzim e sinqeritet për ndërtimin e jetës. Sa të tjerë, që herët në mëngjes ecnin rrugës për të filluar punën në kooperativën e fshatit. Të rinjtë, sëbashku, me libra në dorë, ecnin udhës së dijes,Disa punëtorë kishin gjetur një shteg tjetër: kishin filluar të gjenin punë të përkohshme në disa shtete të Europës. Atje punonin për një sezon, për një farë kohe, pastaj përsëri ktheheshin në shtëpitë dhe familjet e tyre. Arsyeja e këtij kthimi ishte e njohur: nuk mund të largoheshin përgjithnjë nga vendlindja, ku ishin të lidhur përjetësisht me bukuritë e rralla natyrore, me njerëzit aq të dashur e të ekuilibruar në qëndrimet e tyre, që i bëheshin krah i djathtë njëri-tjetrit për çdo gjë e në çdo rast nevoje.

 

Marrëdhëniet vëllazërore ishin jo thjeshtë për faktin që në një fshat të dendur, me shumë shtëpi dhe me plot banorë, përveç tri shtëpive, të gjithë të tjerët afroheshin në një rrënjë të përbashkët, që quhej fis. Përtej kësaj, edhe ato tri shtëpi gëzonin respektin e dashurinë maksimale nga të gjithë bashkëfshatarët. Pra, pothujse i tërë fshati ishte një fis, një familje e madhe. Hidhërimet e gëzimet ishin të përbashkëta. Dallimet fetare as që merreshin në konsideratë. Të gjithë besonin dhe respektonin besimin e njëri-tjetrit. Sa e këndshme ishte kur ndonjë familje kishte dasëm në fshat dhe bashkoheshin të tërë banorët për të pritur dhe nderuar ata që vinin nga larg. Kur krushqit që sillnin nusen ishin në të hyrë të fshatit, dasmorët i prisnin dhe fillonte atmosfera e dasmës. Buzë udhës së fshatit, përpara shtëpive shtroheshin tavolina me pije dhe ushqime të freskëta. Sipas traditës kjo bëhej që dasmorët me gëzimin dhe ahengun e tyre, të shijonin nga një gotë raki bashkë me ushqimet e përgatitura nga çdo familje enkas për dasmorët. Sepse, siç e thamë, dasma dhe gëzimi konsideroheshin të të gjithë fshatit. Vallja nuk ndalej gjatë tërë udhës e gëzimi rridhte si një rrëke që i sillte lumturi gjithë fshatit. Kishte raste që në ndonjë familje të fshatit atë vit kishte pasur ndonjë vdekje a fatkeqësi. Kur i afroheshin shtëpisë së asaj familjeje ndaleshin kënga, vallja e muzika dhe në heshtje respektohej dhimbja e fqiut. Pastaj ahengu rifillonte për të vazhduar deri tek shtëpia ku do të hynte nusja.

Ja, kështu, që nga zanafilla e fshatit ishte ndërtuar jeta e përbashkët. Prandaj braktisjet ishin tejet të rralla për të mos thënë që nuk egzistonin fare. Por kjo harmoni, kjo bashkëjetesë vëllazërore, u vrisnin sytë e u errësonin mendjen atyre që në shekuj e kanë patur halë në sy shqiptarin. Armiqtë dhe pushtuesit vazhdonin sipas qëllimeve e strategjisë së tyre të vjetër dhe nuk kursenin asgjë vetëm e vetëm për të na përçarë, për të na dëbuar nga trojet tona autoktone. Ata me plumba dhe tanke mbillnin vdekjen dhe bënin që toka të njomej me gjakun e të rinjve. Sa e sa të tjerëve u është shterrur jeta burgjeve të Serbisë. Pushteti shovinist, me një zili e urrejtje ndaj kësaj race vitale e aq të bukur vazhdonte të mbyllte dritën në hapsirën e tyre Si lakuriqë nate ata adhuronin errësirën që ajo të dominonte mbi vendin tonë. Bashkëfshtarët e kishin nuhatur rrezikun që ju kanosej. Donin t'i bënin të iknin. Por për ata ikja nga vendi i përngjante një lloj dorëzimi. Por ata nuk donin që testamentin mijëravjeçar të të parëve të tyre t'ua dorëzonin bishave të egra serbe, që suleshin mbi trevat tona. Me një ndërgjegjshmëri të lartë ndaj atdheut bashkëfshatarët ishin krejt të vetëdijshëm që kur bije erësira kërkohet të ndizen qirinj e drita e jo të iket duke lënë pas errësirën e imponuar nga të tjerët.

Prandaj ato shtëpi të vjetra gjallonin e ishin të mbushura plot me banorë. Jeta lulëzonte me plot vrulle, të gjithë me djersën dhe punën e tyre i siguronin të mirat materiale që jeta kërkonte. Në të sotmen, me ngarkesat e tepërta, shumë prej të cilave të panevojshme, e kemi komplikuar jetën tonë. Tani po mësoj nga e kaluara e bashkëfshatarëve të mi: Në jetë nuk kërkohet shumë që të jesh i lumtur.

Fjala korrupsion ka qenë e panjohur ndër ne. As për vjedhje nuk flitej, sepse askush nuk donte që në jetën e tij apo të familjes të binte hieja e rëndë e turpit. Turpi ishte më i rëndë se vdekja. Të jetuarit me ndershmëri kishte një mur të madh në mes me atë të turpit. Ky ishte kodi më i hershëm për jetesën e ndershme, që përpara se të lindnin ligjet e shteteve. Ishte kodi i karakterit dhe imazhit moral të personit dhe të familjes, që mos të përbaltej e që askush të mos mbetej kokëulur në mes të fshatarëve.

Në pjesën e poshtme të fshatit shtrihej një kodrinë jo fort e thekur, e cila, si një hark e fuste fshatin në gjirin e saj. Rreth këtij harku dhjetra hektarë vreshta me rrush të llojeve të ndryshme, të kultivuar me një kulturë pune, ta bënte zemrën mal me bukurinë e vet. Përmes kodrës dredhonte rruga krysore e fshatit. Ajo ishte pak e lodhshme për këmbësorët gjersa ata arrinin në rrafshnaltën e saj. Jo rastësisht kjo kodrinë kishte pamjen e një vetulle. Ashtu, ky hark i shtrirë si vetull kreshniku, mbronte syrin e tij, ashtu e mbronte shkollën që e kishte si nën-vetull, që dukej sikur e kishte nën qepallë.Vërtet nën gjirin e asaj vetulle ishte syri i së tashmes dhe i së ardhmes, ishte shkolla e fshatit. Sa mbushej zemra me gëzim kur qindra nxënës luanin dhe këndonin ne oborrin e asaj shkolle. Ishte mbarësi e një të ardhmeje kur nxënësit nuk i nxinte klasa dhe çdo ditë kërkoheshin hapësira të reja dhe zgjerim i objektit .Apo ndër livadhe, si pëllumba vraponin pas topit apo lojrave të ndryshme, të pastër e të shëndosë si molla në rrem. Natyra bujare nuk lejonte që të kishte pamje të zbehtë në fytyrën e tyre.

Në anën tjetër barinjtë mbushnin livadhet e lëndinat me delet dhe qëngjat e tyre nëpër kullosa të bollshme. Ndonjë prej tyre i binte fyellit, ndërsa ndonjë tjetër me një brisk gdhendte ndonjë dru shtogu, nga i cili ndërtonte fyllin që t'i artikulohej zëri sa më i ëmbël.

Në mes të lëndinës së fshatit, buzë udhës, ishte një Lis i madh dhe i moçëm. Ai ishte i llojit të drurit të kreksit dhe mosha e tij nuk i dihej nga askush. Në hijen e tij mrizonin delet dhe zor se mund të gjendej ndonjë lis tjetër që e mbante gjelbërimin e freskët në vapën e madhe të gushtit si ai. Në hijen e tij pushonin dhe kishin pushuar me qindra udhëtarë. Ai ishte edhe më i dukshëm ashtu me trungun e fortë e kurorën e dendur përballë erërave që frynin shpesh e që kurrë nuk e përkulnin dot.

Sa e sa herë e kishin gjymtuar, duke i prerë ndonjë degë, por ai prapë ripërtërihej me degë të reja. Kur ndonjë gjarpër tinëzisht dredhitej rreth trupit të tij, zakonisht e gjuante rrufeja, e cila vriste gjarpërin, ndërsa lisi nuk pësonte asgjë.

Një ditë po kthehesha nga shkolla. Përherë më binte rruga andej nga lisi dhe thuajse në atë orë kur kthehesha gjithnjë gjeja aty barinj që mrizonin delet. Dy nga ata, që ishin edhe më të moshuarit e gëzonin respektin e të gjithë fshatit, i gjeja më shpesh. Ata ishin dy shokë, si dy vëllezër. Njëri i përkiste besimit katolik e tjetri besimit mysliman. Si dy vëllezër uleshin, dridhnin duhan dhe bisedonin për hallet e jetës baritore, por edhe për ato halle e telashe që pushtuesi na i kishte hedhur mbi kokë. Atë ditë, tek afrohesha, pashë që ishte vetëm njëri nga të dy barinjtë e moshuar. Siç ishte zakon që i përshëndesnin të gjithë, edhe unë e përshëndeta.

Ai më kërkoi të ulem pak kohë pranë tij që të ndërronim ndonjë fjalë. Mendja më tha që këtë e bëri ngaqë i mungonte shoqëria e shokut të tij. Gjatë kohës që po dridhte një cigare, më pyeti për mbarëvajten time si student. I tregova shkurt, aq sa mendoja që i takon të dijë një bari i moshuar për arritjet dhe sukseset e një studenti. Pastaj e pyta për shëndetin dhe për familjen.

-Mirë jam me shëndet,-tha.-Dhe familja e t'afërmit mirë janë. Por unë e kam një hall tjetër sot. E kam hallin se dikush i ka dëmtuar degët e këtij lisi! Dikush e ka dëmtur këtë lis, që po na mban me fllad edhe në këtë vapë të madhe...

Unë, pa u menduar gjatë e duke harruar që isha para një bariu të moshuar iu përgjigja:

- Lis është. I dalin degë të tjera prapë. Pse jeni shqetësuar?

E pashë që nuk më shikoi me sy të mirë. Pa folur asnjë fjalë më dha të kuptoi që shkela mbi normat etike të komunikimit të fshatit dhe më duhej që të kisha kujdes para se të flisja. Për pak heshtëm të dy, por unë e pashë që diçka donte të më thoshte dhe tani veç e prisja që fjala t'i dilte nga goja. E kuptova që tani e tutje më duhej më paë të dëgjoja, pastaj të flisja.

-Dëgjo,- më tha.- Ky lis, nuk ka babë, as nënë. Nën këtë qiell askënd tjetër nuk ka në mbrojtje të tij, përpos nesh. Pra është në mëshirën dhe dorën tonë. Jo vetëm ky lis, por tërë kjo natyrë, kjo tokë janë ashtu siç Zoti u jep dhuratë prindërve fëmijën. Ashtu këtë tokë Zoti na e ka dhuruar ne. Nëse unë vdes për fëmijët e mi,duke qenë prind i tyre, vdes edhe për këtë lis, për këtë natyrë, për këtë tokë. Ky lis u ka qëndruar erërave e rrebesheve të shekujve. Përse duhet ta dëmtojmë ne me duart tona, kur ai na shërben me bujari çdo ditë?

Për një kohë mbeta si i mpirë e vetëm e shikoja këtë njeri me fytyrë kuqaloshe, që i kishte bërë sytë gozhdë duke më shikuar. Më befasonte mendja e bariut, që ishte e kthjellët si loti, e shëndoshë dhe pa asnjë djallëzi apo politizim. Me kënaqësi e mora një këshillë të mirë, që nuk do ta harroj kurrë, edhe pse ma tha në mënyrë jo të butë, por me atë ton që meritoja, me atë ton që di të flasë vetëm urtësia e dashamirësia.

M'u bë qejfi që e dëgjova bashkëfshatarin tim bari me ato fjalë. Aty reflektonte që rrezet e lirisë janë futur në çdo vend, në çdo skutë, në çdo njeri dhe veç presin kohën që të shpërthejnë e të marrin jetë, si trungu dhe degët e lisit të moçëm.

Pas pak kohe e pyta për shokun e tij, që atë ditë mungonte. Më tha se ai e kishte njoftuar që atë ditë ishte i ftuar në një ceremoni gëzimi dhe nuk do të dilte me delet e tij. Sipas riteve fetare të besimit katolik, për festën e ShënKollit, çdo familje e krishterë flijonte një dele apo një dash, që ata e quanin "berri i ShënKollit". Nganjëherë varfëria e bënte të vetën dhe jo të gjitha familjet e kishin mundësinë të flijonin një dele apo dash për atë natë të madhe. Por në fshatin tonë ishte bërë traditë që aty ku ishte varfëria, dilte në dukje solidariteti i heshtur, që nuk linte asnjë familje pa e kremtuar festën me flijim, ashtu siç e donte riti i kësaj feste. Nëse ndonjë apo disa familjeve katolike atë natë u mungonte delja që duhet flijuar, bariu fqinje që ishte i besimit mysliman, e linte derën e grixhës hapur, që bashkëfshatarët e tij të krishterë të shkonin dhe të zgjidhnin delen që u duhej për atë natë të madhe. Shikoni me sa urtësi e finesë ishte bërë kjo zgjidhje. Bariu mysliman mundej edhe të merrte një ose disa dele e t'i çonte tek ajo apo ato familje në nevojë. Por ai nuk donte që t'i prekte në sedër dhe gjesti i tij të evidentonte varfërinë e tyre. Kështuqë ata mund të shkonin vetë lirshëm, padyshim me mirënjohje të heshtur e të nesërmen askush nuk fliste për këtë fakt. E rëndësishme që të gjitha familjet kishin mundur të festonin. Ja pra, një fshat, dy besime fetare, një familje e madhe. Me mijëra vjet, të ngjeshur me tokësoren, me natyrën, me malin, me fushën, me dashurinë e respektin reciprok, që nuk mund të zhvillonin jetë pa njëri – tjetrin. Prandaj edhe braktisja e një vendi të tillë tingëllonte si një zë ugurzi, që të pret fatet e jetës dhe ngado që të shkosh, si një shpatull korbi mbi re të ndal dritën e diellit. Pasi u përshëndeta me bariun e urtë, më kishin mbetur edhe pak minuta udhë deri te shtëpia. Në mendje më silleshin fjalët e tij.

Po mirë tha bariu: Lisi shumëshekullor qëndron këtu e nuk thahet, sepse i ka rrënjët e veta thellë në tokën e lashtë. Rrugës mendoja për qendresën e lisit ndaj furtunave dhe ndaj keqbërësve të kohërave të ndryshme. Sa herë që është dëmtuar, prapë është ngritur dhe, si për inat të stinëve të nxehta, ka lëshuar degë edhe më shumë.

Ne rriteshim e lisi gjithnjë aty, i paepur përballë erërave. Për fat të keq mbi Kosovë filluan të frynin erëra luftrash e tragjedish të reja për popullsinë shqiptare. Represioni serb bëhej gjithnjë e më i egër. E dihet që nga kohët biblike, që nga përcjellja e hebrenjve nga Moisiu për në tokën e premtuar, që momente të tilla historike sjellin eksode e emigrim në masë. Edhe Kosovës i ikën shumë bij e bija, jo për në tokën e premtuar, por drejt shpresës për të shpëtuar jetën e tyre e të fëmijëve në toka të tjera të panjohura. E gjithnjë me shpresën që një ditë të rikthehen në tokën e tyre.

Ndërsa lisi i moçëm rri aty, si gjithmonë. Në heshtjen e tij pret e përcjell ata që ikin e ata që vijnë. Në rrathët e tij është e shkruar historia. Sa herë që bijtë e bijat kthehen, ai lëshon filiza e degë të reja, që janë dëshmi e mbijetesës dhe lulëzimit të një kombi përballë rrebesheve të historisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat