Rrëfime nga Hamdi Zymberi i Gjilanit

Libra

Rrëfime nga Hamdi Zymberi i Gjilanit

Nga: Rexhep Shahu Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 20:43
Rexhep Shahu

Me Hamdi Zymberin (që sot paska ndërruar jetë) kam biseduar gjatë, shumë gjatë, ai më vinte edhe në shtëpi. Ai ishte njeri i mrekullueshëm, njeri që bënte për tjetrin, e në mos kishte fuqi të bënte gjë tjetër, ai vinte e rrinte me ty, të jepte dorën, të vuante e të lodhej me ty. E kisha prezantuar e miqësuar Hamdiun me shumë njerëz në Kukës. Natyrisht edhe me Xhemil Shahun e UNHCR që unë e kam djalë xhaxhai. I kam bërë shumë pyetje dhe i kam marrë shumë kujtime e rrëfime për kohën që qëndroi në Kukës në Zyrën e Kosovës në Bashkinë e Kukësit, ku ai ishte i ngarkuar të vepronte kryesisht në ndihmë të të dëbuarve që vinin prej Kosove. Doja të dija si e ruante ai Kukësin dhe veten e tij. Zyra e Kosovës në Kukës u çel me propozim të veprimtarit të njohur Naser Kuka, i cili kishte marrë kërkesë zyrtare - propozim nga kryeministri i atëhershëm Bujar Bukoshi. Pasi bisedova dhe gjeta dakortësinë e menjëhershme të kryetarit të Bashkisë Kukës Safet Sula, e takuam pastaj bashkë me Naserin dhe u lëshua një zyrë në godinën e bashkisë Kukës, zyrë ku qëndroi e veproi Hamdiu.

Ja një fragment nga rrëfimët e Hamdi Zymberit për atë kohë në Kukës, viti 1998: Lufta në Kosovë po zgjerohej nga dita në ditë. Rezistenca e shqiptarëve po bëhej më e organizuar. Luftimet nuk kishin të ndalur. Si rrjedhojë pritej një fluks i madh i refugjatëve. Organizata botërore e UNCHR-së kishte kohë që kishte hapur zyren e vet në Kukës. Në këtë zyrë punonte edhe një djalë i ri kuksian, Xhemil Shahu. E kam takuar këte djalë shumë herë. Më ka rastisë që me Xhemilin të shkojmë së bashku në Vlahën, konkretisht tek posta e fundit kufitare, për ti pritur njerëzit që ia kishin mësyer Shqipërisë përmes, të vetmes rrugë të “sigurt“, maleve të Pashtrikut. Nëse numri i njerëzve ishte më i madh, aty ishte edhe kamioni i policisë kufitare shqiptare. Një ditë, shkuam së bashku me Xhemilin në postën kufitare. Binte shi pa ndërprerë. Në Pashtrik binte breshër. Një grup i madh njerëzish zbrisnin në drejtim të postës kufitare. Ne i shiqonim me dylbi. Ecnin shumë ngadalë. Kaluan shumë orë derisa njerëzit erdhën tek ne. Kishte në mesin e tyre pleq, gra fëmijë dhe të plagosur. Një fëmijë, një muajsh, pothuajse ishte ngrirë nga të ftoftit. Policia kufitare shqiptare e muar këtë foshnje dhe e futën në hapsirat e karaullës. E zhveshën, e mbuluan me një batanie të nxehtë dhe fëmia shpëtoi. (Të nesërmen isha e vizitova këtë familje dhe mu duk se nëna e re akoma nuk besonte se fëmija i saj i parë ka shpëtuar).

Xhemili bisedonte me udhëheqësin e grupit. Të plagosurit ishin dy kusherinj me mbiemër Guraziu. Njëri ishte plagosur në vetullen e majtë nga një predhë (kishte pas një intervenim mjeksor në spitalin ushtarak të UÇK-së) , ndërsa tjetri kishte humbur të pamurit nga granatimet e shumta serbe. Që të dy djem të ri. Xhemili donte ti mirrte të plagosurit në makinën e tij të UNHCR. Kjo edhe ishte zgjidhja më e mirë. Të tjerë do të udhëtonin me kamionin e policise shqiptare deri në Krumë, në konviktin e shkollës së mesme që ishte pregaditur për ta nga pushteti lokal dhe Kryqi i kuq Shqiptar. Por në bisedë e sipër Xhemili tregon se këtu është edhe “përfaqsuesi i qeverisë së Kosovës“ duke treguar në drejtim timin. Dhe ky fakt ishte i mjaftueshëm që të prishet puna dhe të acarohet situata. Udhëheqësi i këtij grupi refuzon menjëherë që të plagosurit të udhëtojnë me mua e Xhemilin. Nuk don njeriu të ketë punë me njerëzit e qeverisë. Isha prezentuar me emër e mbiemër dhe asgjë më shumë. I thamë këtij “komandanti” se të plagosurit vinë me ne dhe pikë. Dhe pas fjalosjes kështu ndodhi.

Në ndërkohë një polic shqiptar filloi t`i grumbullojë armët personale që posedonin grupi. U dasht ndërhyrja ime që këto armë t`u ipen përsëri poseduesve dhe nga ta të deponohen ne shtabin e UCK-së në Vlahën. Me të plagosurit erdhëm në Kukës. Në spital na pritën mirë. Specialisti për sy (emrin nuk ia mbaj mend) i kontrolloi që të dy. Ndihmësmjeku Shefqeti ishte gjithnjë prezent. (Shefqeti punonte edhe si polic për intervenime të shpejta në policinë shqiptare – policia me maska). Më shumë kujdes u tregua per personin që kishte humbur të pamurit. Tjetrit i kishte mbetur një copë granate në vetull dhe kishte filluar të “udhëtonte” rreth syrit me rrezik të madh për të. Ky është bërë operacion në Kukës ndërsa tjetri , ai që nuk shifte, është dërguar në një klinikë tjetër. Shpresoj shumë se jetojnë akoma. Të nesërmen isha në spital dhe i vizitova të plagosurit. Aty erdhi edhe udhëheqësi i tyre. Më kërkoi të falur për sjelljen e djeshme. Sigurisht është biseduar ne shtabin e UCK-së në Vlahën për këtë rast. E fala, ç`të bëja...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat