Prof. Dr. Osman Kadriu, juristi i kontributeve të mëdha

Libra

Prof. Dr. Osman Kadriu, juristi i kontributeve të mëdha

Nga: Shpendi Topollaj Më: 7 janar 2021 Në ora: 12:28
Shpendi Topollaj

Kam disa miq intelektualë që me mençurinë, vlerat e larta njerëzore dhe atdhedashurinë e tyre ma bëjnë edhe më të këndshëm, qëndrimin tim në Maqedoninë e Veriut, sa herë më jepet rasti të shkoj në atë vend. Dhe një i tillë është padyshim, fisniku Prof. dr. Osman Kadriu, një burrë i pashëm dhe mjaft i edukuar që nuk di të flasë kurrë për veten e tij, sido që ka një karrierë të pasur si jurist, pedagog universiteti dhe së fundi, si i vetmi shqiptar, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të asaj republike. Autor i disa studimeve me vlerë në jurisprudencë dhe disa librave të shkruara në këtë fushë, ai gëzon atje një reputacion të madh që e bëjnë edhe më të madh vlerat që mbart brenda vetes, si ndershmëria, përkushtimi dhe erudicioni. I tillë është edhe libri “Ofendimi dhe shpifja dhe kompensimi i dëmit” i botuar në vitin 2017, për të cilin, duke parë aktualitetin dhe lidhjen me zhvillimet e debatet në vendin tonë, dua të shfaq disa mendime. Edhe pse Diogjeni pati thënë se “Me armiqtë e mi mund të hakmerrem duke u bërë më i virtytshëm se ata”, dhe Ben Xhonsoni: “Shpifjeve duhet t`u përgjigjemi me heshtje”, përsëri, shekujt kanë provuar se natyra njerëzore është e papajtueshme si me fyerjen (ofendimet), ashtu edhe me shpifjen. Janë të papajtueshme, pasi vrasja e reputacionit është konsideruar nga dikush si krimi më i madh, i cili ka pasoja shpesh të pariparueshme në personalitetin e dikujt.

Qëndrimi ndaj këtyre dukurive e ka shqetësuar me kohë shoqërinë njerëzore. Hidhini një sy mitologjisë dhe do ndeshni në të disa raste, kur fyerja, e ca më keq shpifja, nuk kanë kaluar pa pasoja. Si shembull po sjell njërin nga heronjtë e fushatës së argonautëve, Akastin, gruaja e të cilit, Diademia, nga që Peleu, miku i të shoqit, nuk ju përgjigj dashurisë së saj, shpifi për të, duke thënë se ai kishte tentuar ta përdhunonte. Kjo solli si pasojë mërinë e Akastit, i cili ja hoqi armët mikut të pafajshëm dhe e la në fatin e tij në mes të pyllit që ta vrisnin centaurët. Duke shpëtuar rastësisht, ky i fundit, u hakmor duke i vrarë të dy, burrë e grua. A e dini sesi thosh Tit Livi? “Absit inurio verbo”. Pra, “Qoftë thënë pa fyerje”. E pra, duke parë dëmet që mund të shkaktonin në praktikë këto dy nocione, edhe ligjvënësit e vendeve dhe kohëve të ndryshme, u përpoqën herë pas here, të kodifikojnë marrëdhëniet mes njerëzve duke ruajtur respektin mes tyre. Natyrisht që këto marrëdhënie nuk do të përmirësoheshin vetëm me predikime e leksione, por edhe me sanksione. Pra, duke i detyruar ata që të kishin marrëdhënie normale gjatë komunikimit në jetën e përditëshme. Janë bërë këto përpjekje, pasi shpërfillja që u bëhej atyre, ka pasur dhe ka edhe sot e kësaj dite, pasoja shumë të këqija. Se ato janë të lidhura me gjënë më të shenjtë që njeriu ka: nderin. U kujtohet si shkruante Lermontovi në elgjinë për vdekjen e Pushkinit: “U vra poeti rob i nderit, / E mposhti shpifja, theshethemet”. Le pastaj që kjo është shumë më e gjërë, pasi rrok disa anë të qenësishme të ndërtimit të jetës tonë, deri edhe atë shpirtërore. A nuk mësonte Viktor Hygoi se “Ngjitur me të Drejtat e Njeriut, fare pranë tyre, janë të Drejtat e shpirtit?” Duhet ditur se deri më sot, nuk ka përkufizime tërësisht pa të meta, edhe për fyerjen dhe shpifjen.

Legjislatorët e vendeve të ndryshme i kanë përkufizuar ato sipas traditës, zakoneve, zhvillimit ekonomik, temperamentit të popullit, bindjeve fetare, politikës sunduese. Kështu që qëndrimet ndaj tyre nuk mund të jenë të unifikuara, ashtu si edhe penalitetet. Këto janë dhe temat që trajton prof. Osman Kadriu në librin e tij, ku ai edhe vetë nuk mendon se është shterrues, gjersa thotë: “…nuk pretendoj në pohimin se ky punim është i përkryer. Përkundrazi, me vet faktin se edhe vetë drejtësia nuk është e përkryer, për përkryerjen e këtij punimi edhe nuk mund të bëhet fjalë. Për mua do të paraqesë çdo herë kënaqësi dhe do të jem paraprakisht falenderues ndaj çdo lexuesi i cili do të më japë sugjerime konkrete, propozime, vrejtje dhe ide apo mendime konkrete për shmangien e mangësive eventuale të punimit si dhe për plotësimin e tij me risi …” Nga ana e tij profesori ka synuar të dalë nga pelerina e zezë e gjyqtarit a juristit në përgjithësi. Ai kërkon që libri i tij të jetë shpjegues edhe për ata që s`janë të tillë, pra, politikanë, nëpunës, gazetarë e deri njerëz të thjeshtë. Kjo është një gjë mjaft e mirë, pasi për të kuptuarit dhe të zbatuarit e atyre që ai përshkruan, janë të interesuar të gjithë. Ndaj dhe është kujdesur që kapitujt të jenë të kuptueshëm dhe të qartë për këdo.

Te normat shoqërore ai ka përfshirë me të drejtë ato juridike, morale, zakonore dhe religjioze me të cilat merret në kapituj të veçantë. I ka veshur këto me vellon e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, pa kaluar cakun ku preken të drejtat e tjetrit. Ka shpjeguar ndikim e pashmangshëm të politikës në rregullimin ligjor të tyre, ndikim i cili jo gjithmonë është efikas, pasi anon nga të tjera interesa. Tregon mjetet me të cilat mund të përhapen ato, si shtypi, radioja, televizioni, dhe mjetet e tjera të informimit publik. Ofendimi mund të bëhet me shkrim, fjalë dhe gjeste, si fjala vjen, ai i atij ambasadorit të huaj ndaj protestueve në Tiranë. Kurse shpifja, duhet të jetë me paramendim, direkt ose indirekt, gjë që e vërteton gjykata, e cila për të dyja mund të marrë në konsidetatë edhe kërkimin e faljes që shpesh mund të jetë edhe publike. Por gjithsesi këtu autori jep edhe mënyrën e ndëshkimit, duke ju referuar disa vendeve të Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë. Ai ndalet posaçërisht këtu, pasi fyerjet dhe shpifjet janë shumë të përhapura në këto treva dhe ato, legjislatorët kanë tendencën t`i shtrijnë sidomos te gazetarët, duke harruar se “Gazetaria e pavarur është imperativ i një shoqërie demokratike”. Autori e quan atë pushtet i katërt ose qen publik - rojtar (public watchdog), në mbrojtje të interesave të popullit, kur ato kërcënohen nga korrupsioni. Të kërkosh t`u mbyllësh gojën atyre është skandaloze. Kuptohet se vendet e dala nga e shkuara komuniste, dashje pa dashje do pasqyrojnë mentalitetin e sunduesit që i shohin përfaqsuesit e mediave si vartës të tyre. Kjo duket te stigmatizimi i tyre si kazan gjë shumë diskredituese si për atë që e nxjerr nga goja ashtu edhe për atë masë që e kapërdijnë si diçka normale. Ka një histori me Xh. B. Shoun i cili kur i thanë se po kritikonte si shumë, u përgjigj se: “Sikur njerëzit ta dinin se çfarë nuk them”.

Duke u ndalur vetëm te ne, duhet mbajtur parasysh se si kudo edhe këtu, liritë dhe të drejtat e njeriut janë sanksionuar në ligjin themeltar të shtetit, në Kushtetutë. Gjithashtu ato kanë marrë forcë juridike në Akte ndërkombëtare si Deklarata Universal e të Drejtave të Njeriut dhe Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike i Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Po ashtu ato janë theksuar në konventën evropiane e vitit 1950, hyrë në fuqi tre vjet më pas. Dhe ne aderojmë në to. Po kështu ai komenton ligjin e lustracionit në M. V. që ngjet shumë me mënyrën sesi po zbatohet te ne, dhe evidenton shkeljet që bëhen me përgjimet, privatësinë apo korrespondencën.

Prof. O. Kadriu rreshton edhe pasojat që mund të vinë nga efekti i shpifjes; deri largimet nga puna, uljet në detyrë dhe dëmi ekonomik që mund t`i vijë dikujt, ndaj jep dhe të drejtën e gjykatës për përcaktimin e masës respektive, por jo pa limit. Sidoqoftë, ky libër, për trupën e juristëve, mbetet si një udhëzues që zgjeron dijet e tyre gjatë aplikimit, kurse për të tjerët si një kujtesë juridiko - morale për të barazpeshuar qëndrimet ndaj kujtdo qoftë. Kam mendimin se autori në këtë libër, megjithë vlerat e tij të mëdha dhe të dyfishta, pasi na shërben edhe neve në Shqipëri, mund të kishte shmangur një farë proliksiteti, pasi ka përsëritje që duheshin evituar. Njëkohësisht në fund mund t`i bashkangjitej një fjalor shpjegues i termave juridike të përdorura. Autori do përgëzuar edhe për faktin se me librat e tij hedh hapa të rëndësishëm në marrëdhëniet akademike mes dy vendeve fqinje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat