Prof. Dr.Nuhi Vinca, shkrimtari që i’a kushtoi krijimitarinë edukimit atdhetar

Libra

Prof. Dr.Nuhi Vinca, shkrimtari që i’a kushtoi krijimitarinë edukimit atdhetar

Nga: Shpendi Topollaj Më: 7 janar 2021 Në ora: 12:32
Shpendi Topollaj

dr. Nuhi Vinca, që porsa ka mbushur tetëdhjetëetetë vjeç, me veprën e tij të gjërë letrare në interes të çështjes kombëtare dhe krenarisë për mbajtjen e emrit shqiptar, është tashmë i njohur dhe i respektuar në të gjitha trevat ku flitet shqip. Me zemrën e tij të madhe në një trup të vogël, ky njeri i thjeshtë, i mençur, i qeshur, bujar e dashamirës për çdo krijues, ky burrë pra që di të nderojë këdo që e ka njohur, i ka vënë të gjitha aftësitë e tij intelektuale dhe sidomos talentin, në shërbim të dashurisë për atdhe. Nisur sidomos, qysh atëherë kur fati i keq dhe ligësitë e djallëzitë e Fuqive të Mëdha e copëtuan vendin tonë të stërlashtë, ai, duke shfrytëzuar mundësitë që i jepte qenia e tij mësues, apo më vonë punonjës i Institutit Albanologjik të Prishtinës, asnjëherë nuk ka reshtur së demaskuari padrejtësitë që na janë bërë. E ka jetuar ndarjen mes nesh dhe Kosovës, e shqiptarëve të Maqedonisë, në kohën e komunizmit. Ka pasur brenga dhe ka vuajtur shpirtërisht prej saj dhe e ka përballuar përndjekjen e shërbimit të fshehtë jugosllav që e dinin mirë se ai i mbante sytë te guri i kufirit.

 Shpesh, kam takuar ish nxënësit e tij, sot njerëz me kontribute në disa fusha, qoftë edhe si letrarë, dhe kam parë se çfarë konsiderate ruanin ata për mësuesin e tyre, për ndershmërinë e tij, përkushtimin, përkrahjen dhe veçanërisht për nxitjen e dëshirës për të mësuar historinë e lavdishme të atdheut tonë, përpjekjet e përhershme për liri e pavarësi, deri me armë në dorë dhe veprën e paharruar të atyre që nuk kursyen as jetën. Duke parë veprën e tij në mbledhjen e trashëgimisë tonë folklorike, sidomos të Lirikës popullore shqipe strugane, që profesor Rexhep Qosja e vlerëson aq shumë, Nuhiu, sidomos për nga qëllimi, përherë më është dukur si një Thimi Mitko i kohës tonë. Kjo bije në sy edhe te ribotimi i pas plot dyzet vitesh i poemës, tani të ripunuar, “Kënga e Lahutarit” (botimi i parë me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit). Është një nga ngjarjet më epike në historinë e popullit tonë, ku doli qartë jo vetëm dëshira e shqiptarëve për të denoncuar vendimet e poshtra të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, por edhe domosdoshmëria e shporrjes së pushtuesit shekullor turk dhe formimi i një shteti kombëtar. Ishte aq e rëndësishme veprimtaria, deri me luftë e kësaj Lidhje, ku u pa bashkimi i burrave të shquar, njësoj si 2 marsi i 1444 nën Skënderbeun në Lezhë, sa hordhitë serbe, me urë në dorë, në periudhën e turpshme të sulmit mbi Kosovë, nuk harruan ta shkatërronin atë ndërtesë modeste që ishte shndërruar në simbol për të gjithë ne. Se atje dolën atdhetarë si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Dibra, Ymer Prizreni, Mic Sokoli, Ali Ibra, Ali Neza, Sefë Kosharja etj. që do të ruhen në kujtesën tonë me të njëjtin nderim si Gjergj Kastrioti, Lekë Dukagjini, Gjergj Araniti, Gjergj Balsha, Lekë Zaharia, Andrea Topia me shokë. Ashtu si Fishta i madh (dekoruar tash së fundi me meritë me “Urdhëri i Flamurit” nga Presidenti i Republikës), edhe profesor Nuhiu ka preferuar që në titull të evidentojë Lahutën, veglën përfaqësuese të eposit tonë të kreshnikëve, të cilën, edhe këtë duan ta përvetësojnë serbët. Kujtesa popullore me mundësitë që kishte, ka krijuar dhe përcjellë dora - dorës, pra nga brezi në brez, këngë trimërie për ata burra të mençur dhe trimërinë e tyre.

Duke u mbështetur në to dhe duke ruajtur pak a shumë strukturën e tyre, Nuhiu me bindjen e drejtë se nuk po bën histori, por letërsi, ku edhe lejohen kapërcimet, hiperbolat, elozhet, eufemizmat, figuracionet, eufonitë, metaforat e të tjera mjete artistike, ka krijuar një rapsod pa kostum e kollare me emrin daja Lekë që është vetë poeti që i tregon vogëlushit Kastriot, dhe siç thotë, e ka ngjallur për të kënduar ashtu sikurse ai ka bërë në shekuj. Parë kështu, por edhe nga thjeshtësia me të cilën ky akademik shkruan, natyrshëm kuptohet se kujt i drejtohet ai. Duhet pranuar se ai synon vëmendjen e të rinjve, por poema e tij ka dhe anën tjetër; fare mirë atë mund ta lexojnë edhe të rriturit. Pastaj, s`duhet harruar se ata të rinjtë, dikur do bëhen të mëdhenj, burra e gra, siç janë bërë ata të dyzet viteve më parë. Duke përdorur fjalë dhe shprehje të asaj periudhe të cilat nuk i lë pa sqaruar në poshtshënime, ky autor e nis poemën me vargun tetërrokësh dhe me rimë. Pastaj, në pajtim me zhvillimet, bëhet më luftarak dhe për të gjëmuar më shumë, si dhe për t`i dhënë përparësi ngjarjeve, sikur devijon, por kjo nuk bije fare në sy, se të rrëmben ecuria dhe bëmat e heronjve. Ai e di se urrejtja për pushtuesin turk dhe tradhtarët nuk mund të shprehet me fjalë të rrumbullakosura, të lëmuara dhe elegante. Ato duhet të mbesin në kujtesën e lexuesve gjatë edhe duke qenë disi të ashpra, se të tilla janë dhe krimet e tyre. Arsyetimi gjakftohtë ka mjaftuar te përshkrimi i situatës politike, ku ai qesëndis diplomatët me cilindra e me frak, që kombe duan të mbysin në gjak, por pastaj, kur nis sulmi armik, ku marshalli Dervish Pasha dhe të gjithë dervishët e tjerë (shihni sa bukur i përmbledh ata) nuk kursen kërkënd, se i imponohen vargje të tilla: “Seç po bijnë daullet, / Daullet po bijnë / Rrugës ka shkel turku / Bari më nuk mbin. / Çohen larg trekëmshet / Topat gjuajnë fshatra: / Vjen Dervishi i tmerrshëm / Me kuaj në të katra.” Apo kur Qëndresa merr proporcione popullore, ku gjithkush nuk e ka për gjë të japë edhe jetën, puna ndryshon. Tym e flakë kanë fushat e betejës.

Ndaj autori shprehet: “Gryka, hej ju gryka / Që n`shekull t`pes`mbëdhjet` / Gremisët e grisët / Dhe sulltanët vet`. / Gryka, hej ju gryka / Të maleve jetike / Nëpër shkekuj çelët / Ju varre armike. / Që n`Kohë të Skënderbeut / Ja edhe tani. / Ngrihet Sylë Vokshi / Çon dorën përpjetë: / Na nuk do të vdesim, / Na do t`rrojmë përjetë!” Në një version të shkurtuar “Për trimat e Lidhjes së Prizrenit” prof. Nuhiu portretizon njerëzisht Abdyl Frashërin dhe atë që u hodh mbi topin e armikut, Mic Sokolin, që e quan dragua dhe për të cilin shkruan: “Dritë e tij vazhdon t`na thot`: / “Duhet gjak, e jo lot!” Po kështu, pra me tone rrëqethëse na jepen heronjtë e tjerë si Sefë Kosharja , vargjet për të cilin i merr nga populli: “Sef ë Kosharja i pari i fisit, / Hije të paska maja e lisit”. Dhe vijojnë, Smajl Mehmeti e Zef Shkaba që duron torturat e turqve dhe nuk i jep shokët. Për më tepër, ai ia merr këngës: “Fryj moj erë e bjer freski, fryj, moj erë, / Se pas teje vjen një shi, fryj, moj erë, / Zhduk këtej këta osmanlli, fryj e fryj”. Dhe armiqtë e egërsuar ia presin këngën në mes. “Ra Zef Shkaba mbi flamur, / Mbi flamurin e plagosur, / Ra Zef Shkaba, ai burr / Këngën dot pa e sosur”. Të tillët, bijen për të mos vdekur kurrë. Ky është dhe mesazhi që jep akademiku atdhetar Nuhi Vinca, i cili gjithmonë ka qenë i preokupuar për dashurinë dhe mirëkuptimin mes shqiptarëve dhe kultivimin tek ata të edukimit me gjithçka të mirë na la historia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat