Saga e familjes Maia, një histori dashurie, provokime dhe një shoqëri e skandaleve në vitet 1888

Libra

Saga e familjes Maia, një histori dashurie, provokime dhe një shoqëri e skandaleve në vitet 1888

Më: 8 janar 2021 Në ora: 18:03
Foto Ilustrim

Një roman epik portugez i shekullit XIX, që kthehet në një rrëfenjë të çuditshme rënie e rrënimi.

“Saga e familjes Maia” është një klasik i letërsisë portugeze, më i njohuri i shkrimtarit portugez José Maria Eça de Queirós, botuar për herë të parë më 1888. Ngjarjet e romanit zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në të tregohen peripecitë e familjes aristokrate Maia në tri breza, deri te pinjolli më i fundit i saj.

Afonso da Maia, një fisnik i kamur, që prej vitesh jetonte i vetmuar në një çiflig fshati, vendos përfundimisht të kthehet në Lisbonë, në shtëpinë e quajtur Ramaljetë (Shtëpia me gjethe), për hir të nipit të tij Karlosit, të sapodiplomuar në Mjekësi. Karlos da Maia, trashëgimtar i një prej dyerve më të mëdha aristokrate në Portugalinë e mesit të shekullit XIX, është i pasur, i pashëm, bujar e i zgjuar. Familja ka varur tek ai gjithë shpresat dhe ambiciet shoqërore. E shkuara e lavdishme dhe e tashmja e pakënaqshme bashkëjetojnë brenda tij gjatë gjithë kohës. Një dandy i suksesshëm, historia e dashurisë e së cilit me Maria Eduardën vë në lëvizje një sërë rastësish, që gërshetojnë në mënyrë kumbuese fatin e Karlosit me atë të të atit dhe përhapet në gjithë shoqërinë portugeze.

Miqtë e Karlosit, që janë po ashtu bij fisnikësh, që enden nëpër kryeqytet në kërkim të kënaqësive, teksa filozofojnë, pinë, shkojnë kohën kot dhe ushqehen me ideale boshe për një Portugali të cilën do të donin ta shikonin në lartësinë e Francës apo të Anglisë, dëshmojnë më së mirë inferioritetin që ndiejnë para të huajve.

Nga ana tjetër, dashuritë e tyre dhe të Karlosit në veçanti, që përfundon me një dashuri incestuoze për të motrën, rrisin ankthin e pritjes dhe e shndërrojnë romanin në një tragji-komedi.

“Saga e familjes Maia” rrëfen kalimin e pandalshëm të kohës, kauzat e humbura dhe dekadencën e kulturës dhe shpirtit portugez. I konsideruar si “Libri më i mirë i romancierit më të mirë portugez” nga shkrimtari nobelist José Saramago, “Saga e familjes Maia” është një roman klasik i letërsisë portugeze, me një atmosferë dikensiane, me një stil realist alla Flaubert dhe Zola e me një subjekt të denjë për tragji-komeditë shekspiriane.

Kritika

Me një stil të pasur, me një rrëfim plot pasion dhe me humor të hollë, Eça de Queirós analizon pa frikë dekadencën shoqërore të epokës dhe vendit të vet. – The New York Times

Eça de Queirós ka kapur thelbin e shtresëzimit shoqëror të familjes dhe mënyrën e ndikimit të erosit mbi jetën personale. Romani kristalizon mashtrimin më të madh të një shoqërie incestuoze, të një shoqëri që po shkon drejt zhbërjes. – Pubblishers Weekly

Romanet e Eça de Queirós, të mbushura me provokime seksuale dhe të egra nga ana sociale, që trajtojnë histori dashurie dhe skandale mes klerit dhe klasës së mesme, konsiderohen si pararendëse të realizmit në Portugali. – The New York Review

José Maria Eça de Queirós (1845-1900) ishte shkrimtar, diplomat dhe gazetar portugez. Si shkrimtar ai ishte i përkushtuar ndaj reformave shoqërore që çuan në futjen e Natyralizmit dhe Realizmit në Portugali.

Shpesh është konsideruar si romancieri më i mirë portugez i shekullit XIX, me famë ndërkombëtare. Ai ishte fëmijë i paligjshëm i një gjykatësi dhe pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në kolegj. Studioi për juridik, por letërsia ishte ajo që e tërhiqte më tepër. Shumë shpejt, tregimet e tij të shkurtra – ironike, fantastike, makabre dhe shpesh tronditëse – si dhe artikuj për çështje nga më të ndryshmet do të botoheshin në Gazeta de Portugal. Më 1871, u bë pjesë e një grupi intelektualësh rebelë portugezë, i njohur si Brezi i ’70-ës, të cilët kërkonin reforma shoqërore dhe artistike. Ai ishte babai i realizmit portugez, rinovoi thellësisht gjuhën duke e shpënë në stadin aktual. Pjesën më të madhe të veprave i shkroi jashtë Portugalisë, por gjithnjë me një vëmendje dhe sy kritik ndaj realitetit portugez.

Fragmente nga libri

“Ajo që na bën ta durojmë këtë jetë, është pikërisht gazi i pafre, hareja. Në ditët e sotme, në Europë, njeriu sikur ka harruar të qeshë, vetëm sa buzëqesh nganjëherë. Kurse ne këtu, në këtë qoshe të botës së paqytetëruar, e ruajmë ende atë dhunti sipërore, aq ngushëlluese e të bekuar – siç është e qeshura sa të të dhëmbin brinjët”. tani, e gjora Portugali përpiqet të duket moderne, veçse pa origjinalitet, pa energji dhe aftësi për të krijuar një stil të vetin, unik… dhe çfarë bën? Imiton modelet e huaja që sheh në veshje e në ide, në sjellje dhe ligje, madje deri te gatimi… Mirëpo, këtyre njerëzve, duke qenë se u mungon sensi i masës, për më tepër që i ka vënë përpara padurimi për t’u dukur modernë e të qytetëruar, po e teprojnë me shabllonet dhe po i deformojnë ato deri në kufijtë e karikaturës. Modeli i çizmeve që erdhi nga jashtë, kishte përpara njëfarë maje, por këta e holluan, e zgjatën dhe e bënë mu si gjilpërë. 

E gjitha është një gënjeshtër, një shtirje në masë! Madje hipokrizi. Nuk ka mbetur asgjë e pastër në këtë vend mjeran, madje edhe buka që hamë! gjithkush dështon në jetën që ka përfytyruar për veten e tij, se “një ditë, do të bëhem ai që dua”.

Asgjë mos dëshiro e asgjëje mos iu tremb. Mos shpreso më kot dhe as mos u mërzit. Prano që gjithçka vjen e shkon, madje qetësisht, ashtu siç pranojmë ndryshimet e motit me ditë të stuhishme e me ditë të ngrohta. Dhe në këtë paqe me veten, lëre mënjanë atë pjesën që quhet UNI, që të dekompozohet, të zhbëhet, derisa të humbasë në universin e pafund. Mbi të gjitha, mos lakmo. Dhe, për më tepër, mos u ligështo!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat