Nën patronazhin e Lidhjes Demokratike të Malit të Zi dhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, në Galerinë e Qendrës Kulturore në Ulqin, me moderimin e shkëlqyer nga znj. Ardita Rama, drejtoreshë e bibliotekës, u përurua libri i shkrimtares nga Pazari i Ri, znj. Amina Nuraj, me titull “Unë bija e atdheut”.
Moderatorja, në fillim të këtij manifestimi kulturor, përshëndeti të gjithë të pranishmit, veçanërisht Kryetarin e Lidhjes Demokratike për Malin e Zi, zt. Saubih Mehmeti, Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, zt. Faik Nika, Konsullin e Republikës së Kosovës në Malin e Zi, si dhe mysafirët e tjerë nga mërgata, Kosova, Shqipëria, Kraja e Sanxhaku.
Më pas, fjalën e mori referuesi i librit, pishtari i arsimit, shkrimtari dhe poeti zt. Ali Gjeçbritaj, i cili bëri një analizë të thellë për këtë mbrëmje letrare, duke theksuar se ky libër ngërthen ngjarje të vërteta tejet tronditëse nga shtypja e egër ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Sanxhak dhe në Pazarin e Ri. Znj. Nuraj, me tërë forcën e shpirtit dhe britmat e zërit të saj, vjen si zë i vetmuar, por me një këmbëngulësi titanike.
Ky zë është një klithmë për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, duke bërë një rezistencë stoike që vendos në rrezik veten, rrethin e ngushtë familjar dhe shumë shqiptarë në Sanxhak që ndajnë të njëjtin shqetësim. Në Pazarin e Ri dhe Sanxhak, një shekull më parë dhe deri sot, zhvillohet një gjenocid dhe një apartaid i paparë nga regjimi fashizoid i Serbisë, i cili është i panjohur për shumicën, përveç shqiptarëve që jetojnë atje, shpesh të frikësuar për t’u deklaruar si të tillë.
Ali Gjeçbritaj shtoi se ky libër nuk është vetëm për t’u lexuar, por duhet të studiohet me përpikmëri për të kuptuar më mirë fatin e shqiptarëve atje, të cilët sipas autores bëjnë një rezistencë të heshtur, ngërthyer nga ankthi dhe frika. Libri “Unë bija e atdheut” përmban 191 faqe, është autobiografik dhe përshkruan histori të dhimbshme familjare, ilustruar edhe me shumë fotografi të personazheve.
Autorja, e lindur më 25 prill 1997 në Pazarin e Ri, rrjedh nga një familje me tradita të forta shqiptare. Siç theksoi referuesi, libri tregon se si ruhet me fanatizëm identiteti kombëtar, gjë për të cilën autorja u përgëzua për bujarinë dhe trimërinë e saj. Ai përfundoi fjalën duke kërkuar nga lexuesi të lexojë librin me përkushtim, për të përfituar sa më shumë nga përvoja e përshkruar aty.
Më pas, drejtoresha e bibliotekës, znj. Ardita Rama, lexoi një tregim nga libri me titull “Mësuesi me sy të shtrembër”, që ngërthente një ngjarje rrënqethëse nga përvoja e autores dhe tregonte identitetin e saj dhe të Flamurit shqiptar. Leximi shpërtheu emocione dhe nuk munguan lotët mes të pranishmëve.
Për të ndryshuar pak atmosferën e rëndë, poeti dhe shkrimtari nga Kosova-Gjermania, Neki Lulaj, recitoi një poezi, duke përgëzuar autoren Amina Nuraj për përpjekjet e saj, duke theksuar se libri u përurua në muajin nëntor, në përkujtim të 117-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe 113-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe pak muaj më vonë, në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Poezia e tij u mirëprit me duartrokitje të zjarrta.
Më pas u shfaq një dokumentar nga autori Marin Mema, i fokusuar në zonat e banuara nga shqiptarët në Pazarin e Ri dhe Sanxhak, me fjalime dhe intervista nga banorët. Njëri nga ta tha:
"Mos na harroni. Çdo iniciativë nga Kosova dhe Shqipëria duhet përshëndetur dhe mbështetur. Nëse këto dy qendra na kanë harruar, kjo nuk duhet të ndodhë."
Fjala iu dha më pas autores së librit, Amina Nuraj, e cila ndau përjetimet e saj rrënqethëse. Ajo tregoi se në moshën 11-vjeçare, kur vizitoi Mitrovicën, u befasua nga mikpritja atje, krahasuar me paragjykimet që kishte përjetuar në rrethin ku jetonte. Ajo kujtoi përballjen me mësuesin dhe bashkëmoshatarët për flamurin shqiptar dhe arrestimin nga milicia serbe në moshën 16-vjeçare për një poezi kushtuar Adem Jasharit. Përpjekjet e saj nuk u ndalën kurrë.
Ajo shtoi se rinia e Sanxhakut është e shtypur dhe ndrydhur, por po vetëdijohet dhe duhet të dalë nga kjo gjendje e vështirë. Amina Nuraj përmendi se në Sanxhak janë asimiluar rreth 380 mijë shqiptarë dhe se ajo nuk do të ndalet në kërkimin e drejtësive të tyre. Pas 100 vjetësh, ajo hap Këshillin Kombëtar Shqiptar në Sanxhak dhe kryeson këtë organizatë.