Shkrimtarja dhe poetja e njohur Rita Petro ka ndarë reflektime të thella rreth librit të saj më të ri, “Poema e Mungesës”, një vepër që përshkruan dhimbjen, vetminë dhe dashurinë e humbur.
Në një rrëfim për procesin krijues, Petro tregon se synimi i saj nuk ka qenë të flasë vetëm për përvojën personale, por të arrijë tek ndjesia e mungesës që ndien çdo njeri.
“Kam dashur që të mos jem unë dhe personalja ime, kam dashur gjithmonë që ta kapërcej atë personalen për të sjellë diçka që atë mungesë që ndjej unë mund ta ndjejnë atë mungesë. Si duket humbjet e dashurive të mëdha lënë ato gjurmët”, u shpreh shkrimtarja Rita Petro.
Autorja e përshkruan përjetimin e saj si një udhëtim shpirtëror që nis me një “rrëke” ndjenjash e përfundon në një “det” emocionesh, duke treguar se humbjet e dashurive të mëdha lënë gjurmë të pashlyeshme.
“Në çdo hap ndjeja që gjithë vështirësitë që i kalonim bashkë, vura re që pasi ai iku ndodhën shumë ngjarje dhe në fund të fundit ky libër është një bashkëbisedim dhe në ngjarjet që kishin kaluar dhe me gjithë ngjarjet e tjera që ndodhin”, shtoi shkrimtarja Petro.
Një nga temat më të prekshme të veprës është vetmia, të cilën poetja nuk e sheh si boshllëk, por si një formë paqeje dhe njohjeje me veten.
“E kam parë vetminë edhe si refleks brenda vetes, si paqe me veten, dhe duke e parë veten si pasqyrë e shpirtit tim dhe larg atyre pasqyrave që shpesh njerëzit harrojnë se kush janë”, tha ajo.
Në fund, Petro pranon se kujtimet më të bukura shpesh kthehen në burim dhimbjeje, por thekson rëndësinë e pranimit të tyre.
“Momentet më të bukura, kthehen në momente shumë të forta dhimbje me thënë të drejtën, por që duhet ti pranosh dhe të mos kesh frikë që të mos i shikosh”, thekson Rita Petro.
Vepra do të jetë në panairin e librit që hap siparin më 12 nëntor, në shtëpinë botuese “Albas”.