Rreth librit të shkrimtarit Mikel Gojani “Çaste leximi dhe interpretimi

Libra

Rreth librit të shkrimtarit Mikel Gojani “Çaste leximi dhe interpretimi

Nga: Llesh Ndoj Më: 13 prill 2022 Në ora: 20:13
Llesh Ndoj

Edhe pa qenë i angazhuar si studiues e specialist i fushës, por thjeshtë në rolin e konsumatorit të saj, konstatohet lehtë se fusha e krijimtarisë letrare, në këto 20 - 30 vitet e fundit, në hapësirën mbarëshqiptare, ka pësuar një hov të dukshëm, të paktën sa i përket aspektit sasiorë. Botohen shumë libra, kryesisht në poezi, por zhvillohen edhe shumë aktivitete në këtë fushë, duke e bërë atë, si të thuash, një përditshmëri të shumë njerëzve.

E gjitha kjo falë fitimit të lirisë si pasojë e rënies së totalitarizmit në Shqipëri e çlirimit nga hegjemonia serbe nga ana tjetër e trojeve tona, por edhe nga shtimi i mundësive e rrjeteve komunikuese, sidomos i atyre sociale, ku shumëkush e në çdo kohë, mundet të shfaqet lirisht për një publik jo të vogël. Kjo ka pa diskutim anën e vet pozitive: njerëzit shfaqin lirshëm opinionet e tyre, qëndrimin e tyre ndaj botës që i rrethon, por edhe mendimet e tyre rreth projektimit të një realiteti ndryshe, duke shmangur ekskluzivitetin e një grushti njerëzish, por edhe ballafaqojnë veten me të tjerët, e më të përgjegjshmit prej tyre e korrigjojnë vetveten.

Veçanërisht ballafaqimi i lirë me krijuesit e krijimtarinë kosovare, duhet parë si arritja më e madhe në këtë fushë. Ndoshta për shkak të rrethanave historike në të cilat ata kanë jetuar, ku disa liri, sidomos ajo e besimit, nuk iu është ndaluar kurrë; ndoshta fakti se kanë qenë nën një rrëgjim sundues e të huaj me mungesë të theksuar të lirisë; ndoshta vetë ai territor i mbushur me histori të lavdishme e me ndërthurje të jashtëzakonshme të fakteve, ngjarjeve e kulturave të rëndësishme, jo vetëm për botën shqiptare, ndoshta përdorimi i mjeteve gjuhësore të pa cunguara siç u bë dhunshëm në Shqipëri, ndoshta të gjithë këta faktorë së bashku e shumë të tjerë si këta, kanë bërë që krijuesit kosovarë të kenë një nivel të lartë si krijues e si studiues, gjë që sjell një kontribut të qenësishëm në kulturën kombëtare shqiptare.

Rritja sasiore, nuk ka dyshim qe do të sjellë edhe rritje cilësore. Them do të sjellё, pasi nënkupton se kjo nuk ka ndodhur plotësisht deri më sot, kryesisht për faktin se mungon kritika e mirëfilltë letrare, mungojnë ose janë në përgjumje apo trullosje reformimi dhe institucionet e mirëfillta studimore, përmes të cilave publikut do t’u servirej hierarkia e vlerave krijuese e studimore aktuale. Natyrisht, jo si diktat i leximit të atyre shkrimeve e krijimeve që shkojnë përshtat me politikën zyrtare, por si mundësi, si hierarki vlerash, si rekomandim e argumentim i tyre. Si në çdo fushë, edhe në këtë aspekt, liria ka sjellë me vete dy anët e medaljes: nga njëra anë mundësinë e shprehjes së të gjithëve e për gjithçka, e nga ana tjetër mungesën e opinionit të kualifikuar. Janë ngritur disa bashkime vullnetare, ndoshta me një emër e vullnet personal të dikujt, që organizojnë pseudokonkurse e shpërndajnë çmime pafund, vlerësime e tituj, me një inflacion të jashtëzakonshëm. Të shohësh certifikatat e tyre virtuale, me vlerësime pompoze për të ashtuquajtura krijime që as për ndërshikim (krijimtari popullore gojore në formë vargjesh, që duhet vlerësuar si e tillë!) nuk mund të merren, kupton se sa dëm i bëhet kësaj fushe nga mungesa e kritikës së mirëfilltë letrare. Ajo ose mungon, ose është totalisht e sponsorizuar, duke sjellë në të dyja rastet të njëjtin rezultat. Jo se nuk ka individë që merren vullnetarisht me këtë punë, por se atyre u mungojnë mjetet financiare për ta bërë këtë, ashtu si edhe distribucioni i botimeve të tyre e i librit në tërësi. Nëpër shkolla, rekomandimi i literaturës ka hyrë, si shumë fusha të jetës, në “darën” e korrupsionit, duke e hequr nga duart e publikut edhe këtë mundësi që tek ata të shkojnë vlerat më të larta të fushës.

Megjithatë nuk mungojnë individualitet edhe në këtë fushë tё krijimtarisë. Njëri prej tyre është edhe shkrimtari e studiuesi i nderuar Kosovar, profesor Mikel Gojani, mësues në pension, autor i më shumë se 12 librave studimorë dhe botues i 11 tituj librash në poezi, i 3 romaneve e 19 librave të kategorisë së letërsisë dokumentare e publicistike. Krijimtaria e Gojanit mban “era jetë”! Vargu i tij është i thjeshtë dhe i bukur, ai del nga shpirti e zgjon tek lexuesi dashuri shpirtërore; kritika e tij është një lexim “me syun e mirë” i veprave të të tjerëve. Ai nuk synon të ulë askënd, por edhe në një botim a krijim të thjesht të një emri të panjohur, synon të veçojë atë që përbën vlerë, e këtë nuk përton ta ndajё me të tjerët. S’ka si të jetë ndryshe! Ai gjithë jetën është prirë nga pozitiviteti e ka synuar t’i shohë gjerat “gjysma plot”, ashtu siç duhet të dijё të bëjё një mësues, a pedagog, apo edhe një prind i mirë. Çdo krijues ka një fillim. Natyrshëm që në krijimet e tij çdo shkrimtar ka vepra të arrira, më pak të arrira, apo edhe të dobëta, por një krijim nuk është kurrë një “hiq”! Duhet ta lexosh krijimin e tjetrit, jo vetëm me mend, por edhe me shpirt, jo vetëm me sy, por edhe me “syun e mire”; duhet ta lexosh duke e parë “gjysma plot” e jo me paragjykim nga emri i autorit, që të mund të qëmtosh anët e tij pozitive, por edhe të vesh në dukje të metat e dobësitë e tij, duke u bërë pararojë e opinionit të shëndoshë që konsumon letërsi, por edhe një ndihmës që autori të përmirësohet në vijim.

I tillë është krijuesi e studiuesi Gojani. Ta njohësh nga afër, lexon lirshëm shpirtin e tij, ta dëgjosh fjalën e tij të avashtë e plot peshë, kupton formimin e tij, të marrësh këshilla prej tij kupton pozitivitetin që e udhëheq në krijimtari e në jetë. Në parathënien e librit të tij me poezi “Hija që më rri varur”, Sulejman Mato shkruan për Mikelin se: “Qysh në takimin tonë të parë, atje tek porta e Pallatit të Kulturës të Klinës, më la një përshtypje mbresëlënëse. I thjeshtë, i dashur, i përzemërt e njerëzor…”, ndërsa Lekë Mrijaj, po aty, duke përcjellë librin e tij, thotë se lexuesi në poezitë e Gojanit “…do zbuloj një shpirt të trazuar, shpirt që e shpien ngado erërat porsi zogjtë, por megjithatë, di të mbahet fort me forcën e tij shpirtërore, me dashurinë e pakufishme…”. Tek libri i fundit me poezi “Me hënën mbi tisin qiellor”, ndonëse një libër i shkruar prej tij në kushtet e dhimbjes së humbjes së një dashurie, nga humbja e parakohshme e bashkëshortes, dashuria merr përmasa hyjnore e profesor Mikeli e sjell atë në trajtën më të bukur, plot metafora, herë si dritë e hënës, herë si yll polar, herë si rreze dielli, e herë si valë deti… Nëpërmjet dashurisë, në vargjet e këtij libri mësojmë se si përjetohet ajo e bëhet bashkudhëtare edhe në ëndrra, duke mbetur motiv nxitës për jetë, ku zbrazëtia e çastit, shndërrohet në një shpresë tërheqëse për jetën, pa e lejuar veten të mbytet në “moçalin e lotëve”. Ky libër e këto motive të tij, meritojnë një analizë të veçantë ndaj këtu, po ndalem me kaq, thjesht duke cituar dashurinë si një motiv hyjnor që gjendet bashkëshoqërues në tërë qenien e profesor Mikel Gojanit.

Kemi të bëjmë, pra, me një personalitet të shquar të letrave i cili krijon, lexon e studion me shpirt e me objektiva për të kontribuar pozitivisht në shoqëri, me fjalë të thjeshta që mbajnë në brendësi të tyre peshën e një mendimi të thellë e ngjyrat e një shpirti të dashur. Kjo thjeshtësi dhe dashuri që e karakterizon njeriun Mikel, krijuesin e studiuesin Gojani, i japin punës së tij kolorit, pamja e të cilit është qetësuese për sytë e shpirtin e lexuesve të vet. Ai e transmeton tek lexuesi ndjesinë e vet, duke qenë njëri sish dhe nuk krijon distancë me lexuesin, duke patur krijimtari, ide e konkludime jetësore të cilat, edhe kur flasin me yjet e për yjet, burojnë nga e përditshmja jonë. Të gjitha këto tipare, një lexues mundet t’i kuptoje në se lexon librin e tij më të fundit, titulluar: “Çaste leximi dhe interpretimi”, libër ku studiuesi Gojani ka venë në qendër të vëmendjes, autorë e botime të shumta, disa prej të cilëve, nuk është se “kanë bërë një emër” në fushën e letërsisë, dhe ka nxjerrë prej tyre vlera e kontribute që i shërbejnë të sotmes e të nesërmes, ashtu siç nuk përton të shkruaj edhe për kolosë e emra të njohur të letërsisë e letrave shqipe si Nasi Lera, Ndriçim Kulla, Anton Nikë Berisha, Fatos Lubonja e Prend Buzhala, ku autori gjenë këndin e vet të leximit, gjithnjë me “syun e mirë” e të interpretimit me shpirt të disa prej veprave e tyre, duke përcjell tek lexuesit një panoramë të bukur e duke i grishur për lexim edhe ata. Janë gjithsej shtatë vepra në prozë, të shtatë krijuesve që merren në analizë nga Gojani, pesë vepra të gjinisë poetike të pesë poetëve si dhe disa fjalë e reflektime të autorit në raste e ceremoni të ndryshme si ajo për përvjetorin e ndarjes nga jeta të mësuesit Frrok Gojani, fjala me rastin e 70 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur Prend Buzhala, refleksione dhimbje pёr ndarjen nga jeta tё shkrimtarit Bardhyl Londo e gazetarit Ilir Buçpapaj. Libri përmbyllet me një shënim - refleksion të autorit “Rusia dhe Serbia nostalgjikё radicionalё të mitit të egërsisë dhe hegjemonizmit”.

***

Nga shkrimtari Nasi Lera, autori vendos në fokus librin me tregime “Treni ecte drejt dëborës” (SHB Naim Frashëri, 1986), për të cilin shprehet se është një vepër që karakterizohet nga vlera të mirëfillta ideo - artistike dhe e cilëson atë si “…një ndër veprat më të bukura tregimtare në letërsinë shqiptare,…” e autorin e saj “…ndër tregimtarët më të talentuar të letërsisë së sotme shqipe.”, që shënon një kulm të lakmueshëm letrar. Për studiuesin Gojani, karakteristikë e këtij vëllimi me tregime është “…komunikimi i mirë dhe i lehtë me lexuesin, në sajё të funksionit nominativ të fjalëve e të sintaksës së pakomplikuar”, duke veçuar se ligjërimi i shkrimtarit i afrohet ligjërimit të thjesht bisedor. Nuk është rastësi që Gojani e veçon këtë karakteristikë të shkrimtarit Nasi Lera, pasi edhe ai vetë, në tërë qenien dhe krijimtarinë e tij (pjesë e pandarë e qenies!) reflekton thjeshtësi e prodhon letërsi komunikuese, larg megalomanisë e ndërlikimeve të panevojshme që e bëjnë atë të rëndë e të pakuptueshme për lexuesin.

Nga Ndriçim Kulla, autori ka veçuar e venë në fokusin e interpretimit të tij veprën me vlerësime për figurën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, titulluar “Biografia e Ismail Kadaresë nga koha e tiranisë deri më sot - Ylli i Shkrimtarit” (SHB Plejad 2013), ku që në rreshtat e parë potencon rëndësinë dhe vështirësinë e një vepre të tillë, për shkak të aktivitetit të gjerë të shkrimtarit, shtrirë në një periudhë të gjatë kohore dhe të përmasave të karakterit botëror të tij, duke vlerësuar se për ta bërë këtë kërkohet “…një përkushtim me shumë seriozitet dhe kompetencë…”, për të cilën vlerëson se ai ka bërë përpjekje maksimale përmes një vepre voluminoze. Analiza e profesor Gojanit rrëshqet nëpër faqet e librit të Kullës, nga njëri kapitull në tjetrin, duke veçuar në secilin prej tyre ato që përbëjnë esencialen, e nxjerrë në pah cilësitë e shkrimtarit Kadare, ku problemet e censurës e autocensurës, kritikave e dashurive që lidhen me sistemin e kaluar totalitar shqiptar, marrin vëmendje të posaçme. Libri i Kullës ofron fakte, se shkrimtari në aktivitetin e tij ndiqej e përndiqej nga hienat e kohës, duke qenë ndoshta edhe përgjigja më e plotë e raportit shkrimtar oborri apo shkrimtar i disidencës në letërsinë shqipe, përgjigje që shkon në favor të disidencës. Sipas profesor Mikelit “Ky libër është vlerësimi më meritor që mund t’i adresohet lexuesve… rreth profilit jetësor dhe veprimtarisë gjigande të këtij shkrimtari të madh të letërsisë sonë”.

Nga prof. Dr. Anton Nikë Berisha, ka veçuar e marrë në analizë romanin “Frymëmarrje nate” (SHKB “Faik Konica” dhe Kuvendi Franceskan 2021), analizë që paraprihet nga një profil jetësor dhe i veprimtarisë letrare të autorit, njohjes së aktivitetit të tij të madh dhe tё rёndёsishёm në fushën e letrave, gjë që e bën analizën e tij edhe më të afërt e të kuptueshme për lexuesin. Për romanin “Frymëmarrje nate”, Gojani shprehet se “…ndjek modelet e rrëfimit realist, të konsoliduar tashmë në krijimet e autorit…”, dhe vlerëson mënyrën e tij “krejt origjinale” në qasjen e temave sociale. Pas një analize të hollësishme të personazheve e ngjarjeve të romanit, profesor Gojani mbërrin në konkluzionin se autori është “shkrimtar i vlerave më kulmore të letërsisë shqipe” dhe romani i tij “Frymëmarrje nate” “…një vlerë e padiskutueshme…”, e cila ndikon në hapjen e horizonteve të reja e përsosjen e shijeve të lexuesve. Për librin e Lubonjës “Jetë burgu” (SHB Skanderbeg books, 2021) autori shprehet se përbën një zë original rreth dramës së një epoke të përjetuar, duke veçuar vlerat e autorit në fushën e publicistikës.

Për shkrimtarin e njohur Prend Buzhala, autorin e rreth 100 veprave letrare të zhanreve të ndryshme, Mikel Gojani ka vlerësimet më të larta dhe i bën një analizë veprës së tij “Pjetër Gjoni në shtigjet e jetës tereziane” (SHB Lena, 2021). Analiza e tij, duke kaluar pjesë pas pjese në librin e Buzhalës, shpalos vlerat e padiskutueshme të protagonistit të veprës, ashtu edhe të autorit të saj, prirur gjithnjë nga vlerësime pozitive e këndvështrime njerëzore rreth tyre. Nga dom Pashk Dani autori ka zgjedh të analizojë veprën “Jeta e një meshtari”, nga Afërdita Vela “Engjëlli ynë - Kujtime për Asllan Budinin”, me të cilin e mbyll analizat e tij të pjesës së pare, titulluar “Në botën studimore”, e kaluar në pjesën e dytë të tij, titulluar “Në brendinë e frymëzimit”, ku ka vënë në fokus të penës së vet disa autorё e vepra në poezi, si Anton Marniku më librin “Pikoi fjala” (SHB Meshari, 2019), Fatime Kalimashi më “Largësia mos t’na ndajë” (SHB Lena, 2021), Gjelina Maçi - Keci më “Bija e diellit” (Fast print, 2021) dhe Llesh Ndoj “Pasaportë” (Emal,2022) në këtë pjesë të librit dalin në pah më shumë se kudo tiparet e vetë autorit Gojani, i cili me zemërgjerësinë e tij, shpirtin e pasur, dijen e gjerë që ka, lexon me “syun e mirë” dhe interpreton nga këndvështrime shpirtërore autorët dhe veprën e tyre, duke veçuar prej tyre mesazhe për jetën e përcjellë ato tek lexuesi me fjalë të thjeshta e frymëzuese.

Analizat e profesor Mikelit janë stimul e frymëzim edhe për autorë të rinj, ende të pa konsoliduar në këtë fushë, siç jam unë dhe tё tjerё, pasi ai edhe kur ka ndonjë mospajtim (e të tilla sigurisht që ka) ose i anashkalon në analizën e tij, ose e sjell mospajtimin e tij si një mendim, sugjerim, dëshirë, duke ia lёnë lexuesit e autorit gjykimin e mëtejshëm. Tek ai nuk ekziston xhelozia, as dëshira që të “rrit veten”, duke ulë të tjerët. Përkundrazi. Ai synon të kontribuojë në rritjen e vlerave krijuese e shoqërore të krijuesve të ri, duke i parë veprat e tyre me “syun e mirë”. Në këtë libër zinte vend edhe një analizë e lbrit tim më të fundit me poezi, titulluar “Pasaportë”. Nuk e dija se në libër ka një shkrim të tillë, por unë u mrekullova kur e lexova. Analiza e profesor Mikelit, nuk ishte thjesht siç ka lexuar vargjet e poezive të librit, por sikur kishte depërtuar thellë në mendimet e qëllimet e mija, shprehur në formë vargu në ato krijime. Mund të them se fjalët e tij përputhen plotësisht me mendimet e mija, por nuk jam i bindur se “ato mendime” lexohen kaq lehtë në libër! Duhet një “sy i mirë” i udhëhequr nga një shpirt i madh që t’i qëmtoje ato si vlera e t’ia jap publikut përmes një analize të tillë, të thjeshtë e të thellë. Tiparet njerëzore të profesor Mikelit shfaqen me tërë plotësinë e tyre në pjesën e tretë të librit të tij, titulluar “Fjala në podiume dhe nekrologji”, ku autori shprehet me fjalë të ndjera, me vlerësime maksimale, me dhimbje e shpresë për miq e dashamirës, kolegë shkrimtarë ose jo, si për Frrok Gojanin, për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Bardhyl Londo, apo të gazetarit Ilir Buçpapaj, për shënimin e 70 vjetorit të lindjes së personalitetit të letrave shqipe Prend Buzhala apo shënimi në përmbyllje “Rusia dhe Serbia nostalgjikë tradicional të mitit të egërsisë dhe hegjemonizmit”. Profesor Mikeli jeton me kohën e shfaq qëndrimet e tij ndaj fenomeneve jetësore të botës që e rrethon, por jeton edhe me të djeshmen e sjell studime të qënësishme që ajo të mos harrohet. Kujtimet edhe ia njomin sytë ndonjëherë, por edhe loti i tij është i kristaltë e nuk ia turbullon kurrsesi shikimin…

Për të konkluduar në këtë përsiatje time me fjalë të thjeshta rreth librit “Çaste leximi dhe interpretimi” të shkrimtarit e studjuesit të vlerave të larta Mikel Gojani, por edhe për personalitetin e tij si njeri e krijues, mendoj se letërsia aktuale në territoret shqipfolëse ka nevojë për një kritikë të zhvilluar që të selektojë vlerat më të larta të saj, në një prodhim sasiorë të bollshëm, por për një kritikë që rrjedh nga leximi me “syun e mirë”, e nga një këndvështrim shpirtëror, si kritikat dhe analizat e profesor Mikelit. Mungesa e kritikës rrezikon që të marrë vlerë vulgariteti - kritika me paragjykime, leximi “me syun e keq” apo me syze magjike e transformuese, këndvështrimi nga pozitat e eprorit, nuk e stimulojnë krijimtarinë e autorët e tyre të rinj.   

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat