Parathënie për librin e Halim Hydës “Përtej valixhes diplomatike”

Libra

Parathënie për librin e Halim Hydës “Përtej valixhes diplomatike”

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 13:18
Halim Hyda

Libri i diplomatit Halim Hyda me titullin domethënës “Përtej valixhes diplomatike” e sfidon lexuesin me hamendje para se ta lexoj atë. Secili lexues mund të pres kujtime ose autobiografi të autorit nga një titull i tillë. Por, kjo është një parandjenjë që revidohet përgjatë leximit të librit.

Diplomati Hyda lëvizë nëpër tema politikologjike, sociologjike dhe diplomatike gjatë shkrimit të këtij libri. Kjo lëvizje ndodh natyrshëm, pa një prerje të qartë mes temave. Duket që biografia e tij ne jetë dhe profesion prej pedagogu, veprimtari politik dhe diplomati e kanë ravijëzuar një ndërvperim të tillë tematik.

Kështu Hyda e fillon librin e tij me një përshkrim të gjendjes politike, sociale dhe kulturore në Zvicër. Ai dëshiron që publikut shqiptar t’i ofrojë modelin modest zviceran, ku në “shtetin me të ardhura më të larta në botë për kokë banori, ministri nuk posedon vozitȅs, grup të truprojës, udhëton me tren dhe pa përcjellje kado dhe gjithkah.” Ky model është ende iluzion dhe i paarrirë në ambientin politik shqiptar dhe ne Ballkan. Ajo që poashtu mësojmë përmes këtij libri është fakti se 2,6% e banorëve të Zvicrës e flasin gjuhën shqipe,

Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet ndikimit rus në rajon, me theks të veçantë në Maqedoni. Autori konstaton se “autoritarizmi dhe nacionalizmi i Gruevskit lejuan që Rusia të ishte një nga mbështetësit kryesorë të regjimit të tij.” Duke cituar Projektin mbi Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) Hyda informon lexuesin se “një sërë dokumentesh të inteligjencës vërtetonin se spiunët dhe diplomatët rusë ishin përfshirë në një përpjekje gati dhjetëvjeçare për të përhapur propagandën dhe nxitur me mospajtimet në Maqedoni, si pjesë e përpjekjeve rajonale për të parandaluar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në NATO dhe BE.” Dhe duket, se ky projekt nuk ka kaluar pa gjurmë. Autori nuk heziton të konstatojë se një pjesë e popullatës maqedone “ka afinitete miqësore ndaj Rusisë dhe figurës së Vladimit Putinit.” Ai i sheh rrënjët e këtij ndikimi që nga luftërat ballkanike, por edhe si rezultat i propagandës ruse në rajon.

Përmes ftesës që “politika gjithmonë duhet të udhëhiqet nga intelektualët dhe nëse nuk ndodhë kështu, atëherë politika është e predestinuar që të dështojë”, autori Hyda rreshtohet në kuadrin e mbështetësve të idesë së epistokracisë, përkatësisht sundimit të të diturve. Sipas tij, jo vetëm politika, por edhe diplomacia, si fushë mjaft delikate e politikës, duhet të udhëhiqet nga elitat. Ai fton për reflektim politik, për një platformë unike për çështjet me karakter kombëtar, për një lëvizje të re me ide të reja për të bërë ndryshime nga politika e kaluar dhe ajo aktuale. Thjeshtë, sipas tij politikës shqiptare i duhet “një figure ose person karizmatik, energjik e pragmatik, të jetë poliglot, të dijë se paku disa gjuhë të huaja, të komunikojë me faktorin brendshëm dhe jashtë vendit.”

Pjesë shumë interesante në libër është përshkrimi i mospajtimeve në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i cili reflekton në pengimin e integrimit të Maqedonisë në BE. Bullgaria i ka vendosur tre kushte për mbështetje Maqedonisë së Veriut: “njohja e “të vërtetës historike” për origjinën bullgare të kombit dhe gjuhës maqedonase, heqja dorë nga pretendimet për ekzistencën e pakicës maqedonase në Bullgari dhe riformulimi i mësimit për pushtimin “fashist” bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore.” Rrethe akademike bullgare mbrojnë pikëpamjen se identiteti kombëtar maqedonas është produkt i nacionalizmit serb. Fakti se Bullgaria e ka këtë mundësi bllokimi e vë në vështirësi serioze rrugën e integrimit të Maqedonisë në BE, e cila kaloi një periudhë të gjatë bllokimi edhe nga Greqia për shkak të emrit kushtetues të saj.

Pjesa e dytë e librit ka më shumë natyrë sociologjike-filozofike. Në këtë pjesë autori shkruan për moralin, vlerat shoqërore, familjen dhe shoqërinë. Lexuesi mund të hetojë qartë pikëpamjet komunitare të autorit. Ai konstaton një shkallë degradimi të sistemit të vlerave dhe fton për rikthim drejt vlerave morale dhe shoqërore. Individi, familja dhe shoqëria janë elementet themelore të sistemit të përbashkësisë shoqërore. Duke sjellë konceptet e Platonit, Aristolit, Kantit, Hegelit dhe autorëve të tjerë, Hyda i ofron lexuesit një këndvështrim edhe teorik në lidhje me pikëpamjet e tyre filozofike për familjen dhe shoqërinë.

Në pjesën e fundit të librit autori ka zgjedhur tri tema: diasporën, edukimin në shoqëritë bashkëkohore dhe edukimin mediatik. Ai fton që t’i kushtohet më shumë rëndësi diasporës dhe ajo të konsiderohet si subjekt dhe jo vetëm si objekt, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë e investimeve të tyre në rrafshin familjar dhe shoqëror në viset shqiptare. Sipas tij mediat zvicerane “gjithnjë e më rrallë shkruajnë për shqiptarët keqbërës, e gjithnjë e më dendur shkruajnë për arkitektë, mjekë, bankierë, gastronomë të suksesshëm shqiptarë.” Kjo situatë duhet shfrytëzuar për përmirësimin edhe më tej të imazhit të shqiptarit. Investimi në arsim dhe në mësimin e gjuhës shqipe nga të tri qeveritë, e Shqipërisë, e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut, është imanente në këtë drejtim.

Në lidhje me edukimin autori i kushton rëndësi edukimit të brezave të rinj në akord me zhvillimet bashkëkohore, përderisa në lidhje me edukimin mediatik ai konstaton se është e një rëndësie të veçantë “aftësia për të aksesuar, analizuar, vlerësuar dhe prodhuar mesazhe në forma të ndryshme të komunikimit.”

Diplomatin Halim Hyda e kam njohur gjatë shërbimit tim si ambasador në Austri, në kohën kur kryente detyrën e diplomatit të Maqedonisë së Veriut në Vjenë. Ai është shquar për angazhim profesional në aktivitetet diplomatike në mbrojtje të interesave të vendit të tij, bashkëpunues dhe mik i afërt me diplomatët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, i sinçertë njerëzisht dhe i përkushtuar kombëtarisht në aktivitetet me karakter kombëtar. Në mesin e shumë veprave të dobishme që ka bërë, hyn edhe ky libër. I dëshiroj sukses në rrugën e tij personale dhe profesionale.

Prof. Dr. Sabri Kiçmari, aktualisht ambasador i Republikës së Kosovës në Japoni, me heret ne Austri dhe Australi. Drejor i Akademis per diplomaci te Kosoves.

Kush eshte Halim Hyda

Halim Hyda, studimet i mbaroi ne Prishtine, magjistrature dhe doktorature ne Shen Kiril dhe Metodij ne Shkup, i përket brezit te pare te diplomateve shqiptare, te cilët hynë ne Ministrin e jashtme te Maqedonise pas viteve 90-ta dhe me fillimin e pluralizmit dhe te demokracisë ne vend.

Ne diplomaci Hyda vjen pas nje kariere te bujshme politike, duke qene protagonist i drejtperdrejte i shume organizimeve politike dhe demokratike ne vend dhe duke ushtruar funksioine te ndryshme politike, si ne nivel komunal dhe ne nivel republikan.

Ne kohen kur shqiptaret kishin me tepër se kurrë nevoje per mbështetje diplomatike ne boten perendimore, Halim Hyda u gjend ne krye te detyrës si Konsul i Republikes se Maqedonis ne Bern te Zvicres 1998-2002. Gjate viteve 2006-2008, kontributi i Hydes ishte lidhje kryesore mes lidereve politik shqiptar ne vend dhe ambasadoreve te vendeve ne fjale per tejkalimin e grcit politik.

Halim Hyda karrierën e radhës diplomatike do ta vazhdoje ne Viene te Austrise dhe Bratislave te Slovakis nga viti 2010/2013 ne pozitën e zëvendës ambasadorit, ku gjurmët dhe frutet e punës se tij ende janë te dukshme dhe frytdhënëse.

Gjate përgatitjes profesionale/diplomatike do te kaloje edhe ne Ministrine e jashtme te Gjermanise ne Berlin, Bruksel dhe Viene.

Ne vitin 2018 u emrua ne misionin e ri diplomatik, u.d. Ambasador ne Bern te Zvicres detyre qe e kreu me shum sukses dhe mirënjohje nga ana e Ministrise jashtme te Maqedonise dhe te Ministtrise se jashtme te Zvicres.

Aktualisht eshte diplomat po ne Bern te Zvicres ne pozitën e zv. Ambasadorit.

Halim Hyda ka gjithsej 11 tituj shkencor si ne filozofin e arsimit, psikologji dhe diplomaci dhe mbi 300 punime te publikuara ne konferenca te ndryshme shkencore ne nivel vendi dhe ate ndërkombëtar.

Ne mesin e shum mirënjohjeve veçohet ajo e Nentorit per kontribut ne diplomaci.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat