Dromca jete në rrethana kohe të bujshme

Libra

Dromca jete në rrethana kohe të bujshme

Nga: Gani Bajrami Më: 28 gusht 2017 Në ora: 08:40
Kopertina e librit

Këto ditë shkrimtari dhe publicisti Hamza Halabaku opusit të tij krijues i ka shtuar librin “Rrjedhë motesh”, në të cilin prezanton kujtime nga jeta dhe veprimtaria e tij shumëvjeçare kulturore e arsimore, takime me personalitete të jetës shoqërore-politike, kulturore dhe arsimore, si dhe përjetime nga një pjesë e ditarit të tij që lidhet me kohën e luftës së fundit në Kosovë.

Si protagonist i disa ngjarjeve në rrethanat e kohës, autori Halabaku, nëpërmjet vrojtimeve e kujtimeve të tij, na sjell një libër sa real aq edhe të këndshëm, një libër që duket si një kronikë e ngjarjeve të përjetuara. Marrë në përgjithësi, shkrimet në këtë libër si kujtime dhe përjetime kanë një vlerë jo vetëm dokumentare, por edhe letrare, artistike dhe arsimore, pasi ato ndërlidhen me ngjarje e personalitete, rrethana e situata të ndryshme të shekullit të kaluar, i cili kishte periudha tejet të bujshme për popullin shqiptar.

Duke qenë edhe poet, autori librin e tij aty-këtu e vesh edhe me një ngjyrim figurativ të pranueshëm, duke e bërë atë më të këndshëm për lexuesin. Në shumë pjesë të librit tërësia e thënieve të autorit Halabaku reflekton edhe si një mesazh intelektualizmi drejt përsosmërisë njerëzore për raporte më të mira në një botë më të qetë, më të bukur dhe më humane.

Librin autori e nis me një shkrim për gjyshërit e tij nga baba e nëna, nëpërmjet të të cilit ofron të dhëna për fshatin e tij të lindjes Pozharanin, por shpalon përciptazi edhe shumë ngjarje historike dhe personalitete të kohës të shekullit të kaluar, jo vetëm nga rrethina e Vitisë dhe Ferizajt.

Një shkrim më i gjatë lidhet me personalitetin dhe të bëmat e veteranit të arsimit dhe veprimtarit të dalluar, Tahir Z. Berisha, me të cilin autori një kohë të gjatë punoi në organet e Kuvendit të Kosovës, ndërsa një kohë ishin së bashku në shumë aktivitete për zhvillimin përparimin e arsimit shqip në Kosovë, respektivisht hapjen e shkollave të mesme shqipe në mjedise të ndryshme të Kosovës për të krijuar kushte më të mira për shkollimin e të rinjve tanë, sidomos të gjinisë femërore. Në këtë kontekst ai përmend edhe emra të tjerë që po jepnin kontribut në atë drejtim, si Rabit Rexhepi, Sali Nushi, Ymer Jaka e të tjerë.

Me që autori Halabaku nga pranvera e vitit 1973 ka punuar në organet e Kuvendit të Kosovës dhe një kohë edhe ndihmës i sekretarit të Kuvendit të Kosovës, ishte dëshmitar i disa zhvillimeve të bujshme në pushtetin e atëhershëm të Kosovës. Po të lexohet me vëmendje libri “Rrjedhë motesh” do të kuptohet se Halabaku, si jurist i mirë që ishte, do ta përjetojë shumë rëndë periudhën e dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar, kohën pas demonstratave të vitit 1981 dhe atë të marrjes me dhunë të autonomisë së Kosovës, e cila kulmoi me pushtimin faktik të Kosovës nga Serbia.

Prandaj në këtë libër autori nuk mund ta anashkalojë kohën kur në Kosovë me dhunë, në rrethana shtetrrethimi, u bënë ndryshimet kushtetuese. Autori thekson se në mars të vitit 1989 në Kosovë ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme dhe ora policore nën presionin e 30 mijë policëve të sjell nga Serbia. Në këto rrethana, nën gjendjen e jashtëzakonshme dhe  në kushtet e një shtetrrethimi të egër policor, më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës u votua, pa u numëruar votat fare, propozimi për ndryshimet kushtetuese të Republikës Socialiste të Serbisë me amendamentet famëkëqija që i hiqnin Kosovës autonominë në Federatën jugosllave. Atë ditë, ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte e rrethuar me tanke dhe autoblinda ushtarake dhe policore. Në ato rrethana shtetrrethimi po mbahej seanca e Kuvendit të KSA të Kosovës. Halabaku thekson se salla ishte e mbushur përplot, ku, pos jo të gjithë delegatëve, ishte një numër shumë i madh i mysafirëve, të cilët, kur u desh të votohej për ndryshimet e propozuara, ngritën duart dhe askush as nuk i numëroi e as nuk i verifikoi votat. Pra në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe me këtë Serbia arriti ta suprimoi autonominë e Kosovës dhe subjektivitetin e saj në Federatën jugosllave, duke ia marrë të gjitha atributet e elementit konstituiv në atë federatë dhe duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.

Mirëpo, Halabaku me një fjali të zgjeruar, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, e përshkruan edhe situatën që mbretëroi më 2 korrik 1990, kur delegatët e sesionit të fundit të legjislativit të Krahinës së atëhershme Autonome të Kosovës,  në sheshin para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, shpallën Deklaratën Kushtetuese për shkëputje nga Serbia. Të rikujtojmë lexuesit se Halabaku më 2012  për këtë ngjarje ka botuar një libër të veçantë me titull “Një ditë midis dy epokash” (kujtime dhe dokumente për miratimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korriku 1990).

Pozita e ndihmësit të sekretarit të Kuvendit të Kosovës Halabakut ia kishte mundësuar të ishe një vrojtues i drejtpërdrejtë i situatës që u zhvillua atë ditë brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. “Atë ditë ndërtesa e Kuvendit ishte në një shtetrrethim të paparë policor, pasi delegatëve nuk iu lejua hyrja në ndërtesë për ta mbajtur seancën e paralajmëruar disa ditë më parë”, ka shkruar Halabaku, i cili atë ditë e kishte mbajtur me besnikëri procesverbalin nga ajo mbledhje historike e Kuvendit të Kosovës, ndërsa Deklaratën Kushtetuese e kishte dërguar për botim  në “Gazetën zyrtare” të Kosovës, e cila të nesërmen e pa dritën e botimit.

Janë interesante edhe disa dromca jete e përjetimi të autorit nga takimet me disa personalitete të kohës, duke filluar nga presidenti  historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, shkrimtari ynë me famë botërore, Ismail Kadare, si dhe krijuesit letrarë Esat Mekuli, Rexhai Surroi, Rexhep Hoxha, Rexhep Qosja, Ibrahim Kadiu, Zejnullah Halili e të tjerë.

Në disa shkrime brenda librit përvijohen edhe momente tejet emocionale të autorit Hamza Halabaku, i cili u detyrua ta braktisë Kosovën dhe të marrë rrugën e mërgimit, siç e morën delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese dhe më 7 shtator 1990 e shpallën Republikën e Kosovës dhe e miratuan Kushtetutën e saj. Pak vite pasi emigroi në Gjermani, Halabaku filloi punën e mësuesit të shkollës me mësim plotësues në gjuhën shqipe në Bavarinë Veriore, profesion të cilin e ushtroi deri në pensionim, më 1 tetor të vitit 2012. Prandaj në libër do të gjenden edhe përshtypje nga takimet me mërgimtarë, si dhe me kolegët e koleget e profesionit në seminare me mësuesit e shkollës shqipe me mësim plotësues në gjuhën shqipe në diasporë. Në këto shkrime pra ka momente të shkurtra jete e profesioni, por ka edhe brenga, dhimbje, gëzime e hidhërime.

Në cilësinë e redaktorit të librit mund të them se Hamaza Halabaku, i cili është autor edhe i gjashtë librave të tjerë letrar e publicistik, edhe me këtë libër ka dëshmuar përkushtimin që përmes fjalës së shkruar të japë ndihmesën rreth ndriçimit e trajtimit të aspekteve, çështjeve, ngjarjeve dhe problemeve të aktualitetit të jetës sonë shoqërore, historike, politike dhe qytetëruese të shqiptarëve gjithandej trojeve etnike.

Edhe në këtë libër janë një numër shkrimesh ku krijuesi dhe veprimtari i dalluar, Hamza Halabaku, ka arritur t’i shpërfaqë idetë, vlerësimet, mendimet, preokupimet, shqetësimet dhe vizionet rreth temave e çështjeve që i bën objekt trajtimi. Me një përkushtim të veçantë dhe qasje racionale ai shpreh shqetësimet e kohës në të cilat shpalos dhimbjen e revoltën dhe rrjedhën e kohës e lidh me synimet e atdhetarëve tanë më të spikatur. Në kuadër të shkrimeve, autori me arsye dëshmon se atdhetarët e vërtetë jetuan me kohën dhe e ardhmja e atdheut ishte shqetësim i shqetësimeve të tyre. Së këndejmi nënteksti i shumë shkrimeve është mbase i qartë: intelektualët shqiptarë duhet të jetojnë me problemet e kohës dhe të bëhen zë i artikuluar qartë i kërkesave kombëtare të bashkëmoshatarëve kudo që ata jetojnë e veprojnë.

Duke lexuar disa nga shkrimet e Halabakut, të përmbledhura në këtë libër, del se mjeshtëria e fjalës është fort e kushtëzuar nga synimet e tij dhe në raport me kohën e situatat me të cilat ballafaqohej shoqëria kosovare në përgjithësi, por edhe shqiptarët në diasporë. Së këndejmi në shkrimet e tij ka thirrje për mendim, unitet e punë të përkushtuar në dobi të atdheut, por edhe mesazhe se si duhet vepruar në situata të caktuara në jetën e përditshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat