Një mendim për librin e Shaqir Salihut, “Rrëfime Lirie”, që sapo u botua edhe në Amazon - Bota Sot
Një mendim për librin e Shaqir Salihut, “Rrëfime Lirie”, që sapo u botua edhe në Amazon

Libra

E martë, 16 tetor 2018

Një mendim për librin e Shaqir Salihut, “Rrëfime Lirie”, që sapo u botua edhe në Amazon

Nga: Behar Zogiani Më: 30 gusht 2018 Në ora: 20:48
“Rrëfime Lirie”

Shaqir Salihu, përmes veprës së tij jetëshkrimi duke përshkruar jetën e shqiptarëve (përmes lëkurës së tij) nga një mësues fshati, në të burgosur politik, mërgimtar, gazetar e veprimtar, ofron një mundësi të veçantë për secilin shqiptar, e më së shumti për politikanë, gazetarë, diplomatë, sociologë, historianë e intelektualë dhe të gjithë ata që mund të lexojnë shqip, që të dinë shumë, pothuajse për secilin veprimtar, politikan e diplomat shqiptar e amerikan të përfshirë në lëvizjen shqiptaro-amerikane për lirinë e shqiptarëve nga okupimi dhe nga diktatura!

Libri i Shaqir Salihut “Rrëfime Lirie”, është nga botime të rralla që të jep mundësi të lexosh, për shqiptarët, e që “ta shëron shpirtin” me trajtimin e tyre. Por, të rrallat janë “ëmbëlsirë” e veçantë, kur ato përmbushin nevojën e lexuesit për t’i ditur drejt ngjarjet të cilat përshkruhen në të! “Rrëfime Lirie”, libër i Shaqir Salihut, gazetarit doajen të “Zërit të Amerikës”, është libri me këndvështrimin më të saktë për punën titanike që kanë bërë shqiptarët në Amerikë në shekullin e kaluar, nisur nga veprimtaria e Fan Nolit deri në këtë fillim shekull. Mbase është libri i vetëm që nxjerr në pah të gjitha elementët (përparësitë dhe ligësitë) e një lëvizjeje idealiste për lirinë e tokave të robëruara shqiptare në Ballkan.

Tri parime themelore dhe analogjia shqiptare me atë hebreje 

“Rrëfime lirie”, është një jetëshkrim, prej të rrallëve, në të cilin autori shkruan për jetën e tij duke prezantuar fakte, sikur ato i përkasin dikujt tjetër! Në gazetarinë bashkëkohore temë e vazhdueshme është përpjekja që gazetari gjatë raportimit të mos bëhet pjesë e ngjarjes, por të raportojë për ngjarjen e caktuar, duke e ruajtur paanësinë, saktësinë dhe korrektësinë ndaj ngjarjeve dhe atyre qindra personaliteteve që i trajton në këtë libër. Shaqir Salihu, me përvojën e tij profesionale, dhe jetësore, ka arritur të shkruajë për jetën e shqiptarëve dhe ngjarjet për ta, kryesisht që janë zhvilluar në Kosovën e viteve 60 dhe lëvizjen e shqiptarëve të Amerikës prej viteve 70 deri në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit XXI, në ngjarjet ku ka qenë vetë personazh. Në këtë libër Shaqir Salihu vë në pah jetën e tij, sikur të fliste për dikë tjetër, duke prezantuar faktografinë (përmes dokumenteve origjinale dhe dëshmive) e tërë jetës së tij si gazetar e si idealist. Duket e pabesueshme, por në librin gati 600 faqesh, Shaqir Salihu askund nuk e cilëson vetën patriot, nuk u thotë veprimeve të tij patriotike, por secilin veprim e sheh si veprim detyrues për çlirimin e shqiptarëve dhe ndërtimin e shteteve demokratike ku jetojnë shqiptarët.

Popujt që as pas dy-tre mijë vjetësh okupimi e ndjekjeje nëpër gjithë globin, siç janë shqiptarët dhe hebrenjtë, nuk janë zhdukur – ardhmërinë e kanë të sigurt! Duke lexuar këtë libër gjen frymën e ngjashme që e ka libri i jetëshkrimit të ish-sekretares së Shtetit Madeleine Albright. Në të dy këto jetëshkrime, autorët nxjerrin në pah shpirtin e tyre vullkanik i cili i detyron që gjatë gjithë jetës së tyre të punojnë, me sa fuqi kanë, për t’i çliruar vendet e tyre dhe për t’i bërë ato të forta. Shikuar, edhe nga këto dy botime, ngjashmëria e shpirtit idealist të shqiptarëve dhe hebrenjve për tokën e të parëve del sheshazi.
 
Revolucionariteti i faktografisë

Duke e lexuar librin e tij, shihet qartë shpirti revolucionar i Shaqirit që kurrë nuk rresht deri në realizimin e idealit të tij. Shaqa nuk është revolucionar i kuq, por shpërthyes në dëshmimin e padrejtësisë dhe prezantimin e dëshmive dhe rrugën të cilën duhet ndjek deri tek caku. Duke e lexuar librin, e sheh mirë sa herë Shaqa, dhe shqiptarët idealist si ai, e kanë filluar fushatën afatgjate për ta bind – qysh në vitin 1975 e deri tash- shtetin amerikan për t’u vënë në anën e shqiptarëve të robëruar. Shaqa, në takime miqësore e kolegjiale është i urtë, i këndshëm dhe shumë i durueshëm. Por, kur flitet për të drejtën e shqiptarëve për të qenë të lirë e të pavarur, Shaqa e venë vetën në ballë të furtunës-pa asnjë hamendje, pa kërkuar kundër-shpërblim e as dekorata.
 
Këndvështrimi kritik për diasporën dhe udhëheqjen shqiptare në Ballkan 

Sikur rrallëherë, në botimet që janë bërë për shqiptarët në SHBA, autori i këtij libri sheh dhe vlerëson me sy shumë kritik diasporën shqiptare: “Shqiptarët e Amerikës shpesh nuk kanë kursyer asgjë për çështjen, por ashtu si në trojet tona, udhëheqësit shpesh kanë qenë të paqartë dhe të përçarë. Intelektualët më të mirë nuk kanë mundur t’i përfshijnë dhe jo më kot, mungesat më të mëdha, janë në praninë tonë në universitetet amerikane”. Për të vazhduar: “Shqiptarët e Amerikës kanë qenë dhe janë një bashkësi heroike që mund të bëjë edhe më shumë për kombin. Por, kemi mbi 100 vjet në këtë kontinent dhe nuk kemi qendra albanologjike në universitete siç ka në Europë. Nuk kemi një qendër kulturore të mirëfilltë. Ato organizata që kanë zyra dhe seli i kanë ruajtur për promovimin e tyre më shumë sesa si qendra mbarëshqiptare. Ne kemi shumë miq në politikën amerikane, po jemi vonuar në prodhimin e politikanëve shqiptaro-amerikanë”. Dhe pas kësaj e thotë troç edhe shkakun e kësaj gjendje: “Këtu ia vë fajin edhe politikës shqiptare në trojet shqiptare. Asnjëherë nuk mësuan sesi ta vlerësojnë diasporën. Rasti më i freskët, për pavarësinë e Kosovës, pak janë nderuar ata që kontribuuan duke bërë të pamundurën. Nderimet e rastit në Tiranë e Prishtinë bazohen në lidhjet personale, politiko-partiake e krahinore”.
 
“Zëri i Amerikës” dhuratë e madhe amerikane për shqiptarët, por edhe vend kundërshtimesh me karakter ballkanas.
Shaqir Salihu, “Zërin e Amerikës”, në librin e tij, e konsideron “dhuratë të madhe amerikane për shqiptarët, por edhe vend në cilin disa shqiptarë “dëshmojnë kokëlartësi e primitivizëm ballkanik”. Dhe, autori duke qenë gazetar (sikur secili profesionist i këtij zanati) nuk ka pas asnjë mundësi të mos e përjetojë papajtueshmërinë e thellë deri tek shtyrjet fizike “të thyerjeve” politike mbi kokat e gazetarëve të shkaktuara nga politikëbërësit te “Zëri i Amerikës”. Shtyrjet dhe përpjekjet e udhëheqësve të mediumeve, që mbi kurrizin e gazetarëve të realizojnë interesat e tyre karrieriste dhe tjetër fare Shaqir Salihun, sipas këtij libri, e sjellin buzë “greminës” dhe e detyrojnë të forcohet pafundësisht drejt realizimit të idealit si shqiptar dhe si profesionist! U pata befasuar shumë kur e pata dëgjuar, për herë të parë, mendimin se “kur autori e shkruan librin e parë në rininë e pleqërisë, ai botim është shumë më i mirë se botimet e autorëve që i hartojnë ato si rutinë”. Duke e lexuar librin “Rrëfime lirie”, të Shaqir Salihut, lehtësisht bindësh për vërtetësinë e këtij mendimi. Pra, një libër që kur e fillon leximin nuk të “lëshon” as me marrë frymë deri në leximin e fjalës së fundit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test