A thua kjo ishte “një gjeneratë” e humbur, apo mes dy stacionesh?!

Libra

A thua kjo ishte “një gjeneratë” e humbur, apo mes dy stacionesh?!

Nga: Shaip Grabovci Më: 23 tetor 2018 Në ora: 14:34
(Nexhat Halimi, Demi i tërbuar, roman, botuar nga Shtëpia Botuese “FAD”, Prishtinë, 2018 )

Me leximin e faqeve të para të romanit Demi i tërbuar të Nexhat Halimit, fillova ta ndieja  veten se gjendem në një mjedis sa të kaluar gati një shekull më parë sa në një mjedis të kapërcyer vetëm ca vite... Autori shkrimin ia ka kushtuar luftëtarëve të Spanjës,  Asim Vokshit e Xhemail Kadës, por edhe shumë të tjerëve emrat e të cilëve i hasim ne faqet e romanit, Ramiz Varvaricës, Petro Markos, Skender Luarasit ,por theksi është vënë, në dy të parët. Arsyeja është specifika e  jetës së tyre, ngase atyre u mungonte edhe e drejta për shkollim në gjuhën amtare; u mungonte e drejta elementare njerëzore! Ndoshta m`u ky fakt e nxitë më shumë kureshtjen e lexuesit. Dhe ja kthehemi në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar, në çastet ndërsa jetonin heronjtë e këtij romani. Në të njëjtën kohë gjendemi edhe në fund të të njëjtit shekull, në orët e nisjes së  autori  në punën hulumtuese për të hedhur dritë në rrethanat në të cilat jetuan dhe u formuan dy të rinjtë,  të cilët jetën, atë më të shtrenjtën, e sakrifikuan për të luftuar fashizmin. Ndërsa është fjala për dekadën e fundit të shekullit të kaluar ajo në vete mbanë peripecitë, të cilave iu është ekspozuar autori për të grumbulluar materialin e duhur, pjesë kjo sikur herë është një reportazh i bukur, por që është bërë pjesë e pandashme e romanit.

 Gjatë leximit të Demit të tërbuar ndërsa ndjekim fatin e dy të rinjve, mund të na ik mendja te vepra e madhe e Hemingvejit: Lamtumirë armë, ku dy të rinj: “para kohe” u kanë thënë armëve Lamtumirë! Po ja, këtu kemi të bëjmë me dy të rinj të cilët armëve nuk u kanë thënë: Lamtumirë, por me to në duar kanë rënë në fushën e betejës për ta lagur tokën e Spanjës me gjakun e tyre rinor! E rruga deri në tokën e Spanjës është tregim në vete, në te janë të lidhura nyje: gjendja e vështirë në vend dhe dëshira e madhe për të luftuar atë gjendje jo vetëm në vend, por edhe më gjerë. M`u kjo romanit i jep edhe një dimension të rinj e si të tillë e bën më gjithëpërfshirës nga e cila mund të nxirret përfundimi se e keqja është e keqe, kudo qoftë ajo dhe si e tillë, nuk njeh kufi! Prandaj duhet luftuar.

Ky konstatim hedhë edhe më shumë dritë mbi fytyrat e këtyre djelmoshave, të cilët të keqen vendosën ta luftojnë, kudo që ajo gjendet. Dy të rinjtë, si të rinjtë, kanë edhe shumë ëndrra e mbi të gjitha ka dominuar ëndrra për çlirim, mirëpo... këtu nuk është harruar as Esa e bukur, e cila ka qenë preokupim i Asimit. Kjo gjë sikur ka preokupuar shumë autorin, sa gjatë leximit, sikur Esa është paksa e personazhit të romanit, aq edhe e jetës së vet autorit... E kjo vërehet, kur gjatë përcjelljes së ngjarjes, në Split, shkrihet në gazetaren Polka, e cila ka udhëtuar aty për të ndjekur tubimin e veteranëve të Luftës së Spanjës, në të cilin kanë munguar ata që janë flijuar për lirinë e shenjt, në mesin e të cilëve gjenden edhe Asimi e Xhemaili.

 Valët e detit nga Spliti shpien në Spanjë, në peripecitë për t`iu bashkuar shokëve të cilët luftonin për liri e mandej ndihet era e barotit, bombardimet dhe vrasjet...plagosjet... ndër të cilët gjendet edhe Xhemail Kada! Pason një brengë e madhe prindërore... Babai i Xhemailit, Rexhë Kada, udhëton për në Francë për ta takuar birin e plagosur në mjekim... Dhe nga ajo kohë, ndërsa babai kthehet në Pejë e i biri Xhemaili, serish, në vijat e frontit në Spanjë, Rexha pak ose fare ka hapur gojën të flas. Qëndronte guri. Gjatë gjithë kohës shumë pak më  ka biseduar. Ai vazhdimisht ka qenë i brengosur dhe ata që e kanë njohur nga afër thonë se ka qenë i brengosur, për djalin, por edhe për gjendjen në vend... Ai ka përqafuar idetë e të birit. Xhemali, i cili vetëflijohet e nuk jepet. Njëjtë dhe  Asimi e shokët e tyre kanë vazhduar luftën deri në vdekje, e lexuesi i kujdesshëm mund të pyes:

 A thua se kjo ishte “një gjeneratë” e humbur?!

 Përgjigja është JO!

Ajo ishte një gjeneratë nga e cila mund të mësohet shumë. Ma thotë mendja se mu kjo është porosia e autorit. Romani, si thotë autori, është udhëtim në mes dy stacionesh: jetës dhe vdekjes dhe gjatë kësaj rruge, me rëndësi është se njeriu lenë gjurmë pas vetes. Asimi, Xhemaili dhe të tjerët kanë lënë shumë, kanë lënë mësimin se si duhet luftuar e keqja!

 Në fund nuk mund të mos e përmendë edhe Maksin (Maksut Shehun, i cili ishte edhe vet krijues) . Sepse. mu një xixë që ka dalë nga ai, për të shkruar për luftëtarët e Spanjës, te Nexhati është ngjallur ideja për të na paraqitur një kohë të tërë gati të harruar! Eh, sikur Maksi tani të ishte në jetë e të lexonte këtë roman, sigurisht do të mburrej me idenë e tij, por edhe me N. Halimin, i cili me mjeshtri e ka ngritur në roman.

Ky roman zgjon shumë kthesa në kohë dhe vjen e hapet para lexuesit, i cili vetë mund të bëj matje pse njerëzit vdesin për ëndrrën e tyre, pa hamendje!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat