Vargje poetike që i ngjajnë një oaze plotë lule e blerim, dashuri, ...

Libra

Vargje poetike që i ngjajnë një oaze plotë lule e blerim, dashuri, ...

Nga: Milazim Kadriu Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 14:36
Kopertina e librit

Në radhën e bukur dhe të vështirë të poezisë sapo është futur edhe një poete e re llapiane. Edonë Oraca-Blakçori vjen tek lexuesi serioze sikur të ketë  një përvojë të gjatë  e jo fillestare me  vëllimin e parë poetik  “Pasqyra e shpirtit”.

Ndonëse libri është konceptuar në pesë cikle (Pasqyra e shpirtërimit, Pasqyra e shpirtbardhit, Pasqyra e shpirtgurit, Pasqyra e shpirtmirit, Pasqyra e shpirtgjerit) të gjitha poezitë kanë lidhshmëri mes vete dhe janë  një tersi.

Poezitë e këtij vëllimi edhe pse kanë nga pak pesimizëm në to ka më shumë dashuri,lirizëm,jetë,…

Figurën e nënës dhe të   babait e hasim të skalitur artistikisht qysh në periudhën e traditës sonë letrare e që me një përkushtim të madh skalitën edhe sot e do të skaliten edhe në të ardhmen.

Duke ndjekur këtë rrugë edhe poetja  e re u kushton poezi prindërve, djalit, gjyshes dhe familjarëve tjerë. Edhe për Edonën figurat e prindërve janë figurat më të dashura siç janë edhe për çdo njërin.

Madje përmbledhjen me poezi e hap me poezitë kushtuar nënës dhe babait ku ndër të tjera  në poezinë për nënën thotë:

 

Emri më i shenjtë në jetë

E fjalës së parë të belbëzuar

Mbështetësja e hapave të parë

Përqafim i uruar

Ndërsa në poezinë për babin :

Të shkruaj për babin tim

Nuk di nga t`ia fillojë

Te shkruaj për babin aktor

Apo për babin profesor

Mark Gurakuqi  thotë se  “Dashuria e fëmijëve për prindër, si dhe dashuria e prindërve për fëmijët, është një  ndjenjë e bukur, e thellë dhe e pastër. Atë e provojnë jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët e shpendët”

Vargjet e më sipërme dhe  vargjet e dy poezive tjera që autorja ia kushton djalit të saj e vërtetojnë këtë  thënie të cituar më lartë.

 

Ti je dritë e shtëpisë

Je fryt i dashurisë

Pa gjumë më ke lënë

Me dhe epitetin nënë

 

ose :

Nina nana djalin

Të ndjell nëna gjumë

Nëna ty të do

Në djep të përkund

 

Motivi i vendlindjes, i mpleksur thuajse gjithmonë me atë të fëmijërisë, është thjeshtë tërheqës dhe i përshtatshëm për gjithë poetët por edhe për poeten Edonë Oraca-Blakçori.

Vendlindja ime

Ku çdo rrugë më dërgon tek ti

Edhe pse ndërrova shtëpi

Zemra e shpirti im jetojnë aty.

Bota poetike e poetes së re në këtë përmbledhje  i ngjan një oaze plotë lule e blerim, plotë flutura e zogj, dashuri, ..

Poezitë e këtij vëllimi poetik janë  poezi me një ndjenjë të butë, të matur, të frenuar dhe të disiplinuar.

 

Edhe pse jeta ka sfida

Ti lufto e triumfo

Ngrihu prapë në këmbë ti

Optimist jetën vazhdo

Poezitë e vëllimit poetik “Pasqyra e shpirtit”  flasin mjaft jo vetëm për frymën dhe orientimin tematik të poezisë, por edhe për  nivelin e shprehjes dhe shkallën e realizimit artistik të saj.

Lumturinë le ta shumëzojmë

Hidhërimet i zbresim

Të mirat e jetës ti mbledhim

Dhe dhimbjen ta pjesëtojmë

Të gjitha këto poezi janë të krijuara me një  gjuhë të pasur poetike, stil të rrjedhshëm dhe me shprehje  aq të pasura poetike. Andaj me këto vlera që posedon poezia e autores së re, menjëherë të pushton, të magjepsë dhe të bind me misionin e saj.

Portretizimi në përmasa reale i ndjenjave, emocioneve dhe vlimeve të brendshme, duket se është detyrim i talentit krijues të poetes Edonë Oraca-Blakçori për t’ia prezantuar opinionit artistik e lexues pasionin e vetë krijues.

Ty të vesha me petkun e dashurisë

I dhashë hije e mirësi

Ta gjej rrugën e lexuesit

Ta shijojnë çdo poezi.

Në poezitë e autores Edonë Oraca-Blakçori hasim lirikën e brishtë, metaforën e saktë, ndjenjën e sinqertë, marrëdhëniet njerëzore, interpretimin e integritetit të saj shpirtëror dhe kulturor, me plotë emocione. Brenda poezive përdoren figura  të këndshme  dhe prekëse që lehtë kuptohen nga lexuesi. Ndonëse është  libri i parë  i poetes, mund të themi se  është një libër mjaft  mirë i realizuar dhe me të drejtë  do të presim krijime  edhe  më të arrira nga kjo autore, ngase shihet se ka një mjeshtëri të profilit të poezisë.

Qeshu e gëzohu në këtë jetë

Mos bjerë në petkun e zemërimit

Largoje inatin dhe trishtimin

Merre rrugën e ngadhënjimit

Të gjitha poezitë e kësaj përmbledhje  poetike janë të krijuara  me një kujdes  të madh ku përshkruhet dashuria për prindërit, djalin, gjyshen, motrat, vendlindjen …, për dashurinë, jetën, natyrën, lulet, shkollën, librin, …

Vargu në këtë vëllim poetik të Edonë Oraca-Blakçori ka filozofi dhe përçon shumë mesazhe tek lexuesi. Andaj me vargjet e saja në këtë libër autorja na sjell një vëllim poetik mjaft mirë të realizuar dhe padyshim se do të pritet mirë edhe  nga lexuesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat