Një libër monumental për një korife të arsimit tonë kombëtar

Libra

Një libër monumental për një korife të arsimit tonë kombëtar

Gani Bajrami Nga Gani Bajrami Më 2 nëntor 2018 Në ora: 11:53
Kopertina e librit

(Për veprën monografike “Tahir Z. Berisha - Një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare”, të autorëve Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, botuar nga Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, tetor 2018)

Një vepër voluminoze dhe cilësore monografike kushtuar korifeut të arsimit tonë kombëtar në Kosovë dhe më gjerë, Tahir Z. Berisha, me titull “Tahir Z. Berisha - Një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare”, me autorët Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, me redaktorin Akademik Mehmet Halimi dhe recensuesit, prof. Dr. Fatmir Terziu dhe Zenun Rexhepi, ka dalë këto ditë nga shtypi në botim të Shtëpisë botuese “Faik Konica”.

Kjo vepër i kushtohet një personaliteti me përmasa universale e shumëdimensionale, i cili, me punën e tij kolosale, la gjurmë të dalluara e të dokumentuara në historinë e arsimit e të kulturës sonë kombëtare, punë me të cilën duhet të krenohet e mburret mbarë kombi shqiptar. Akademik Mehmet Halimi, në fjalën e redaktorit, që e shoqëron librin, thekson se bashkautorët hartuan “një vepër madhore e monumentale, që përfaqëson një kryepërmendore kushtuar Prof. Tahir Z. Berishës, ku është përmbledhur e është shkrirë tërë jeta dhe veprimtaria jetësore e një vigani e kolosi dhe një korifeu të arsimit tonë kombëtar, i cili një jetë të tërë punoi e veproi në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare”.

Bashkautorët, Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, me përkushtim të madh kanë arritur të sjellin përpara lexuesit përjetimet dhe shqetësimet e protagonistit të tyre, Tahir Z. Berisha, për problemet e shumta dhe të mëdha nëpër të cilat kaloi Kosova dhe populli i saj shqiptar dhe në veçanti arsimi kombëtar. Gjithashtu ata kanë pasqyruar edhe angazhimin dhe kontributin e madh që profesor Berisha ka dhënë gjatë punës në arsim si mësimdhënës, drejtor shkolle, shef i entit arsimor – pedagogjik, inspektor dhe kryeinspektor shumëvjeçar i arsimit të Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës. Në këtë monografi është pasqyruar edhe krijimtaria letrare dhe publicistike që ishte një sferë e rëndësishme e angazhimit të profesor Berishës, i cili ka lënë të botuara 10 vepra letrare e publicistike, ndër të cilat spikasin katër vëllimeve enciklopedike “EMRA QË NUK HARROHEN” për arsimtarët veteranë dhe arsimin shqip në Kosovë e diasporë, që kapin me mijëra faqe e lëndë të pasur nga fusha të ndryshme të arsimit e të dijes.

Figurë e spikatur e arsimit kombëtar

Protagonisti i kësaj vepre monografike, Tahir Z. Berisha (31 korrik1928 - 12 dhjetor 2013) që nga mosha adoleshente iu përkushtua procesit të edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj, duke kaluar në të gjitha fazat e arsimit, si mësues në moshën 17-vjeçare (1945/46), pastaj drejtor shkolle, drejtor i entit arsimor-pedagogjik, inspektor dhe kryeinspektor i arsimit të Kosovës. Profesor Berisha me punën e tij dhe sakrificën e madhe ka dëshmuar se ishte njeriu i vlerave arsimore, ndërsa me shembullin praktik dëshmoi aftësi, zotësi dhe përgatitje të lartë në realizimin e synimeve e idealeve më të larta në fushën e arsimit e të edukimit të brezave të fëmijëve shqiptarë. Ai ishte njëri nga ata që punoi shumë për shkollën dhe arsimimin e popullit shqiptar, duke e bërë punën të pavdekshme dhe duke lënë gjurmë të pashlyera në historikun e zhvillimit të arsimit kombëtar në Kosovë dhe më gjerë.

Edhe pas pensionimit dhe deri në frymën e fundit, profesor Tahiri do të bëjë përpjekje të mbajë gjallë frymën e arsimit shqip, pavarësisht nga përpjekjet e pushtetit shovinist millosheviqian për ngufatjen e tij, në kohën pas suprimimit të autonomisë së Kosovës. Si ideator dhe koordinator bashkë me figura të ndritura të arsimit kombëtar, si Beqir Kastrati, Mehmet Gjevori, Pajazit Nushi e të tjerë, do ta bëjë të gjallë Shoqatën e Veteranëve të Arsimit të Kosovës dhe nuk do të kursehet për organizimin e dhjetë edicioneve të suksesshme të manifestimit Takimet e Veteranëve të Arsimit, madje edhe në suaza mbarëkombëtare.

Duke jetuar dhe vepruar në Londër, gjatë viteve të pasluftës çlirimtare në Kosovë, Tahir Z. Berisha, megjithëse në moshë dhe me shëndet të rrënuar, si anëtar i Shoqatës Anglo-Shqiptare dhe i disa asociacioneve të tjera të organizimit shoqëror e politik, do të marrë pjesë dhe do të angazhohet, pa u kursyer, në aktivitete të shumta me karakter arsimor, kulturor, shoqëror e politik të komunitetit shqiptar të mërgatës në Londër dhe, më gjerë, në Britani lidhur me afirmimin e vlerave kombëtare dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. I vlerësuar për këto aktivitete, është përfshirë me një biografi - opinion të shkurtër, në librin “100 shqiptarët e Britanisë”, i cili është botuar në jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Veprimtaria e pasur dhe e larmishme, profesor Tahirin e bën figurë të spikatur të arsimit kombëtar në Kosovë dhe më gjerë, e bën përfaqësues të denjë, në radhë të parë, si intelektual me vlera të larta kombëtare dhe si udhëheqës e pedagog të veçantë të institucioneve tona arsimore në Kosovë, por edhe si veprimtar i kauzës kombëtare në çdo kohë dhe në secilën rrethanë. I edukuar dhe i formuar në kryqëzim të epokave më të trazuara për fatin e historinë e shqiptarëve, ai u mbeti besnik idealeve dhe aspiratave të veta, duke sjellë dritë e dituri te fëmijët shqiptarë, i bindur se arsimimi është diga më e fortë e luftës për liri dhe pavarësi kombëtare.

Përfaqësues i denjë i kulturës kombëtare

Autorët me përkushtim prej studiuesi, shfaqen si hulumtues të shquar të jetës dhe veprës së  profesor Berishës. Prandaj ky libër monografik vjen si histori e shtrirë në shumë aspekte me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor, arsimor e kulturor, pse jo edhe politik, shoqëror e atdhetar i Tahir Z. Berishës, i cili punoi me zell e përkushtim për emancipimin dhe arsimimin tonë shoqëror e kombëtar.

Libri monografik i bashkautorëve sjell për lexuesin vlerësime të tyre, por edhe të tjerëve për figurën e intelektualit të rrallë dhe veprimtarit të madh, Tahir Z. Berisha, i cili pas vetes ka lënë gjurmë të pashlyeshme, duke u bërë kështu simbol, jo vetëm i përkushtimeve të mëdha të arsimit kombëtar, po edhe përfaqësues i denjë i kulturës kombëtare. Ky pishtar dhe misionar i arsimit tonë kombëtar, duke përhapur rreze drite të dijes njerëzore, sforcoi e pasuroi themelet e kështjellës arsimore, që do të shërbejë si shtyllë kurrizore e kulturës sonë kombëtare shqiptare për të sotmen dhe të ardhmen.

Akademik Mehmet Halimi në fjalën e redaktorit, shkruan: “Bashkautorët e monografisë në fjalë, Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, si dy projektues e arkitektë të mirë e të vyer, lëndën e tyre studimore e mbarështuan me kujdes e dashuri, me vullnet e përkushtim, me përgjegjësi e saktësi, duke e organizuar e duke e ndarë veprën në 15 pjesë e në 38 krerë, të shtruar në mbi 700 faqe tekst libror, të cilët përbëjnë shtyllën kurrizore të veprës monografike në fjalë. Nëpër këto pjesë e nëpër këta krerë, ata me mjeshtëri endin dhe vekojnë indin lidhnor nëpërmjet ngjarjeve e ndodhive, fakteve e argumenteve gojore e shkrimore, arkivore, personale e shoqërore, që  përbëjnë eshtërinë skeletore të monografisë dhe natyrshëm e logjikshëm ndërtojnë e ndërlidhin ngushtë formën dhe përmbajtjen si një tërësi të plotë, unike, të një vepre organike e biografike, arsimore e publicistiko-shkencore, me njohuri të thella të rrjedhave jetësore të këtij misionari të shquar të arsimit tonë kombëtar”.

Lexuesi që e merr në dorë këtë monografi do të bindet se autorët, Hamza Halabaku dhe Mujë S. Berisha, nuk patën një punë të lehtë dhe as të thjeshtë, sepse libri në fjalë nuk është vetëm një përmbledhje a një regjistër faktesh e argumentesh me të cilët ndeshet dhe lufton protagonisti i tyre, Tahir Z. Berisha, por është një monument artistiko-letrar e historiko-shkencor, të cilin penda e dalta e dy bashkautorëve e gdhendi dhe e latoi, duke vënë në spikamë guximin, aftësinë dhe mjeshtërinë e tyre prej krijuesi. Pra, libri është i shkruar me nervin e shkrimtarit, me saktësinë e shkencëtarit dhe me hulumtimin e publicistit të spikatur, e mbi të gjitha me dashurinë e sinqertë e respektin e madh të bashkautorëve ndaj protagonistit të veprës së tyre, Tahir Z. Berisha. Pra, në këtë libër është pasqyruar veprimtaria e gjerë e një intelektuali të mirëfilltë të kohës bashkë me shumë sfida dhe momente të vështira, të cilat protagonisti Berisha, i kaloi në saje të mençurisë, guximit, vizionit, këmbëngulësisë, dashurisë e humanizmit, që vetë natyra ia kishte falur. Ai pati guxim dhe reagoi në momente të caktuara, luftoi dhe mbrojti të drejtat e popullit të vet të pambrojtur, të shtypur e të përbuzur nga shovinistët e hegjemonistët serbomëdhenj.

Thënë shkurt, kjo monografi, në përmbajtjen e saj vëllimore, e pasuruar me fotografi dhe faksimile të shumta, si dhe me shënime bibliografike, radhitet ndër veprat madhore e monumentale që pasqyron tërë jetën dhe veprimtarinë e një korifeu të arsimit tonë kombëtar, i cili një jetë të tërë punoi e veproi në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat