Në mos mundsh ta trumbetosh të vërtetën, të paktën mos përkrah gënjeshtrën

Life style

Në mos mundsh ta trumbetosh të vërtetën, të paktën mos përkrah gënjeshtrën

Më: 13 maj 2021 Në ora: 19:42
Ilustrim

Një nga mënyrat më të sigurta për të ruajtur balancat shpirtërore, është të fitohet liria e brendshme, e cila arrihet vetëm duke patur një raport të drejtë me të vërtetën. Personat që nuk kanë një raport të mirë me të vërtetën, lejojnë që iluzioni, interesi, hipokrizia, shitja, anshmëria dhe të ngjashmet e tyre… t’i skllavërojnë në gënjeshtër.

Mungesa e së vërtetës tek njeriu, është e aftë të indoktrinojë energjinë e të riut deri në nivel paranojak, e po ashtu personave në moshë mundet t’u zhvlerësojë me lehtësi dinjitetin.

Ndonëse kur të rrethon gënjeshtra, duket e vështirë të ruash të vërtetën me tjetrin, mund të ruash të paprekur të vërtetën me veten, pasi gënjeshtra edhe nëse pranohet nga të gjithë nuk mund të bëhet e vërtetë, ndërkohë që e vërteta mbetet e tillë edhe nëse askush nuk e dëshiroj.

Vetëm prej së vërtetës mundet të burojë e mira, dashuria, drejtësia, liria, paqja, dinjiteti… sa që edhe vetë gënjeshtra për tu pranuar maskohet si e vërtetë.

Për të ecur drejt të vërtetës, njeriut i duhet të ketë në simetri atë që mendon, atë që thotë dhe atë që vepron, duke i harmonizuar me njëra-tjetrën.

E vërteta shpesh mbetet në hije, pasi gënjeshtra është sofistikuar aq shumë sa që është bërë pjesë e suksesit të disa fushave dhe profesioneve si: marketing / forma mbi të gjitha, politikë / propagandë dhe premtime, media / audiencë me çdo mjet, biznes / e ke falas të dytën po pagove të parën sa për tre… e plot kësisoj marifetesh që mjafton t’i besosh pa arsyetuar dhe e ke “ngrënë pa bluar” thonë këtej nga zona ime!

Më fatkeqët e kësaj pune, më duken të vetë-gënjyerit, të cilët arrijnë në një pikë sa që besojnë edhe gënjeshtrat e tyre, duke i parë si të vërteta të pa diskutueshme!

Disa gënjejnë se nuk munden të thonë të vërtetën, e disa thonë të vërtetën se nuk dëshirojnë të gënjejnë.

Cilido qoftë rasti yt, dije se për të patur qetësi me veten, të duhet liria e brendshme, e cila vjen vetëm nëpërmjet të vërtetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat