Cili është hapi i parë për të kapërcyer ndjenjat e vetmisë?

Life style

Cili është hapi i parë për të kapërcyer ndjenjat e vetmisë?

Më: 18 shtator 2021 Në ora: 14:12
Foto ilustrim

Edhe para pandemisë, shumë njerëz ndiheshin të izoluar dhe të vetëm. Në vitin 2018, 22% e të rriturve amerikanë raportuan se shpesh ose gjithmonë ndiheshin të vetmuar. Në fund të vitit 2020, pasi distancimi social u bë një mënyrë jetese, 36% e të rriturve amerikanë raportuan se kishin përjetuar "vetmi serioze". Këta janë më shumë se 93 milionë njerëz.

Vetmia është një përvojë normale, dhe shpesh kalimtare, njerëzore. Megjithatë, kur vazhdon me kalimin e kohës, ajo mund të sjellë shqetësime në trup dhe në tru. Vetmia e zgjatur është një faktor kryesor rreziku për ankthin, depresionin, problemet me gjumin, rritjen e presionit të gjakut, rritjen e inflamacionit etj. Ajo gjithashtu rrit rrezikun e vdekshmërisë së hershme me 26%, e cila është ekuivalente me rreziqet që lidhen me pirjen e duhanit.

Gjithashtu, në momentin që shfaqet, vetmia mund të jetë e vështirë të kapërcehet. Kjo ndodh sepse ajo mund të shtrembërojë të menduarit tonë për njerëzit e tjerë në mënyra që e bëjnë ndërveprimin shoqëror më të vështirë dhe lidhjet sociale më të pakapshme.

Evolucioni i vetmisë

Për të kuptuar se si vetmia shtrembëron të menduarit tonë, duhet të marrim parasysh evolucionin e vetmisë.

Njerëzit e hershëm vareshin nga njerëzit e tjerë për mbijetesë. Kur endeshin shumë larg fshatit të tyre, ata ishin në rrezik të vriteshin nga një grabitqar ose anëtar i një fisi rival. Ndjenjat e vetmisë u zhvilluan si një sistem paralajmërues biologjik për t'i paralajmëruar ata për rreziqet e mundshme.

Ky sistem alarmi ndihmoi në ruajtjen e mbijetesës së specieve tona, por krijon probleme për njerëzit që jetojnë në shoqërinë bashkëkohore. Kur jemi të vetmuar, pa e kuptuar, ne bëhemi hipervigjilentë për kërcënimet shoqërore (në formën e refuzimit dhe dyshimit). Kjo çon në paragjykime njohëse drejt perceptimit të kërcënimeve, edhe kur ato nuk ekzistojnë. Ne fillojmë të mos i besojmë të tjerët dhe të shqetësohemi në situata sociale.

Kur e shohim botën si një vend kërcënues, ne priremi të nxjerrim sjellje nga të tjerët që konfirmojnë pritshmëritë tona negative. Për shembull, kur hyjmë në një takim ose festë duke u ndjerë të vetmuar, mund të presim që të tjerët të mos jenë të interesuar të flasin me ne. Ne mbajmë distancë dhe sjellja jonë e ftohtë i bën njerëzit e tjerë të mbajnë distancën prej nesh, gjë që nxit një cikël të pamëshirshmë vetmie, që nis së pari në mendjen tonë.

Pra, "ilaçi" i vetmisë nuk është aq i thjeshtë sa "të gjesh njerëz për të njohur, folur etj". Ne duhet që së pari të "çarmatosim sistemin e alarmit që përmendëm më lart" dhe të ndryshojmë disa nga pikëpamjet tona sociale.

Si ta çarmatosni "sistemin e alarmit"?

Këtu janë disa strategji të bazuara në kërkime për çarmatosjen e sistemit të alarmit:

1. Korrigjoni shtrembërimet tuaja njohëse.

Një nga strategjitë më efektive për të zvogëluar vetminë është njohja dhe korrigjimi i ideve që keni në kokë dhe që shpesh nuk përputhen me realitetin dhe nuk kanë baza objektive, përfshirë mendimet si "Ata nuk janë të interesuar të më njohin" dhe "Unë nuk përkas këtu".

2. Praktikoni meditimin.

Hulumtimet tregojnë se trajnimi i ndërgjegjes gjithashtu mund të zvogëlojë vetminë. "Mindfulness" përfshin kushtimin e vëmendjes ndaj përvojave tona të momentit (mendimet, ndjenjat, vëzhgimet e botës së jashtme) pa i gjykuar ato. Vetëdija mund të kultivohet me një sërë praktikash, përfshirë meditimin, yoga etj.

3. Praktikoni frymëmarrjen.

Frymëmarrja është një term i përgjithshëm i përdorur për të përshkruar çdo praktikë në të cilën ju me vetëdije manipuloni frymëmarrjen për të arritur gjendjen e dëshiruar. Ka qindra lloje të ndryshme të frymëmarrjes, shumë prej tyre të zhvilluara në Indinë e lashtë.

Ka pak kërkime mbi lidhjen midis frymëmarrjes dhe vetmisë, por disa studime të fundit sugjerojnë se një program i bazuar në frymëmarrje i quajtur Sudarshan Kriya Yoga zvogëlon ankthin dhe rrit ndjenjat e lidhjes shoqërore. Thënë kjo, edhe ky rast është një lloj meditimi, me dhe për veten.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat