Teknika e përqafimit të pemës

Life style

Teknika e përqafimit të pemës

Nga: Rudina Koromani Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 09:34
Ilustrim

A keni përqafuar ndonjëherë një pemë? Mund t’ju duket qesharake, por shumë individë, sidomos në vëndet e zhvilluara si Hollandë, Finlandë, Suedi, Japoni etj, e përdorin si teknikë për mirqënien e shëndetit të tyre mendor. Paguajnë për të përvetësuar këtë teknikë për tu ndier të lumtur e më të qetë.

Deri në vitin 2050, 66% e popullsisë së botës parashikohet të jetojë në qytete.

Sipas një studimi nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, mesatarisht një amerikan shpenzon 93% të kohës së tij /saj brenda shtepisë dhe ambjenteve të punës. Humbja e kontaktit me natyrën konsiderohet faktor rrisku për shëndetin mendor të rënduar që karakterizon një individ modern sot. Të gjithë rendin për të punuar, për të fituar para duke harruar nevojat e qetësimit shpirtëror.

Tashmë e dimë se kalimi i kohës jashtë në natyrë redukton stresin dhe përmirëson humorin tonë. Gjithashu, dimë se akti i përqafimit të vetes ose një gjallese tjetër mund të përmirësojë mirëqenien tonë fizike dhe emocionale. Këtë kombinim sjell teknika e përqafimit të pemës.

Sapo kemi kontakt fizik me një gjallesë tjetër, ndërgjegjësimi ynë rritet, I gjithë trupi ynë është i përfshirë në këtë përvojë. Shqisat tona zgjohen, hormonet pozitive çlirohen dhe rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja ngadalësohen. Të gjitha këto ndryshime pozitive na ndihmojnë të ndihemi më mirë, si emocionalisht ashtu edhe fizikisht.

Gjatë historisë, pemët janë përshkruar në mënyra të ngjashme me njerëzit: unazat e tyre unike të pemëve janë si shenjat tona të gishtave, ata pinë ujë si ne, hedhim rrënjë si ne…

Si lindi kjo teknikë ?

Në fund të viteve 1960, Mësuesi Zen Budist Thich Nhat Hanh zhvilloi një praktikë meditimi përqafuese që përfshinte parimet thelbësore Zen të ndërlidhjes, ku theksonte se përqafimi me vëmendje mund të sjellë pajtim, shërim, mirëkuptim dhe lumturi.

Psikologu klinik, Stone Kraushaar, i njohur si Doktori i përqafimit dhe autor i librit “Një udhëtim 21-ditor për të përqafuar veten”, këshillon: "Një përqafim i mirë - shtrydh çdo grimcë frike, shqetësimi dhe negativiteti nga shpirti juaj, duke ju lënë vetëm ngrohtësi, paqe të brendshme dhe një ndjenjë lidhjeje, duke rekomanduar që të qëndrojmë në përqafim për të paktën 21 sekonda…

Pse?

Sepse kjo është koha në të cilën oksitocina (hormoni i ndjenjës së mirë) çlirohet në trupin tonë dhe përfitohet: përmirësim i sistemit imunitar, reduktim i stresit, presioni më i ulët i gjakut, modele më të mira të gjumit dhe më shumë kënaqësi.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për një numër; ka të bëjë me rrjedhjen dhe humbjen në moment. Të kesh një përvojë meditative përqafimi me një të dashur, kafshë shtëpiake apo edhe një pemë mund të na ndihmojë të ndihemi më të lumtur, më të qetë dhe më të lidhur.

Nuk bëhet fjalë për stërvitje, ecje, apo vrapim. Është thjesht fakti i të qenit në natyrë, duke u lidhur me të përmes shqisave tona të të parit, dëgjimit, shijes, nuhatjes dhe prekjes.

“…Lëreni natyrën të hyjë përmes veshëve, syve, hundës, gojës, duarve dhe këmbëve tuaja. Dëgjoni zogjtë që këndojnë dhe flladin që shushurin në gjethet e pemëve. Shikoni gjelbërimin e pemëve dhe dritën e diellit që filtron nëpër degë. Ndjeni aromën e pyllit dhe merrni frymë në aromaterapinë natyrale të fitoncideve. Shijoni freskinë e ajrit ndërsa merrni frymë thellë. Vendosini duart në trungun e një peme. Zhytu në rrjedhën e natyrës, bëhu njè me të…”

Disa teknika të tjera relaksuese të ngjashme që aplikohen sot nga njerëzit si: ecja në pyll, joga, piknik në pyll, terapi me burim të nxehtë, T'ai chi, meditim, ushtrime të frymëmarrjes, aromaterapi, ecje nordike apo vëzhgim i bimëve; të gjitha ndihmojnë individin modern të vlerësojë të përdori këtë hapësirë ​​"të lirë" të një pylli që na është dhënë pa kosto nga natyra për të shëruar veten në mënyrë holistike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat