Stoltenberg të martën dhe të mërkurën për vizitë në Shkup, do të mbajë fjalim para deputetëve

Maqedonia

Stoltenberg të martën dhe të mërkurën për vizitë në Shkup, do të mbajë fjalim para deputetëve

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 16:33
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të martën do të udhëtojë për vizitë dyditëshe në Shkup në suaza të turneut të tij disaditësh nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Siç kumtoi sot NATO-ja, Stoltenberg pas mbërritjes në Shkup do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski dhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, ndërsa do të mbajë fjalim edhe para deputetëve në Kuvend.

Në mërkurën paradite është parashikuar që Stoltenberg të ketë takime bilaterale me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, pas së cilës ata do të takohen me liderët e vendeve anëtare të NATO-s nga rajoni – presidentin kroat Zoran Millanoviq dhe kryeministrat e Shqipërisë Edi Rama, të Sllovenisë Robert Golob dhe të Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Turneun në Bllkanin Perëndimor, Stoltenberg do ta fillojë të dielën pasdite me vizitë të Sarajevës, ku do të mbajë darkë pune me anëtarët e Kryesisë së Bosnja e Hercegovinës.

Të hënën paradite sekretari i përgjtihshëm i NATO-s do të takohet me përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar të BeH-së, Kristijan Shmit dhe me kryesuesen e Këshillit të Bosnja e Hercegovinë të ministrave Borjana Krishto. Stoltenberg në selinë e NATO-s në Sarajevë do të mbajë takime edhe me liderët ushtarak dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në vend.

Nga Sarajeva, kreu i Aleancës të hënën pasdite do të udhëtojë në Prishtinë në takime me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu dhe me kryeministrin Albin Kurti. Ai do ta vizitojë edhe Komandën e forcave të NATO-s në Kosovë ku do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneral-majorin Ozkan Ulutash dhe me drejtorin e Ekipit këshilldhënës për lidhje të Aleancës, gjeneralin e brigadës Kristijan Ludevig fon Hamershtajn, ndërsa do të ketë edhe fjalime para ushtarëve të angazhuar në mision.

Të martën paradite Stoltenberg do të qëndrojë në Beograd në takime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministren Ana Bërnabiq, ndërsa do të bisedojë edhe me shkencëtarët serb të cilët do t’ia prezantojnë teknologjinë që e kanë zhvilluar në kontekst të projekteve shkencore të NATO-s për paqe dhe siguri.

Pasdite sekretari i përgjithshëm i NATO-s nga Beogradi do të udhëtojë në Shkup, si pjesa e fundit e turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat