Propolisi dhe xhenxhefili, kurat natyrale kundër sëmundjeve të dimrit

Mjekësi alternative

Propolisi dhe xhenxhefili, kurat natyrale kundër sëmundjeve të dimrit

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 13:02
Ilustrim

Të dy kanë veti të shkëlqyera dezinfektuese dhe janë aleatë të shkëlqyeshëm të sistemit tonë imunitar që lufton me sëmundjet e dimrit: propolis dhe xhenxhefil mund të na ndihmojnë të forcojmë sistemin imunitar dhe të qëndrojmë të shëndetshëm. Propolisi prodhohet nga bletët për të mbyllur hojet nga agresionet e jashtme; xhenxhefili është një rrënjë me aromë të këndshme pikante dhe me shumë përfitime: përveç se mund të bëjmë çajra bimorë, ai modulon mbrojtjen tonë natyrore, përmirëson tretjen dhe na mbron nga ftohjet. Le të shohim se si t’i përdorim ato.

Propolis – Është njohur që nga kohërat antike si një antibiotik natyral, shërues, anti-inflamator, antiseptik dhe madje anestetik. Megjithëse është një produkt i bletëve, është një substancë krejt bimore dhe rrëshinore, të cilën insektet e mbledhin nga lëvorja e disa bimëve dhe më pas e ripunojnë duke e përzier me polenin, dyllin dhe enzimat e prodhuara nga organizmi i tyre. Virtytet e shumta terapeutike të tij janë njohur prej shekujsh dhe janë konfirmuar edhe nga studimet moderne shkencore. Propolisi përmban disa përbërës aktivë, përfshirë elementët gjurmë (për shembull bakër, zink, kalcium dhe hekur), vitamina, flavonoide dhe aminoacide dhe është efektiv me një efekt të dyfishtë: është mikrobvrasës, kështu që vepron drejtpërdrejt në mikroorganizmat që na sulmojnë nga jashtë, si dhe stimulon në tërësi sistemin imunitar.

Përfitimet – Propolisi është shumë i dobishëm për të luftuar sëmundjet e dimrit, në veçanti sëmundjet e frymëmarrjes dhe gojës. Për të luftuar sëmundjet e frymëmarrjes, një solucion hidro-alkoolik (por ekziston edhe një version pa alkool) përdoret në formën e tretësirës që merret me pika dy herë në ditë sipas këshillës së një mjeku ose farmacisti. Merret me pak ujë ose për të zbutur shijen jo shumë të këndshme, përzihet me një lugë çaji mjaltë. Për të lehtësuar dhimbjet e fytit, mund të spërkatni direkt në zonën e irrituar, në këtë mënyrë do të ketë një efekt analgjezik dhe do të veprojë si një filtër mbrojtës. Në rast të lezioneve orale mund të përdoret i përzier me ujë për tu shpëlarë. Sidoqoftë, propolis ekziston edhe në tableta ose produkte bimore, ndërsa disa bletarë e shesin atë në një kavanoz të përzier me mjaltë.

Kundërindikimet – Propolisi është një ilaç natyral, pa kundërindikacione, por si të gjitha produktet e natyrës, ai mund të shkaktojë një reaksion alergjik në subjekte të predispozuar dhe të mbindjeshëm. Shija e tij është e thartë dhe për këtë arsye duhet të hollohet në ujë ose të përzihet me mjaltë.

Xhinxher – Aroma e tij paksa pikante e ka bërë atë shumë të popullarizuar: mund të hahet i freskët dhe të pritet në feta të holla, ose të përdoret për të përgatitur çajra bimorë. Thjesht prisni një copë rrënjë të freskët, qërojeni atë dhe ziejeni për pesë minuta dhe më pas lëreni brenda në çaj aq sa ju dëshironi, por monitoroni aromën në mënyrë që pija të mos marrë aromë shumë të fortë. Para se ta pimë, mund të shtojmë lëng limoni. Gjithashtu ju mund të përdorni edhe variantin në formë pluhuri. Ai përdoret edhe si erëz në kuzhinë, është i dobishëm për aromatizimin e shumë gatimeve, ose për të përgatitur biskotat e Krishtlindjeve.

Përfitimet – Xhenxhefili stimulon enzimat e tretjes duke favorizuar mirëqenien e sistemit gastrointestinal dhe zorrëve dhe është shumë i dobishëm për lehtësimin e disa sëmundjeve, të tilla si fryrjet e barkut dhe të përzierat. Ka veti anti-inflamatore dhe antioksiduese, kundërvepron veprimin e radikalëve të lirë dhe zhvillimin e disa sëmundjeve kronike që lidhen me plakjen qelizore. Mjekësia popullore e përdor atë gjerësisht për të luftuar ftohjet, kollën, dhimbjet e fytit dhe inflamacionin e traktit respirator: zhardhoku në të vërtetë vepron si një antiseptik i vërtetë natyror, i dobishëm për të luftuar sëmundjet e hershme të dimrit, por gjithashtu edhe lodhjen dhe stresin. Nxit qarkullimin e gjakut dhe ka një fuqi të moderuar dobësimi sepse vepron duke përshpejtuar metabolizmin.

Të mos përdoret nëse… – Xhenxhefili nuk duhet të merret nga gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë të vegjlit e tyre me gji. Gjithashtu nuk duhet të përdoret edhe në rastin e gurëve në traktin biliar, në prani të urthit sepse mund të stimulojë më tej sekretimin gastrik, dhe veçanërisht në rast se merrni disa ilaçeve, veçanërisht në rastin e ilaçeve antitrombocite dhe antihemorragjikët, të cilave mund t’iu zvogëlojë efektivitetin. Një kujdes i madh kërkohet gjithashtu edhe nëse vuani nga sëmundjet e zemrës, në të gjitha këto raste këshillohet të konsultoheni me një mjek.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat