Polemika në Kosovë, Serbi, Shqipëri

Opinione

Polemika në Kosovë, Serbi, Shqipëri

Nga: Nasho Bakalli Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 09:47
Nasho Bakalli

Rragata në Kosovë, Sërbi, Shqipëri dhe anasjelltas po mer thuajse tatëpjetën. E kam fjalën për debatin e ideve - lidhur me ndryshin/mosndryshimin e vijës ndarëse midis shtetit të republikës të Kosovës dhe shtetit të  republikës të Serbisë - që kanë hyrë me qarkullim të përshpejtuar në jetën mendore të politikanëve, të popujve, të massmedia, në të tre shtetet. Sapo Hashim Thaçi, president i Kosovës, shpërfaqi një ide për vijën e kufirit Kosovë - Serbi, e cila, kërkonte/kërkon bisedime e çkoqitje të përgjegjëshme në shkallën më sipërore, menjëherë, u krijua në shtetet sipërshënuara një atmosferë armiqësore. Që të mos largohesh nga ky lloj mjedisi, lipset të jesh trim me fletë. Po nuk e pate këtë farë trimërie hiqu mënjanë Hashim Thaçi, për guximin që tregove.

Padyshim që çdo ide, për sa mëlart, nuk mund të pranohet menjëherë dhe nga të gjithë aktorët shtetrorë dhe joshtetrorë - të interesuar - kombëtar dhe ndërkombëtarë. Ka ithtarë sikurse ka, edhe kundërshtarë. Vetëm dogmatikët nuk pranojnë bisedime; marrëveshje me interes të ndërsjelltë; kundërthënie ndaj ideve e nismave të tyre. Po prap se prap, edhe dogmatikët kanë një gjë të cilën duhet t'ua pranojmë. Kokëfortësinë. Metafizika është arma kryesore e dogmatikëve. Udhë e mbarë i'u qoftë. Ndërkohë, vëndi i H.Thaçit është te sheshi. Domethënë, përkrah bartësve të ideve dhe bisedimeve të lira; ndërtuese; bashkëkohore; atdhedashëse që, e ruajnë gjithmonë të ajrosur mirë mëndjen e njeriut.

Polemika në Kosovë, Serbi, Shqipëri ka mar pak për ters, edhe për faktin se opozitat politike; OJF-të (organizatat jofitimprurëse për çështjet e mëdha, por, fitimprurëse për interesat e ngushta); dhe, disa establishmente ekonomike, tregtare, financiare, ushtarake rreken ta çveshin çdo bisedim - apo përpjekje për të mbajtur bisedime të paprera - nga karakteri pajtues; mirëkuptues; rrugëgjetës; paqtues në fund të fundit. Me çfarë tezash dhe, me çfarë mjetesh? Teza e tyre më e preferuar - ndonëse e vjetëruar - është lidhja e ndryshmit/mosndryshimit të vijës ndarëse midis shtetit të republikës të Kosovës dhe shtetit të  republikës të Sërbisë me ngjyra personale si: Thaçi, Haradinaj, Kurti; Rama; Vuçiç, Dacic, etj. Dhe ndodhi, për shembull, që vendin e ideve, edhe  kundërshtuese - që u shkëmbyen në darkën e kryesuar nga Edi Rama në banesën e Hashim Thaçit në Prishtinë - e zunë sharjet, intrigat, shpifjet entuziaste të ca portaleve - momentalisht po ndodh me www.patriot.rs, për “Dokumentin Sekret”, analistëve, vizitorëve që zhgërryhen boduareve për të bitisur punë të mbrapshta...

Këtë përpjekje, polemikën e ideve, lidhur me ndryshin/mosndryshimin e vijës ndarëse midis shtetit të republikës të Kosovës dhe shtetit të  republikës të Sërbisë, dhe anasjelltas - është shumë kollaj që, edhe ta ndalosh. Mjafton t'iu lësh dorë të lirë atyre qënieve që janë të dhënë pas vetes tyre; që nuk kanë nevojë për askënd tjetër në botë. Pa nxjerrë nga skutat e errëta këta rob që komunikojnë vetëm me djallin, nuk do mund të bëjmë hair ne shqiptarët këtu e në Kosovë. Dhe as serbët në Serbi.

Sa u përket mjeteve - që kundërshtarët e Hashim Thaçit përdorin për të përmbushur djallëzitë vetiake mendore - ata kanë gjetur, mes tjerave, vegjën e patriotizmit. Duke harruar kësisoj se "vjega e filxhanit (patriotizmit)" nuk ka qënë; nuk është; dhe nuk do mund të jetë kurrë pronë e dikujt; qoftë në shtëpi; qoftë në kafehane/çajhane me shokë e miq. Patriotizmi është një "fe" pagane e përbotëshme dhe e përjetëshme.            

Të gjitha këto e të tjera pikëpamje e sjellje të çuditshme - që e kanë burimin e tyre jo vetëm në të shkuarën po, edhe në të tashmen shqiptare dhe Ballkanike - provojnë se disa njerëz, jo cfarëdo, këtu e në Kosovë, dhe në Serbi nuk e kanë fituar ende aftësinë për të ndjerë gëzimin jetëdhënës që të fal përpjekja e dlirë në botën e ideve  që, lidhen pazgjidhmërisht me mbijetesën dhe përparimin e pandërprerë e pakufi të fqinjësisë mirë. Eshtë shumë kollaj ti sulmosh idetë, projektet, zgjidhjet - që ofrojnë SHBA dhe BE - me mënyrat dhe mjetet lartpërmendura. Por, është shumë zorr që ti kundërshtosh  ato po nuk pate vetë ide, projekte, zgjidhje që ofrojnë mirëqënie dhe qytetrim të cilat, burojnë vetëm nga institucioni i bashkëjetesës paqësore. Po mungoi mirëbesimi i shoqishoqshëm mes shqiptarëve dhe me të tjerët rretherrotull, e më gjërë se kaq, ne ballkanasit, padallime, do zvarritemi në baltë, si gjarpëri i Biblës, sa të jetë jeta.

Kjo do të do ishte një marrosje. Do të ishte - siç thotë Edmund Burke, filozof e burrështeti - lajthitja e përgjithëshme dhe vulgare e atyre popujve dhe liderëve që kujtojnë se ata që bërtasin me sa kanë në kokë për kombin e tyre, i'a duan atij të mirën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat