"Ikja (dhe kthimi) nga liria"

Opinione

"Ikja (dhe kthimi) nga liria"

Nga: Fadil Lepaja Më: 24 prill 2019 Në ora: 14:37
Fadil Lepaja

Ata kishin ikur me vullnet, me përpjekje të mëdha, me rreziqe, me shpenzime, për të shkuar atje ku i thërret besimi apo bindja e tyre . Më tepër se për lirinë, kishin ikur për shkak të një ideje më të qartë për rolin e tyre në shoqëri, sepse në vendin e vet, të çliruar nga dhuna e huaj, dhe të çliruar nga dogmat nuk po arrinin të gjenin veten e tyre, nuk po arrinin të ndiheshin, e lëre më të merrnin rolin e sovranit. Qytetari sovran? Kjo nuk është e mundur , mendon qytetari i lindur e rritur në robëri, mendon qytetari, pjesëtar i një komuniteti që kurrë në histori nuk kishte pasur pushtet të vetin, por ishin ndërruar perandoritë, apo fqinjët pushtues, të cilët e kishin shtypur ose korruptuar vullnetin dhe identitetin e tyre në të gjitha mënyrat, dhe më së shpeshti me sadizëm të skajshëm. Shto kësaj, deformimin e demokracisë, prej presionit dhe fuqisë së oligarkëve të ri  të (pas)luftës, dhe ideja e ikjes vizuelizohet lehtë edhe për një të huaj, e lere më për vendorët që e njohin situatën.

Për herë të parë në historinë e vet qytetarët e këtij vendi janë sovran, si shtetas të shtetit i cili ende lufton që identiteti i tij shtetëror të njihet nga bota, dhe përkundër dobësive të mëdha në funksionimin e shtetit dhe shoqërisë, megjithatë mund të ndihen të lirë, dhe mund të zgjedhin për të qëndruar apo ikur. Në fakt, për të ikur drejt perëndimit,  liria e tyre është e kufizuar , jo nga shteti i veta, por nga  vendet e tjera, të cilat kanë shqetësime lidhur me identitetin fetar dhe politik, përkatësisht mos durimin e vlerave dhe standardeve perëndimore, të një pjese  të popullatës shqiptare.

Shkuarja e një numri të  rinjve në luftërat në Siri, e ka hutuar edhe një pjesë të opinionit dashamirës evropian. Mohimi i shtetit, shoqërisë dhe mënyrës së jetesës, pra identitetit shqiptar dhe kosovar, dhe ikja në një vend ku pretendohet se jetohet  “më mirë”, pra me sheriat dhe ku demokracia ka kuptim negativ, i shqetëson ata.

Pra, çfarë i bie të jetë, në aspektin kombëtar, një shtetas i cili, me vullnet të lirë, merr tërë familjen me vete, duke kaluar shumë rreziqe, dhe duke rrënuar të gjitha urat pas vetes, duke shpenzuar shumë,  mbase krejt pasurinë e vet, për të jetuar me ligjet e zotit dhe jo të njeriut?

 Atje e shqyen, e hedh përtokë dhe e shkelë publikisht pasaportën e vendit, pra edhe identitetin në të cilin janë  lindur e rritur dhe të cilin  sapo e ka lënë, me shpresë të mos kthehet kurrë. Ikja nga identiteti, është karakteristikë e veçantë e kosovarëve që po ikin nga liria.

Pra, çfarë janë këta njerëz në kuptimin kombëtarë? Janë kosovarë apo sirian, apo pjesë e kombit, shtetit islamik?

Ideja e kombit islamik rrjedh logjikshëm, sipas analogjisë me përpjekjet ideologjike për kombin socialist, pas formimit të shtetit islamik. Atje kishin shkuar pjesëtarë të qindra etnive, shtetas të dhjetëra shteteve, por të gjithë të besimit të njëjtë, dhe të cilët kanë përzgjedhur të jetojnë sipas një mënyre të jetesës, të rregullojnë jetën e tyre shtetërore e shoqërore si dhe të gjykohen sipas të njëjtave ligje. Pra identiteti i tyre i ri, ishte islami, dhe vazhdon të mbetet. Pasiguria e të qenit sovran në rrethana, kur shoqëria bashkëkohore ka aq mekanizma për manipulimin e vetëdijes dhe vullnetit, krijon pasiguri të madhe te një pjesë e qytetarëve, të mësuar me jetën e disiplinuar dhe rolin e qartë, prej një rrotëze të vogël të mekanizmit shoqërorë, e cila do të sillet ashtu dhe në drejtimin e paracaktuar, në të cilin është sjellë  me qindra vjet.

Ndjenja e vëllazërisë e përshkon fund e krye rrugën e tyre, prej një vendi me rregullim perëndimor të jetës, një bashkim të individëve, në një vend, në të cilin vullnetarisht kanë hequr dorë nga shumë të drejta dhe liri, të cilat i konsiderojnë të imponuara. Liritë dhe standardet perëndimore të arritura me përpjekje të mëdha sociale e politike, ata i konsiderojnë kryesisht degjenerim, dhe ikje nga rruga e zotit, e cila me që ra fjala, për ta është e vetmja, dhe të gjithë duhet të rreshtohen andej.

Disa teoricien kosovarë do të thoshin se, duke u bërë shtetas, duke u identifikuar me atë shtet, ende nga askush të pranuar, ata pra  marrin identitetin e vendit në të cilin kanë shkuar me vullnetin e tyre. Kombi është pronar i shtetit, dhe kombi formohet vetëm brenda shtetit, thonë ata.  Gjithësesi këtë shtet e formësoi lëvizja politike islamike, dhe në një moment historik e strukturoi në shtet i cili në kulmin e vet i kishte rreth 10 milion shtetas.

Nëse në socializëm pronar të shtetit ishin klasa punëtore dhe ideologjia e tyre, në kapitalizëm modern pronarë, dhe sovrani, janë qytetarët, dhe kombi dhe të drejtat dhe liritë elementare njerëzore, dhe liberalizmi, shteti Islamik, pretendoi  shtetin , kombin islamik, botërorë, sipas të cilës çdo mysliman kudo që të jetë, është shtetas dhe njëherësh ushtar i këtij shteti, dhe tërë jetën bëjnë përpjekje që kjo ide të realizohet.

Kështu, debati për identitetin, falë problemeve bashkëkohore, po rrëshqet në një teren tjetër. Janë kosovarë, apo nuk janë, këta njerëz, të cilët kanë lënë gjithçka pas vetes, përfshi edhe identitetin,  dhe kanë shkuar në një vend, ku kanë marrë shtetësinë e një shteti tjetër, edhe pse të panjohur nga askush, ku me qindra identitete janë shkrirë në një, pra në një identitet islamik?

Kthimi i detyrueshëm, “në liri”, në komunitetin etnik dhe social, do të tregojë fytyrën e vërtetë të shtetit dhe shoqërisë kosovare. Humanizmi dhe sundimi i ligjit, apo pandjeshmëria dhe hakmarrja e shtetit, do të jetë përgjigjja kosovare, ndaj shtetasve që mohuan identitetin e vet dhe vullnetin kolektiv?

Në këtë angazhim, shteti i brishtë, dhe mbi të gjitha i korruptuar dhe i papërvojë, i Kosovës e ka të vështirë të përballet me kthimin e të gjithë militantëve, dhe atyre që kishin ikur vullnetarisht nga këtu. Bashkëpunimi me segmentet e ligjit dhe të sigurisë, nga vendet mike, është kusht për të zbutur fanatizmin dhe për të tejkaluar sfidën mesjetare, globale, dhe kjo mund të bëhet vetëm duke e zhvilluar më tej lirinë e besimit, dhe duke e trajtuar me humanizëm, dhe me ligj, këtë fenomen global, i cili te ne për shkak të traditës merr përmasat e një konflikti të brendshëm, me shumë rreziqe për shtetin dhe qytetarinë tonë.

Roli i intelektualëve do të jetë shumë më i rëndësishëm se roli i shtetit, sepse çdo luftë fillimisht fitohet në kokat e njerëzve. Është shumë me rëndësi që kjo luftë e brendshme, e imponuar, të përfundojë me fitoren e të gjithëve dhe pa humbës, duke pasur parasysh se ajo tashmë, po zhvillohet jo vetëm në frontin ndërkombëtar, por edhe në atë familjar.

Nëse shteti është ui pafuqishëm, brenda “kalasë” familjes, ku kryefamiljarët ndihen sovran, intelektualët me ide, humanizëm dhe kreativitet, e çlirojnë individin nga hartat mesjetare të mendjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat