Çfarë shërbimi informativ i duhet Kosovës

Opinione

Çfarë shërbimi informativ i duhet Kosovës

Nga: Shpend Salihu Më: 6 korrik 2019 Në ora: 18:17
Shpend Salihu

Shërbimi informativ merret me mbledhjen, grumbullimin, përpunimin, filtrimin, administrimin dhe analizimin e informacioneve. Informata dhe kundër- informata janë elementët bazike të funksionimit normal të shërbimit informativ. Në thelb informata është provë e prova argument e cila ndihmon në konfigurimin e sistemit të sigurisë në shtet.

Derisa në Europë dhe Amerikë, shërbimet informative e kanë këtë mision, gjithashtu kanë edhe mision të arrestimit e besa edhe të parandalimit, izolimit, neutralizimit dhe luftimit të grupeve subverzive dhe destruktive në shtet të në aspekt të brendshëm dhe të jashtëm, që mund të ndikojnë në cenimin e sigurisë nacionale të shtetit dhe prishjen e rendit kushtetues të shtetit. Në Kosovë, ende AKI nuk ka kompetenca ekzekutive për ndërmarrjen e hapave konkret në aplikimin e metodave të tilla, edhe pse në sektorin e intelegjencës, ekzistojnë sektorët e ndryshëm siq janë: Anti- rebelim, antidrogë, zbulim, kundërzbulim, anti terrorizëm, cyber terrorizëm etj. Këto dhe shumë sektorë tjerë të cilët mund të themelohen në kuadër të shërbimit informativ, e kanë edhe sektorin analitik dhe të planifikimit strategjik të cilat pos raportimit analitik, dhe kompilimit të planit operativ për reagim në situata kur mund të çrregullohet sistemi i sigurisë nacionale në shtet, duhet të jenë të koordinuara me këshillin e sigurisë kombëtare, dhe agjencionet e tjera të zbatimit të ligjit në Kosovë.

Në këtë etapë kur në Kosovë funksionojnë shërbimet informative të huaja si dhe ato regjionale është shumë e vështirë që të parandalohen, dhe luftohen dukuritë dhe fenomenët negativë që mund të destabilizojnë gjendjen e sigurisë në shtet. Shërbimi i intelegjencës së Kosovës duhet të ketë një strukturë, uniforme e cila është e gatshme të ballafaqohet me të gjitha sfidat në Kosovë, dhe edhe pse shërbimi informativ shkëmben informacionet me shërbimet e huaja, ato informacione duhet filtruar që të vërtetohet saktësia e tyre sepse siç e dijmë nuk janë të gjitha informacionet nga shërbimet e huaja të sakta e as nuk mund të pretendojmë që një shërbim i huaj të mos ketë pretendime të destabilizimit të situatës në vendin tonë.

Gjendja e sigurisë në Kosovë është goxha alarmante, për shkak se veprojnë grupe dhe formacione militante në subjektet e ndryshme politike, si dhe grupe insurgjente të Serbisë në Kosovë të cilët kanë pretekst destabilizimin e gjendjes së sigurisë në shtet. Këto grupe përkrahin edhe sekte të ndryshme fetare me qëllim të nxitjes së konfliktit ndër- sektar dhe ndër- fetar që të krijohet një urrejtje fetare në Kosovë, gjithashtu mision i këtyre grupacioneve është edhe përçarja ndër-politike dhe destabilizimi i strukturës parlamentare në shtet, me qëllim që Kosova të tregohet në rrafsh ndërkombëtar si një shtet frigjid dhe joserioz i cili është faktor i destabilitetit në regjion.

Shërbimi i intelegjencës së Kosovës sikurse shërbimet e huaja duhet të ketë të drejtë të rekrutojë personel profesional edhe pa aplikimin e institutit të konkursit. Shërbimet klandestine dhe analitika duhet të rekrutohen në bazë të referencave dhe aftësive profesionale të kandidatëve të cilët paraprakisht janë verifikuar nga AKI dhe të cilët mund të kontribuojnë në konsolidimin e sistemit të sigurisë në shtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat