Agjenda për Negociata me Serbi - Bota Sot
Agjenda për Negociata me Serbi

Opinione

Agjenda për Negociata me Serbi

Nga: Shpend Salihu Më: 11 korrik 2019 Në ora: 15:49
Shpend Salihu

Pavarësisht faktit, se Gjykata Kushtetuese ia dërgon mandatin për negociata me Serbinë ekzekutivit, ky është një keq interpretim kushtetues dhe në kundërshtim me praktikën ndërkombëtare me vetë faktin se Serbia ende nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Në aspekt të së drejtës kushtetuese dhe evitimit të përçarjeve parlamentare dhe krizës së sigurisë nacionale grupi negociator duhet të jetë i komponuar nga i gjithë spektri politik në Kosovë. Ai grup negociator duhet të formulojë një platformë për negociata, në bazë të së cilës do të formulohej agjenda për negociata me palën serbe. Gabimi kardinal që bëhet në këtë etapë të bisedimeve është që shtrohet çështja e demarkimit kufitar dhe e njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia.

Në bazë të kushtetutës 1974, Kosova ishte subjekt i barabartë dhe element konstituiv i federatës Jugosllave dhe i gëzonte të gjitha atributet e shtetit duke përfshirë edhe përkufizimin e territorit të saj. Negociatat me Serbinë para se të shkohet në këtë fazë të përmbylljes duhet të kalojnë në një etapë preliminare e cila do të koncentrohej si në disa pika si në vazhdim:

Kthimin e personave të pagjetur në Kosovë

Reparacionin e dëmeve të luftës si në aspekt individual ashtu edhe në aspekt kolektiv

Kthimin e fondit pensional të cilin e grabiti Serbia dhe ndarjen e këtij fondi pensionistëve në bazë të kontributeve që kanë në fondin pensional

Zbatimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të së drejtës dhe abrogimin e Rezolutës 1244, pasiqë Kosova me këtë vendim të GJND aktin e shpalljes e konsideron si akt legjitim dhe të drejtë.

Ndarjen e pasurisë së përbashkët të ish- jugosllavisë ku Kosova me buxhetin e vet ka dhënë një kontribut të madh si në infrastrukturën ushtarake ashtu edhe në fondet e akumuluara buxhetore.

Pas përmbylljes së kësaj faze mund të negociohet për demarkimin kufitar, vetëm në bazë të kushtetutës të vitit 1974 e cila i përcaktoi kufijtë e atëhershëm administrativ të Kosovës. Edhe nëse pas kësaj faze Serbia nuk na njeh si shtet ajo nuk është fakt relevant pasiqë përmbyllja e kësaj faze preliminare dhe peticioni të cilin parlamenti i Kosovës do i adresonte këshillit të sigurimit të OKB-së do të nënkuptonte faktorizimin e Kosovës në rrafsh ndërkombëtar.

Gjithashtu derisa të shfuqizohet Rezoluta 1244, grupi  jonë negociator, duhet të kërkojë në Bruksel zbatimin e nenit 13 të kësaj Rezolute dhe kthimin e Shqiptarëve të zhvendosur në vendin e origjinës konkretisht në pjesën veriore si dhe shtrirjen e jurikdiksionit dhe sovranitetit në këtë pjesë të trazuar.

Pas kësaj faze parlamenti i Kosovës e ka shumë më lehtë të ratifikojë marrëveshjen me palën Serbe, sepse i gjithë spektri politik do ishte i përfshirë në bisedime, e besa nuk do mungonte as përkrahja populliste nga masat e gjëra për zbatimin e marrëveshjeve të firmosura.  

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...