A t’i votojmë a jo, mjekët? - Groposja politike e shëndetësisë në Kosovë - Bota Sot
A t’i votojmë a jo, mjekët? - Groposja politike e shëndetësisë në Kosovë

Opinione

A t’i votojmë a jo, mjekët? - Groposja politike e shëndetësisë në Kosovë

Nga: Mentor Sutaj Më: 11 shtator 2019 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Shtylla kryesore e një shteti, mbi të gjitha, është sistemi shëndetësor, pasi i njëjti kujdeset për shëndetin dhe jetën e të gjithë shoqërisë, përfshirë këtu edhe shëndetin e nxënësve, studentëve, mësimdhënësve, prokurorëve, avokatëve, gjyqtarëve, punëtorëve, etj., që përbëjnë arsimin, drejtësinë dhe ekonominë si shtylla tjera kryesore të një shteti dhe shoqërie. Në Kosovë, ashtu sikurse shtyllat tjera, edhe shëndetësia përveq se ka mbetur shumë prapa zhvillimeve bashkëkohore, ka tendenca të përkeqësimit drastik edhe më tutje. Në secilat zgjedhje të Kosovës, qofshin ato parlamentare por edhe lokale, përmirësimi i shëndetësisë ka qenë një letër premtuese e të gjithë politikanëve, si pikë shumë e ndjeshme për votuesit  kosovar, të shtypur ekonomikisht si dhe në çdo shërbimim që ata e marrin, përfshirë edhe shërbimin shëndetësor. Gjendja në shëndetësi vetëm se ka degraduar, ndërsa premtimet kanë mbetur ato të njëjtat, duke përfshirë edhe parafushatën e zgjedhjeve të sivjetme të jashtëzakonshme. Si rrjedhojë e gjendjes në shëndetësinë tonë, si në shërbimin e ofruar, si në qasjen në atë shërbim, një pjesë e madhe e pacientëve kosovarë edhe në këtë minutë kërkojnë shërbimet shëndetësore jashtë vendit, dhe ky nuk është ndonjë lajm i ri, që nga paslufta. Nuk është lajm i ri as që edhe zyrtarët shtetërorë, që janë përgjegjës për përmirësimin e shërbimit shëndetësor, kanë shkuar jashtë vendit për të marrë shërbimin shëndetësor. Ka familje kosovare që problemet shëndetësore, dhe marrja e shërbimit shëndetësor, i ka kushtuar me shitjen e gjithë pasurisë të trashëguar e të fituar ndër shumë vite.  Në anën tjetër, shumë mjekë të dalluar, për shkak të politikës degraduese ndaj tyre, janë detyruar të ikin nga ky vend dhe të gjejnë trajtim dinjitoz të shtetit ndaj profesionit të tyre, në shtete tjera, duke iu shërbyer shëndetit të popujve tjerë dhe gjithë globit.

                Partitë politike, për interesa zgjedhore, kanë futur nën ombrellën e tyre shumë mjekë me emër e pa emër në Kosovë.  Deri tash kemi pasë mjekë që e kanë udhëheqë pikërisht Ministrinë e Shëndetësisë dhe shumë mjekë që kanë qenë deputetë në Kuvendin e Republikës dhe në Kuvendet Komunale. Fatkeqësisht edhe pse mjekët ishin në organet vendimmarrëse, gjendja në shëndetësi nuk u përmirësua, por vetëm se u degradua më tutje, si për pacientin, si për mjekun. Fatkeqësisht, këta mjekë të njëjtë vazhduan të jenë në shërbim të klaneve politike, dhe vazhduan të kandidohen e të zgjedhen në poste politike, edhe pse si rezultatet i punës apo mospunës së tyre sistemi shëndetësor vetëm se u degradua edhe më tutje. Koeficienti i pagës së mjekut dhe i pagës reale, mbeti në nivelin 5, shumë larg koeficientëve tjerë më pak të rëndësishëm, me votimin e ligjit të pagave edhe nga mjekët deputetë. Deri sa koeficienti i deputetit është 8, këta deputetë mjekë sigurisht votuan për pagën e tyre si deputet e jo si mjekë. Mos t’i neglizhojmë këtu as benefitet tjera që ka deputeti si angazhime nëpër komisione, mëditjet, shetitjet e botës, kompenzimi pas përfundimit të mandatit e shumë të tjera.  

                Logjikisht por edhe sipas betimit të mjekëve (Hipokratit) mjeku duhet t’i shërbejë shëndetit.  Shkollimi i një mjeku zgjatë minimalisht 6 vite studime bazike, plus 3-5 vite specializim plus edukimi i vazhdueshëm profesional  që nuk mbaron kurrë. Logjikisht nuk mund ta kuptoj pse një mjek pas një ivestimi kaq të madh në shkollim dhe profesionalizim, duhet të merret më diçka tjetër, konkretisht me politikë për çka ai nuk është përcaktuar, shkolluar dhe specializuar.  Paga apo koeficienti sipas ligjit të ri të pagave, përsëri  nuk e ka vendosë mjekun në pozitën e merituar, por i kishim mjekët në parlament që nuk e kundërshtuan një vlerësim të tillë.

                Partitë politike po vazhdojnë  me të njëjtin mentalitet “politik” të fitojnë pozita në vendimmarrje shtetërore, duke i përdorur mjekët  e njohur e të panjohur si kandidatë për deputetë.  Normal që krejt kjo me pëlqimin e vet atyre mjekëve. Të njëjtat parti politike, po na mashtrojnë përsëri duke na premtuar që shëndetësinë do ta kenë prioritet, dhe duke ndaluar ikjen e mjekëve jashtë shtetit, por në të njëjtën kohë duke i larguar mjekët nga shërbimi profesional ndaj neve dhe duke i futur në politikë, ku zëri i tyre për shëndetësinë u tregua i ngjirur ndaj apetiteve të mëdhaja politike.

                Prandaj, në një situatë të tillë, kur shumë mjekë dhe staf mjekësor  po ikin nga ky vend, kur ne kërkojmë shërim jashtë vendit, dhe kur ata pak mjekë që kanë mbetë po hyjnë në politikë, shtrohet pyetja: A duhet t’i votojmë apo jo, mjekët për deputetë si për Parlamentin e Kosovës si për Kuvendet Komunale?  Partitë politike po i tërheqin mjekët nga spitalet dhe ambulancat, ku duhet të na shërbenin neve profesionalisht. Është në dorën tonë që t’ua japim aminin apo mos të jau japim aminin  e t’i kthejmë aty ku na duhen, e aty për çka janë shkolluar profesionalisht e për çka e kanë dhënë betimin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...