Rruga e ndershme e Albin Kurtit

Opinione

Rruga e ndershme e Albin Kurtit

Nga: Alpin Ollogu Më: 1 tetor 2019 Në ora: 23:25

Para së gjithash, në këto rrethana historike të çështjes së Kosovës dhe çështjes së identitet shqiptar në përgjithësi, përpjekja politiko – ideologjike e Albin Kurtin është rruga e ndershme në rezistencën e mbijetesës konceptuale të kombit mbarëshqiptar. Lideri shpirtëror i Vetëvendosjes, në mënyrë demonstrative dhe politike, vazhdon të jetë promotori konsekuent i ideologut të shquar të bashkimit kombëtar të kohëve moderne, martirit, Ukshin Hoti.

Në një kohë kur për llogari të karrierave politiko – pushtetare, trysnive ndërkombëtare apo dobësive intelektuale, shumë prej politikanëve shqiptarë nuk patën dhe nuk kanë guximin e minimalisht deklarimit të qartë, për të drejtën e natyrshme të popullit shqiptar, të drejtën e vetëvendosjes, Albin Kurti si askush tjetër, i sfidoi i të gjithë këto barrikada. Ai dëshmoi se mundet. Akuzat dhe tentimet serioze të kundërshtarëve të tij vendas dhe të huaj, për izolim ndërkombëtar, burgosje gjatë regjimit dhe pas regjimit, rrjedhjet karrieriste brendapartiake, të gjitha kwto mbeten elemente dhe përpjekje të dështuara, pasi ai mbijetoi, u shndërrua dhe mbeti forcë e fuqishme politike dhe, tashmë një kandidat potencial për kryeministër.

Me përjashtim të lëkundjeve tw pjeswshme, Kurti, gjatë gjithë rrugëtimit politik, i mbeti besnik parimeve të tij esenciale idealiste. I mundi moralisht të gjithë skeptikët dhe kundërshtarët e milionav. Ndërsa në këto zgjedhje, me gjasë, do ti mundë edhe politikisht. Për më shumë, një pjesë të politikës, e çliroi nga kompleksiteti i tematikave kombëtare për bashkime territoriale Kosovë – Shqipëri. I bëri të flasin me më pak drojë dhe me më shumë guxim. Dëshmoi se vizioni dhe përgatitja intelektuale, se e vërteta e thënë dhe e mbrotjur nga njerëz guximtarë, nuk njeh kundërshtarë, pavarësisht sakrificave, ajo i mund të gjithë, i kthen në drejtim të rrugës së duhur, qofshin këta vendas apo të huaj. Mjafton vetëm kjo si arsye qenësore, që në këto zgjedhje, drejt rrugës së tij, të vërshojnë lum votash në ngjitjen kryeministrore. Fillimisht, me aspiratën për ta bërë shtetin shtet, më pastaj për ta bërë kombin brenda shtetit, ashtu si në vizionin rilindas.

Me fillimin e formimit të kombeve, aspirata dhe përcaktimi i rilindasve shqiptarë, që shqiptarët të jenë një komb i vetëm, ishte dhe mbetet një përcaktim identitar objektiv dhe subjektiv i patjetërsueshëm i mbarë trungut shqiptar në Ballkan dhe mërgatë. Asnjë teori tjetër e ekzistimit dhe formimit të kombeve nuk i shkon për interes dhe për dinjitet shqiptareve të Ballkanit, në cilindo shtet jetofshin aktualisht. Luftërat e përbashkëta shekullore; gjuha; traditat; madje edhe feja islame e shumicës shqiptare; uniteti i jetesës në territore të përbashkëta - aq sa është edhe vetë historia, e bën që gjithë etnia shqiptare në shumicë absolute, të qëndrojë në përcaktim subjektiv të këtij identiteti kolektiv që quhet komb.

Mbi të gjitha, koncepti i kombit mbarshqiptar është nevojë strategjike e mbrojtjes dhe zhvilimit tonë shtetëror, është rruga e politikanit të ndërshëm Albin Kurti, e betonizuar në kundërshtimin e propagandave tw identiteteve tjetërsuese, si ai: i kombit kosovar; simboleve apo hymneve joshqiptare. Rruga e tij është betonizuar kundër politikave dëmsjellëse të “zajednicës”, demakracionit, skandaleve dhe mega korrupsionit të partive qeverisëse, e të tjera me radhë. Nga lëvizjet studentore; lufta në organizmin politik të UÇK-së; protestat në rrugë; dyert e burgjeve; mos tundimin për të qenë pjesë e qeverive kukull – përfitues; pastërtinë e figurës, e deri në intelektualizmin dhe opozitarizmin e argumentuar në organin ligjvënës, aktualisht, e bën rrugën e tij të ndershme, njeriun më të duhur për të udhëhequr shtetin e Kosovës dhe punuar për fatet e kombit.

Rrethuar me armiq shekullorë të cilët akoma s’kanë hequr dorë nga natyra armiqësore, e përbashkëta kombëtare na bëhët mburojë e domosdoshme. Me mbështjen për rrugën e Albinit, ju jepet zemër edhe gjithë atyre që kombin mbarëshqiptar e kanë ndjenjë të brendshme, por që pushteti, karriera politike, ose arsye të tjera larg nga e drejta, i bën të “flasin nga Kina”, duke lënë hapësirë lëvizjeve e ideve për formimin e kombeve tjera brenda etnive shqiptare, siç është i propaganduari “komb kosovar”. Në këtë logjikë, dikush në të nesërmen, nga selia e ndonjë partie politike (shqiptare apo jo), apo kolltuku interesi mediatik, mund të fillojë propagandimin e: “Kombit të Maqedonisë së Veriut” – duke argumentuar me konceptet moderne të formimit të kombeve - shtete, të përbërë nga etni të ndryshme.

Askush më shumë se shqiptarët, veçanërisht shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nuk i përmbushin kushtet juridike të vetëvendosjes së popujve. Ky nuk është nacionalizëm as megalomani për të qenë më të mëdhejm apo sundimtar mbi tjerët, por është natyrshmëri, ashtu si na ka krijuar Zoti në territor dhe karakteristika të njejta. Aq më tepër, për të mbrojtur dhe zhvilluar mirëqenien tonë, lypset qe identiteti të jetë i pacënueshëm, të mbetemi kurdoherë një komb i vëtëm shqiptar. Në të ardhmen e afërt, në përputhje me liritë dhe të drejtat e njeriut, parimin fundamental të së drejtës ndërkombëtare për vetëvendosje, nevoja logjike kwrkon bashkim territorial me mekanizmin e referendumeve popullore, ku shumica vendos për fatin e vetë, ashtu si e promovon demokracia botërore. Ngase demokracia, parimet universale për liritë dhe të drejtat njerëzore, për dikë s’mund të jetë nënë, dhe për dikë të jetë njerkë.

Janë këto arsye të thjeshta, se pse në këto momente kritike identitare duhet mbështetur më shumë se kurrë, rruga e Albin Kurtit. Ai për të cilin kemi shpresa që të mobilizojë më shumë se cilido tjetër kryeministër, ndjenjën e bashkimit shpirtëror kombëtar dhe referendumin juridik për bashkimin territorial të shtetit të Shqipërisë administrative dhe Republikës së Kosovës, në një shtet të vetëm. Pavarësisht të metave të tij sekondare në ecurinë politike, thelbësore është që tek Albini mbisundon koncepti i patriotit ideal, përgatitja intelektuale dhe pastërtia e figurës - jokorruptive. Partitë e tjera, me udhëheqës të cilët, edhe pse realisht kanë dhënë kontribut te rëndësishëm në çështjen kombëtare - në luftën për liri dhe pavarësi, janë parti dhe liderë të konsumuar, të cilëve ju nevojitet pastrimi struktural në opozitë. Ёshtë koha të largohen nga qeverisja, të shkunden segmentet e tyre korruptive dhe paaftësive në ndërtim shtetin ligjor dhe kombëtar.

Në pragun e këtyre zgjedhjeve, rruga idealiste e Albin Kurtit meriton përkrahje të sinqertë. ngase përveç ndershmërisë personale (të qenit i pakorruptuar), artikulimit dhe argumentimit brilant të programit të fushatës zgjedhore, në ndërtimin ekonomik të vendit, shtetin e mirëqenies sociale, dhe vecanërisht ngritjes se shtetit ligjor me vetingun në gjyqësor, thelbësore, ai personifikon vulosjen e miratimit shpirtëror e subjektiv, në një identitetit të përbashkët kombëtar shqiptar, atë të babait të pavarësisë, të Ismail Qemal bej Vlorës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat