Partitë politike pa ideologji janë të përkohshme! - Bota Sot
Partitë politike pa ideologji janë të përkohshme!

Opinione

Partitë politike pa ideologji janë të përkohshme!

Nga: Ilir Ejupi Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 19:33
Ilir Ejupi

Çdo organizim politik, i cili ka për qëllim marrjen e pushtetit, duhet që të ketë një ideologji politike mbi bazën e së cilës thirret dhe afron afër vetës njerëz të shtresave të ndryshme. Partitë politike duhet të synojnë që afër vetës të ofrojnë njerëz të cilët besojnë në ideologjinë e tyre politike dhe kështu t’i bindin qytetarët se programi i tyre politik është me i miri për të qeverisur me vendin. Ne momentin që partitë politike arrijnë që afër vetës të kenë njerëz me ideale të përafërta me ato të partisë, njerëz të cilët bëhen pjesë e partisë për shkak të idealeve dhe politikave të saj, suksesi asnjëherë nuk do të mungojë. Ndërsa, në ato parti politike në të cilat njerëzit bashkohen për interesa personale, mund të ketë vetëm suksese të perkohshme dhe shumë shpejtë ato shuhen nga skena politike e një vendi.

Në Kosovë është shumë me rendësi profilizimi politik i partive, në krahun e djathtë dhe të majtë, që do të ishte një mundësi e mirë që, para qytetarëve të ofrohen politika të qarta me orientim të qartë politik. Pra, në këtë mënyrë qytetarët do ta kenë të lehtë për t’u rreshtuar ose për të përkrahur njërin prej krahëve politik, i cili përkon me bindjet dhe interesat e tyre politike. Kështu, qytetarët do të përkrahin programet politike, jo liderët ose individët brenda partive politike.

Nëse e bëjmë një analizë, duke u kthyer në retrospektivë, mund të konkludojmë se,partitë politike në Kosovë nuk kanë qenë të lira për t’i shprehur bindjet e tyre politiko-ideologjike, por një gjë e tillë i’u është mundësuar pas luftës së fundit, të vitit 1999, me çlirimin e vendit nga okupatori serb.Këtë mundësi nuk e kanë shfrytëzuar partitë politike të Kosovës, duke mos kontribuar në përpilimin e programeve politike të qarta, duke mos kontribuar në përgatitjen e anëtarëve në frymën e orientimit politik përkatës, të partive politike në Kosovë. Mbajtja e shkollave politike, seminareve politike nga partitë politike për anëtarët e partisë, ka qenë shumë në interes të politikës në Kosovë, që do të kishte ndikuar në profilizimin më të shpejtë të partive politike në Kosovë.

Pas luftës, partitë politike të Kosovës kanë qenë parti të liderëve, ku janë thirrur në baza regjionale, që ka ndikuar edhe në përçarjen e popullit. Ato, në fushatat e tyre elektorale janë thirrur më shumë në lidër të partisë sesa në programet e tyre politike.

Ndërsa, në këtë periudhë, fuqia e liderëve të partive politike ka filluar të zbehet, mirëpo ajo që është shqetësuese për disa parti politike, është fakti se nuk e kanë një ideologji të qartë politike,rreth të cilës i afron përkrahësit e vet.Ato duhet të ofrojnë programe politike të cilat i japin zgjidhje problemeve me të cilat është duke u perballur shoqëria jonë, gjithmonë duke u thirrur në politikat programore të orientimit politik të krahut të majtë ose të djathtë. Këto parti duhet t’i largojnë njerëzit e interesave personale, duhet t’i marrin afër vetës njerëzit të cilët luftojnë për interesat e përgjithshme të shoqërisë, dhe që besojnë në idenë se politika është fushë e cila merret me zgjidhjen e problemeve të shoqërisë, jo si fushë përmes së cilës njerëzit i realizojnë interesat e ngushta personale.

Prandaj, lirisht mund të konkludojmë se, në Kosovë, si kauzë kryesore e çdo partie politike duhet të jetë zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, arsimi cilësor dhe një shëndetësi e dinjitetshme, e cila i trajton të barabartë të gjithë qytetarët. Të gjitha këtyre problemeve me të cilat përballet shoqëria jonë, partitë politike duhet t’iu ofrojnë zgjidhje, duke ofruar programe politike me ideologji të qartë, e cila i jep rrugë të drejtë dhe të mbarë të gjitha këtyre problemeve, që e shqetësojnë secilin individ.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat