Gjuha thyen eshtrat!

Opinione

Gjuha thyen eshtrat!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 2 janar 2020 Në ora: 08:11
Zejnullah Jakupi

Fyerjet në rrjete sociale duket se ka marrë dhenë. Nganjëherë na paraqiten në formë të kanosjes, por nuk janë të tilla. Nuk janë satirë por as humor. Sidomos, në këto kohë krizash politike, ato kanë vërshuar rrjetet sociale, të cilat po bëhen gjithnjë të padurueshme. Autorët e tyre nuk janë vetëm simpatizantët radikal të subjekteve publike, por edhe ministra, poet e politikanë të rëndomët. Pse mungon neni për fyerjen dhe shpifen në Kodin Penal të Kosovës? Duket sikur, jo vetëm shteti, por as subjektet politike nuk dëshirojnë ta parandalojë “lojën” me fjalë, gjuhën që thyen eshtra!

________

Dritëro Agolli, poeti kombëtar, ndër më të njohurit e kohës së letërsisë moderne shqipe, e ka thënë metaforën për shprehjen e cila tregon peshën e gjuhës dhe efektet e saja. Rasti i fundit, pra kërcënimi me jetë ndaj Albin Kurtit nga Haxhi Hoti, në rrjetet sociale, do të këtë dhe ka në të vërtetë pasoja ligjore. Sipas shkrimeve në media, autori i kërcënimit u arrestua më 29 dhjetor 2019 për shkak të kërcënimit me jetë të kryetarit të VV-së.

Tallja fyese e cila qarkulloi me të madhe në muajin e fundvitit të kaluar ishte gjithashtu një fotografi e Albin Kurtit nën diçiturën e së cilës, shkruante “Wanted”: Pra kjo fotomontazhë u përdor si metaforë humoristike se gjoja po kërkohet Albin Kurti me polici, për ta sjellë tek Hashim Thaçi në mënyrë që presidenti ta mandatojë për kryeministër, por ky, pra Albin Kurti është në arrati. Disa të tjerë postuan fotografi sikur gjoja janë vërë në kërkim të Albinit në male, po ku ta gjejnë, dhe ku mund të ndodhet, nuk e dinin? Caqet e humorit u kaluan shpesh padiktueshëm dhe u bënë serioze në formë kërcënimesh.

Se situata është shumë serioze në këtë drejtim e vërteton edhe profesori i gazetarisë në UP Milazim Krasniqi i cili thotë se „këso fyerjesh e kërcënimesh“ merr edhe ai vazhdimisht, tash sa vjet, duke i thënë atij: “Morre spiuni i Turkut e i mutit (…) se ti je kopil si Hamza, kushëriri i Skënderbeut. Tradhtar, vdekje tradhtarëve, poshtë idiotët. Vllau yt hoxhë ''Shefqet katunari''bashkëpuntor i serbit, e ndërsa ti bashkëpuntor i turqve, more gjakprishur. (…) Vdekje tradhtarëve së bashku me familjet që i lanë pas“.

Këto fyrje, thotë ai, sa vijnë e shtohen, mbase, siç thotë një proverbë e vjetër, shih kumbulla kumbullën e piqet dhe ska asnjë dyshim se edhe pasardhësit e juaj frymojnë njëlloj dhe të gjithë ata që janë të paguar të bëjnë propagandë të flliqur për kombin tonë, paqin fatin e Esat Pashë Toptanit!!!” Sipas profesorit tani "ka ardhe koha që vërtet policia e prokuroria t’i identifikojnë këta persona që përdorin gjuhë të urrejtjes dhe kërcënojnë me dhunë!“.

Gjithashtu edhe Vjosa Osmani, nënkryetarja e LDK-së është shprehur se “tashmë gjuha e urrejtjes është kthyer gjithandej në përditshmëri. Kërcënimet e tilla janë sulme ndaj vlerave më të rëndësishme të kësaj shoqërie. “Është koha që të gjithë të bëjmë thirrje e të punojmë për gjuhë përafruese e të mirëkuptimit ndaj njëri-tjetrit. Pavarësisht dallimeve politike, ne të gjithë kemi vetëm një atdhe, Republikën e Kosovës, të cilën duhet ta ruajmë e zhvillojmë duke respektuar njëri-tjetrin. Prandaj i ftoj edhe përfaqësuesit e tjerë politik që jo vetëm të dënojnë gjuhën kërcënuese por edhe t’i ftojnë aktivistët e anëtarët e tyre për gjakftohtësi, tolerancë e mirëkuptim.”

Kurse Enver Robelli shkruan se „çdo kërcënim me jetë ndaj tjetrit – qoftë politikan apo, siç thuhet, qytetar i thjeshtë – duhet të ketë pasoja ligjore. Huliganizmi gjuhësor nuk duhet të tolerohet. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë, natyrisht edhe Lëvizja Vetëvendosje. Sepse sa i përket kërcënimeve e gjuhës agresive ndaj të tjerëve kjo parti nuk është libër i pashkruar. Në fakt me kërcënimet e saj do të mbushej një libër. Andaj, lëreni anash hipokrizinë dhe pallavrat vetëviktimizuese, tejkalojeni pubertetin politik, silluni në nivelin e përgjegjësisë që keni marrë më 6 tetor”.

Këto thirrje të ekspertëve për ti dhënë fund fyrjes në media dhe rrjete sociale padyshim drejtohen ndaj shtetit dhe instancave më të lartë të drejtësisë. Prej tyre rrjedhin edhe përgjegjësitë dhe obligimet ndërkombëtare, shih për këtë duhet të mendojë për të forcuar shërbimet e veta, t’i sanksionojë të “dyshimtët”, në mënyrë që të mos rrezikojnë jetën individëve, qofshin këta persona natyror ose publik, të cilët gëzojnë drejtën për të mos u “akuzuar”, fyer dhe rrezikuar nga shpifjet dhe kërcënimet.

Fyerjet tipike

Fyerjet tipike bëhen shpesh edhe në medie (sociale) dhe drejtohen bëhen kundër kundërshtarëve politik apo elitave të caktuara politike. Për të sçaruar këtë fenomen po sjellim dy shembuj të ndryshëm, të cilët janë tipik, të bërë nga njërëz me peshë, të cilët kanë përdorur fyerje në shprehjet e tyre. Një fyerje tipike në fund të vitit 2019 e bëri kryetari i Partisë Demokratike dhe ish- kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, në paraqitjen publike, siç ishte rasti me ballafaqimin e tij me gazetarë në KlanKosova (26.12.2019). Ai nuk kërcënojë, por vetëm bëri fyrje publikisht ndaj kontrahentit të tij politik, kryetarit të VV-së dhe kryeministrit në ardhje, Albin Kurtit me shprehjen se ai është një ´zuzar´. Fjala zuzar sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, do të thotë, “Ai që sillet kot rrugëve e bën punë të këqija, rrugaç; ai që fut hundët kudo; (...) njeri i poshtër. “

Në një rast tjetër, kemi të bëjmë me poetin e njohur kolegun tonë (F.Tasholli) i cili në një poezi postuar në FB gjoja i drejtohet At Gjergj Fishtës duke ju ankuar, pse Edi Rama po takohet me Aleksandër Vuçiçin dhe po bënë pazare në dëmë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këtë vjershë autori kritikon me tone të ashpëra se gjoja këta politikanët (edhe pse nuk i përmend me emër), janë siç thotë ai, “do lecka t’kombit” të cilët dojnë “M’e ba Shqipninë kurvë të motit!” (shprehje slave!).

Pra, vjersha është një bisedë e improvizuar dhe duket sikur sarkazëm, ku autori shpreh indinjatën e tij, duke e shprehur me fjalë se këta, pra (politikanët) po e bëjnë Shqipërinë të tillë. Se ky rrjesht është fyerje ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk do koment, mendoj unë. Se kjo shprehje është fyrje e tregon edhe fakti se thënia nuk përkon me faktin e vërtët, ose themi, ajo nuk mund të vërtetohet, sepse s´pari shteti, pra Shqipëria nuk është një zonjë, por as nuk mund të jetë një lavire (siç, është menduar figurativisht), ose, siç e quan autori.

Në dy rastet, do të duhej të ketë një shqyrtim dhe interpretim nga një gjyq, nëse jo me këtë pastaj duhet të merret edhe Gjykata Kushtetuese, për të sjellë një vendim edhe për rastet tjera të ngjajshme. Në Gjermani, në rastet tilla puna ka shkuar edhe deri tek Gjykata Kushtetuse? Implikimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të bëhet edhe për të parandaluar etiketime e të tilla që drejtohen kundër shtetit, personaliteteve shtetërore, kundër emërit të shtetit, identitetit kulturor dhe kombëtar, ruatjen e saj dhe mos cënimin apo dëmtimin moralist përmes fyrjes.

Një fyrje e tillë, në rastin ndaj A. Kurtit, do mund të kishte ballafaqim në gjyq, nga ku pala fituese do kishte dëmshpërblim, në këtë rast moral, por pse jo edhe monetar. Ndërsa tek rasti i poezisë, mesiguri, autori, megjithmend e ka menduar si një formë të shprehjes satirike, pa dashur të fyej dhe ai madje nuk është as personi adekuat i cili do e fyente kombin ose Shqipërinë (kjo do ishte më shumë një metaforë, siç thuhet nga zemra e plasur, të njëjtën gjë, siç e ka bërë dikur At Gjergj Fishta, në kohën e tij).

Këto shembuj të lartëpërmendur tregojnë se gjuha po bëhet gjithnjë më e rëndësishme në shoqëri dhe sidomos për politikanët dhe politikën, për gazetarët, për opinionin publik dhe për të gjithë ata që shkruajnë qofshin edhe dy fjalë të vetme në rrejtet sociale. Prandaj është mëse e domosdoshme të pyesim, pse Republika e Kosovës nuk ka aprovuar asnjë nen të vetëm për të ndaluar shpifjen dhe fyerjen, i cili do ishte përfshirë në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Ky është edhe shkaku pse në opinion publik kosovar, në media sociale por edhe në ato klasike ka aq shume abuzime në këtë fushë. Milazim Krasniqi, professor në UP, thotë se këto dy nene u hoqën me presion dhe me protestat e gazetarëve.

Në  një situate më të mirë është Republika e Shqipërisë. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë e ka të inkorporuar nenin 119 dhe 120 në të cilin shpifja konsiderohet si vepër penale e cila drejtohet kundër moralit dhe dinjitetit të personave qoftë juridik apo natyror.

Neni 119 (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 32; ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 13) e definon qartë se “fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë”. Kjo vepër, “kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën (gjithashtu) kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.” Gjithashtu në nenin 119/b është kodifikuar “Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 13) (…) “që i bëhet një personi, për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, racës apo fesë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.”

Ndërsa Neni 120 (Ndryshuar paragrafin II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 33; ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 14) përcakton ndër tjerash se: “Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.”

Termi i “shpifjes”

Mënyra se si cilësohet termi i “shpifjes” (që në të vërtetë disa prej tyre janë vetëm mendime e në disa raste edhe konstatime), nuk specifikohet as në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dhe kjo përbën problem në vetvete dhe ky fenomen mund të përmblidhet fare mirë me disa shembuj që përmendëm më lartë. Me savijon po jap disa shpegime lidhur me mungesën e tyre.

“Fyerjet”, ose “shpifjet”, në të vertetë, nuk janë të gjitha fakte, sepse në mesin e tyre ka mendime dhe citate të huazuara, të folura e të përfolura ose shprehje popullore. “Fyerja” prek sferën private, përbën një shkelje të drejtës ndaj një pale të tretë dhe kjo mund të interpretohet si kufizimi i lirisë së tjetrit dhe kjo vlerësohet si dëmtim i cili e cenon palën tjetër në “nder e sedër” , mbështetur në të drejtën e jetës private dhe të drejta të tjera të garantuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Fyerja, qysh në kohët Antike, ka katandisur opinion publik, keq e më keq, duke e kthyerë ate në vend për shpekulime, hapësirë ku edhe sot, në kohët e ditëve tona, organizohen kampanja kundër insitucioneve ndërkombëtare dhe vendore, por edhe kundër kundërshtarëve politik, siç është rasti tani, me kërcënimet dhe fyerjet, nga këto manipulime nuk shpëton as audienca (publiku).Një numër fyerjesh të tilla janë drejtuar edhe ndaj personalitetit të Presidentit të tanishëm Hashim Thaçi, por edhe pararendësve të tij, si dhe ndaj ish-kryeministrave të deri tanishëm.

Edhe në traditën shqiptare shpifja, fyerjet, apo përhapja e thashethemeve ndalohen rreptësisht, sepse ato cenojnë rënd nderin, por edhe sigurinë dhe individit. Nëse dikush, thotë filozofi John Loke, i thyen ligjet fetare, ai mund ta ngushëllojë vetveten se ndoshta një ditë do t´ia fal (Zoti) mëkatin dhe, nëse dikush vepron kundër ligjeve të shtetit, kështu ai, shpreson se nuk do të zbulohet. Por, askush, sipas tij, nuk mund t´i ik ndëshkimit të opinionit publik, ambientit, bashkësisë së tij, pjesë e të cilës është ai, nëse i shkel parimet dhe normat e shoqërisë. Rëndësia dhe ndikimi i fjalës në opinion e bënë këtë fushë atarktive dhe ´mundësi´për të manovruar, qoftë edhe në këtë apekt negativ.

Fyerjet dhe kampanjat e qëllimshme denigruese

E vetmja mënyrë për tu mbrojtur kundër valës së këtyre fyerjeve, sipas kësaj logjike, del të jetë shteti, i cili duke miratur nenin  ose nenet përkatëse e detyron për rrespekt edhe individin dhe gjithë anëtarët e shoqërisë. Dhe, nëse qeveria, shteti, nuk e përfill këtë rregullë, apo nëse ajo ose ai, nuk ndërmerrë asgjë për të mbajtur nën kontroll rregullin, për ta kthyerë opinionin në dobinë e vet, që askush mos të fyejë, mos të kërcënojë dhe mos të rezikojë, jetën, lirinë e besimit dhe veprimit politik, por as sugurinë dhe jetën, imazhin e secilit në opinion publik, ajo qeveri ose ai shtet, dështon...!

Fyrjet dhe gjithë ato kampanja të cilat kanë përqëllim dëmtimin e imazhit të një individi, organizate ose institucioni, në opinion publik, inicohen nga individë, por edhe politikanët, të cilët mundohen t´i denigrojnë kundërshtarët e tyre politik. Strategjia që ndiqet në ketë mënyrë, nga krerët e këtyre propaganduesëve, shquhet me nostalgjinë për të zgjuar vëmendjen e publikut apo për të prodhuar ca imazhe të mira ose të keqija, varësisht se si i përdorin dhe kundër kujt i drejtojnë ato. Prodhimi i tyre bëhet mbrenda një lëvizjeje komplekse. Brenda kësaj skeme, ato lindin më tepër si reakcion i politikanëve, ose individëve kur atyre u mungojnë konceptet ose kur i marrin në spikamë kundërshtarët e tyre. Ata e bëjnë këtë propagandë, në këtë skemë të rividuar, ku zë vend ose prodhohet frika ose ndjellet urrjetje për një individë ose personalitet të caktuar. Gjithsesi shprehjet e tilla ngjallin frikën dhe kufizojnë lirinë e informimit, për çështjet delikate dhe, si të tilla, do të mund t’i interpretonim si vepra penale të ndëshkueshme me Kodin Penal, e njëjta vlenë edhe për publikun dhe individin, veç e veç.

Shpifjet, fyerjet në rrjetet sociale por edhe në media drejtohen shpesh, në mënyrë të përsëritur edhe ndaj shoqërisë në përgjithësi, por edhe ndaj bizneseve, simboleve shtetërore, ose ato kombëtare, në veçanti. Ato shpesh janë “akuza false dhe shpifëse”, janë deklarimet false kundër një pale të tretë, ose individi ose institucioni. Shpifja apo fyerja nuk ka qëllimin e informacionit, kritikës apo opinionit të shprehur, por synon një qëllim të keq, cenimin e nderit e personalitetit të caktuar, siç pam në rastet e lartëpërmendura. Në këtë rast janë përdorur fjalë ose shprehje të papërshtatshme, fyese ose shpifëse, përmes të cilave i shkakojnë një dëm jopasuror një personaliteti ose individi të caktuar.

Shembuj nga Gjermania

Kritika ose tallja me një personalitet është një formë e fyerjes. Me ketë rast po ju referohem disa shembujve nga Gjermania. Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder, sa ishte në këtë post u kritikuar dhe u përqesh nga mediet nacionale se kishte ngjyrosur flokët. z.Schröder paditi disa media dhe doli fitues. Vendimi i gjyqit ishte i prerë: flokët e kancelarit ishin çështje private e tij dhe nuk duhej t’iu interesonte opinionit publik. Një tjetër politikan shpotitet në media ose akuzohet pse ka pasur tri martesa, një tjetër ankohet pse media ka përshkruar në hollësi jetën e tij private në shtëpi etj. Një betejë të ngjashme e përjetoi edhe Franz Josef Strauss (ish-kancelari gjerman), i cili në kushte e rrethana tjera provoi se ishte me të vërtetë i cenuar “në nder dhe sedër” (kështu mendonte ai), ndërsa gazetarët mbrojtës të zanatit të tyre nuk u bënë fare merak pse e cilësuan Straussin si “një tip i dhunshëm prej demokrati”. Publicisti gjerman Herwalden i kaloi të gjitha limitet kur e quajti shkrimtarin dhe nobelistin gjerman Heinrich Böll (Boell) “Simpatizant i terrorizmit”, mendim të cilin gjykata (BverfG) e cilësoi cenim nderi dhe sjellje jonjerëzore ndaj veprës dhe personalitetit të shquar të Heinrich Böll-it. Një gazetar tjetër gjerman kritikoi ministren për Çështje Sociale duke e quajtur atë si udhëheqëse e sientologjisë “kriminele”. Vendimi gjyqësor ishte në anën e gazetarit. Ndërsa për Manfred Stolpe, një publicist tjetër shkruan edhe këtë; ”turpërohem për faktin se qeverisem nga një njeri që ka punuar një kohë të gjatë me ‘Stas’-in” (policia sekrete e DDR-it, Republikës Demokratike të Gjermanisë Lindore).

Përgjegjësia dhe reagimi i shtetit: Rekomandimi për fund

Ushtrimi i këtyre të drejtave (nënkupto të drejtën e shprehjes), përmban detyrime dhe përgjegjësi. Shteti nuk duhet të lejojë të rrezikohet shoqëria demokratike përmes këtyre shpifjeve dhe përhapjes së propagandës, pavarësisht nga vije. Shih për këtë, ai duhet të merrë masa të nevojshme për “sigurimin kombëtar”, “integritetin territorial” ose “sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit nga fyerjet, për mbrojtjen e dinjitetit, të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e informatave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. Përkëtë Kosova ka nevojë të ketë më shumë ekspertë të kësaj fushe, gazetarë të specializuar në fushën e drejtësisë ose juristë të specializuar në fushën e gazetarisë, të cilët do të merreshin me shkrimet e tyre, të cilët kanë cenuar nderin e personalitetin e kryeministrit në ardhje, ndaj të cilit janë bërë fyerjet, “trillimin e qëllimtë", të gjërave të paqena, për t’i përlyer atij emrin e mirë, për t’i ngarkuar një faj që nuk e ka bërë, ose për të njollosur diçka. Gjithashtu, në rastet e cituara, duhet dalluar fjalët apo kritikat e përdorura në drejtim të tyre, ato nuk kanë qenë mendime, e në disa raste edhe konstatime të rrejshme. Gjykata duhet përmes gjykimeve të saja, e cila ka detyrim moral dhe ligjor, t´i zgjidh përplasje e tilla në opinion. Në fakt gjykatat duhet gjithashtu të kenë kujdesë në termat, të mos i ngatërrojnë faktet (konstatimet) me mendimet, fyrjet dhe kërcënimet, si ato me mjete të dhunës, por edhe ato në forma verbale. Veçanërisht gjyqit i duhet të kërkojë qasje të tilla që të mund t´i dallojë këto ndryshime, sepse mosdallimi e bën çështjen edhe më të vështirë dhe krijon telashe më të mëdha në të ardhmen. Trajtimet e tilla duhet të jenë autokritike, ashtu si shumë gjyqe në Gjermani, e gjetiu, për të flakur tutje ambivalencat në përcaktimin e asaj se çka është fakt i vërtetë, e çka shpifje apo çka fakt i shtrembëruar, e çka mendim etj, duke u bazuar në përcaktime të sakta dhe të forta. Faktet janë dy llojesh; të vërteta dhe të pavërteta. Nëse nuk bazohen në fakte reale, ekzistuese quhen fakte të pavërteta, ndërsa faktet e vërteta mund të ilustrohen me shembuj. Në këtë rast kemi të bëjmë me fakte të shtrembëruara, pra fakte të pavërteta dhe shpërndarja e tyre është gjithmonë e dënueshme. Në dallim nga faktet, shpifjet janë (sipas Fjalorit të Gjuhes Shqipe) "më tepër Fjalë të rreme, trillime, gjëra të paqena që thuhen me qëllim për të përlyer nderin a emrin e mirë të dikujt, për t'i ngarkuar një faj që nuk e ka bërë, për të njollosur diçka ose për synime të tjera të pandershme". Shpifjet nuk kanë të përbashkët asgjë me të vërtetën. Në këto raste, shprehja e mendimit të lirë mbrohet edhe me kushtetutën e shtetit. Specifika e tij është se kundër mendimit të lirë nuk mund të mbrohesh, nëse nuk vjen në shprehje shpifja, cenimi i nderit apo konstatimi i pavërtetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat