Edhe një herë në udhëkryq të vendimeve - Bota Sot
Edhe një herë në udhëkryq të vendimeve

Opinione

Edhe një herë në udhëkryq të vendimeve

Nga: Remzi Salihu Më: 1 korrik 2020 Në ora: 09:20
Remzi Salihu

Pas anulimit të takimit në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor nga politikanët kosovarë, u hapën shumë çështje dhe dilema politike që duhet shqyrtuar seriozisht. Takimi ishte shumë vendimtar, ndoshta ky lloj përfaqësimi edhe përfundimtar do të mbetet. Ky skenar i rëndësishëm dhe i parealizuar erdhi në skenën politike si bombë e papritur në opinionin e gjerë. Erdhi se në momentin e fundit, dy ditë para nisjes së delegacionit kosovarë për Uashington, në krye me Presidenti, Hashim Thaçi, Gjykata Speciale ngriti aktpadinë për 100 krimet e bëra nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli me shokë, gjatë luftës së UÇK-së. Të gjitha mediet e jashtme dhe të vendit, e konfirmuan këtë lajm jo të mirë për Kosovën. Ky vendim për ne shqiptarët ishte i papritur dhe jo i pëlqyeshëm, por për faktorin përgjegjës që janë vëzhgues dhe vendimmarrës në procese, janë çështje strategjike me qëllime të caktuara politike. Takimi nuk u realizua në datën e paraparë. Tani a duhet apo nuk duhet të japin dorëheqje përfaqësuesit shqiptarë kjo është një çështje që duhet të vlerësohet me kujdesin më të madh. Disa nga opinionistët dhe analistët politik japin mendime të ndryshme pro dhe kundër dorëheqjes së kryetarit të shtetit Hashim Thaçi. Vendimi është shumë i komplikuar që kërkon përgjegjësi të madhe, sepse është në interes të vendit. Këtë gjendje politike të krijuar duhet ta kuptoj edhe vet presidenti, për të marrë vendimin adekuat të tij që të shkojë procesi dhe interesi i popullit përpara. Një vendim i këtillë i Gjykatës Speciale, a është kurth apo diçka tjetër, pasojat e qëllimit dhe poitikës së vendit do të shihen më vonë. Por në këto situata të rënda poltike, secili politikan duhet të ketë përgjegjësinë e tij, kur është në pyetje çështja e shtetit. Edhe kryeministri, Abdullah Hoti, që thoshte para opinionit të gjërë se ai do t’i udhëheq këto bisedime, në mënyrë eksplicite e anuloi shkuarjen e paraparë në Uashington. Kryeminstri i tanishëm i Kosovës kur i ka konfirmuar këto lajmërime, ndoshta në vete ka menduar se shkonë atje në Shtëpinë e Bardhë, si kallaballëk për ‘’Mevlud’’, me një nijet ‘’hallall’’, kryesisht për t’u bërë ‘’Amin’’ vendimeve dhe proceseve të parapërcaktuara.

Tani në opinionin tërësor shqiptar nuk duhet të ketë vend apo poligon për kënaqësi hakmarrëse, por duhet të dalin mendje të ndritura profesionistësh politik që ta kuvendojnë mirë këtë çështje që është në interes të përgjithshëm kombëtar. Nuk duhet të bëhemi të huaj dhe borxhlinj në brendinë tonë dhe të mos guxojmë ta themi të vërtetën që e dimë dhe që na rrethon, nëse ne si njerëz jemi qenie (apo pjesëtarë) të arsyeshme dhe prej të vërteti në këtë pjesë të botës. Secili prej nesh është i obliguar të investoj dhe t’i mbroj gjërat e vlefshme dhe të përgjithshme kombëtare që janë me perspektivë shoqërore e qytetare. Nuk është fare e hijshme për kohën që ekzistojmë të bëhemi oportunistë. Punët dhe detyrat tona nuk i kryejnë të tjerët. Do të lëvdohemi apo do të grindemi midis vetes, kjo është një punë tjetër e diverziteteve që kemi në qasjet tona të shumta. Në demokraci mendimi ndryshe do të ekzistoj përherë. Por edhe ideja dhe investimi më i mirë shoqëror duhet të pranohet nga të gjithë. Aq sa kemi investuar për çështje kombëtare aq edhe do ta kemi kapitalin dhe fitimin nëpër vite. Ne të gjithë bartim përgjegjësi për ekzistencën tonë. Për ngritjen dhe perspektivën e kombit nëpër rrjedhat e kohës. Dhe asnjë vendim nuk duhet të merret pa dëshirën dhe rruajtjen e interesit kombëtar të përgjithshëm. Shumë gjëra që ndodhin i kemi pranuar me vetëdije, disa të tjera na i kanë imponuar dhe i kemi pranuar si të tilla. Ne duhet të identifikohemi me mendimet tona të tanishme, të cilat mund të jenë formale apo bindëse kur ato vihen në shërbim pozitiv, posaçërisht në marrëdhënie me të tjerët.

Nëse këto dimensione të shfaqura interesi nuk i njohim në momentin e duhur, atëherë format e ndryshme të ndërtimit të demokracisë lëvizin dhe marrin kahje të dallueshme në interpretimin e së vërtetës ekzistuese. Çdo lëshim politik që bëjmë tani, më vonë pasojat tyre do të duken dhe do të marrin çmimin e tyre më të lartë. Intelektualët shqiptarë duhet të turpërohen për injorancën, heshtjen, dhe frikën tyre kundrejt ngjarjeve kyçe, sidomos për gjëra që ndodhin me interes kombëtar, apo për ngjarjet e vlefshme historike që lihen pa u vërejtur gjatë kohës së pranisë së tyre në jetë. Nuk është me rëndësi se çfarë orientimi kemi, majtas apo djathtas, por me rëndësi është se çfarë mendimesh e veprimesh japim, qoftë ato të duken të zgjuara apo të marra, për shoqërinë dhe qytetarin tonë. Shumica prej tyre mund të jenë të zhgënjyer nga rrjedhat e politikës së trasuar nëpër këto vite demokratike të tranzicionit të gjatë dhe të lodhshëm. Ndonjërit nga grupi intelektualëve të vlefshëm më lehtë u vijnë të heshtin apo luajnë rolin e oportunistit, se sa të bëjnë animin për ndonjë drejtim të nisur të partive apo të klasës politike në përgjithësi. Ndoshta ka edhe prej tyre që thotë në vete se si e keni nisur këto punë, ashtu edhe kryeni detyrat e juaja që u keni dalë zot. Por ka edhe prej atyre individëve që bëjnë argatin nëpër subjektet e ndryshme për ndonjë të mirë të leverdishme momentale të tyre, duke toleruar apo aprovuar gjëra që nuk duhet të jenë të tolerueshme. Gjendja është aty ku jemi dhe si jemi. Sa kemi investuar për kauzën kombëtare aq edhe do të kemi. Nuk mund të na vijë e gatshme asgjë e mirë. Për çdo gjë duhet punë dhe angazhim permanet për ta arritur një qëllim të dëshiruar. Secila kohë i shënon sukseset dhe mossukseset e një klase politike që vepron. Suksesi dhe të arriturat e politikanëve të përkushtuar dhe të drejtë, ndërtojnë jetëgjatësinë e tyre qeverisëse te popullata që i përzgjedh. Sa më të aftë të tregohen në punën e tyre dhe në realizimin e programeve të premtuara, aq më gjatë do të gjenden në skenën politike të pranishëm. Jetëgjatësia politike varet nga përkushtimi serioz dhe i gjërave të realizuara gjatë qeverisjes së tyre brenda një afati të caktuar të marrjes së pushtetit.

Tani, pak ditë para thirrjes së Gjykatës Speciale, të Presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, biznesmeni dhe ish ministri i jashtëm Bexhet Pacolli në mënyrë urgjente nëpër rrjetet sociale fton krerët politikes shqiptare për një takim mbarëshqiptarë. Kjo ftesë vjen në mënyrë shumë akute (shpejtë) pas dështimit të kërkesës së Albin Kurtit për një takim të këtillë gjithëkombëtarë gjatë qeverisjes së tij. Atëherë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke qenë nën ndikimin të keq nga suflerët apo këshilluesit e komprometuar, nuk e pranoi një takim të këtillë të përbashkët. Mos takimet e tilla ndërshtetërore flasin për anime apo mospëlqime idesh të panevojshme. Marrëdhëniet komunikuese të liderëve, njëri me tjetri, duhet të jenë të detyrueshme dhe të përhershme, edhe për kundër antipatisë e aversionit që mund të kenë midis tyre përfaqësuesit aktual. Deri sa janë në ato pozicione udhëheqëse duhet edhe të respektohen, shqyrtohen kërkesat e njërës palë apo tjetrës palë. Mos takim i liderëve nuk duhet të je disponim privat apo grupor, se me kë duan të takohen apo të mos takohen. Për çdo takim ka protokoll shtetëror që duhet respektuar deri sa je i kyçur nëpër ato organe udhëheqëse, shtetërore. Vendimet nuk mund të merren sipas disponimit personal. Nëse duam të jemi të lirë si qytetarë, atëherë nuk duhet të pranosh poste dhe obligime shoqërore ku je i detyruar të kesh përgjegjësi të rëndësishme shtetërore edhe për të tjerët. Po nuk i durove këto obligime, atëherë merri brushat dhe derdhe imagjinatën tënde të lirshme dhe të bojadisur kah të ta doje shpirti e vesi yt privat. Atëherë mund të ndjekish modën dhe trendet që ekzistojnë në botë, bile mund të vishesh edhe me tanga po të duash të dukesh atraktiv, por asnjërit nuk do t’ia vrasish syrin e mendjen me dukjen që jep për senzacionin personal në publik. Por si ministër apo kryeministër të defilosh apo shesish mend nëpër kuluare e takime të rëndësishme dhe para përfaqësuesve eminent botërorë, prej kah e kanë edhe burimin modat e ndryshme, nuk është e hijshme por as e tolerueshme si gjest i dukshëm dhe i angazhuar njerëzor.

Nuk kemi dëshirë, këtu, në këtë hororr jete të vrazhdë politike të bëjmë nebet për moralin e përgjithshëm shoqëror që mund të ketë gjithësecili në vete, me plot gabime të dukshme dhe të mundshme, si njerëz të mistershëm që jemi, po siç na shkojnë punët në avansimin e kulturës dhe standardit të arritur deri më tani, gjithandej pamjeve tona mjerane e skandaloze, jemi të detyruar ta ndalim ritualin e mburjes së përhershme, që mund të na vij me sedativ patriotik të përshtatshëm dhe adekuat, sepse gjërat e errëta dhe situatën shoqërore dhe kombëtare e kemi të tmerrshme dhe pa koment. Popullatën e  ke derdh nëpër fqinjë dhe nëpër botë për kërkimin e bukës, kurse kendej imazhit tonë “moderm”, të rrejshëm, dalim realisht dhe virtualisht, si përfaqësues të krekosur dhe ekskluziv për të treguar të ardhmen tonë të hidhur.    

Tani kur klasës politike në Kosovë i ka ardhur koha që ta bëj venë e vet strategjike, kërkon çerdhen e ndihmës së lidershipit gjithëshqiptarë për t’i koordinuar qëndrimet e tyre në Uashington. Shqiptarëve gjërat me peshë dhe vendimtare u vijnë përherë në një kohë e afati të ngushtuar, gjegjësisht në ora pesë në dymbëdhjetë.  Si duket kjo ide e Pacollit, shikuar nga aspekti strategjik global, është e nevojshme, por shumë e vonuar. Është e vonuar sepse duke u marrë vesh faktori shqiptar për gjëra minimale dhe të panevojshme të interesit personal, pala tjetër që duhet të marrë pjesë në këtë takim, në Shtëpinë e Bardhë, shumë më herët i ka përgatitur qëllimet dhe pazaret e veta Gjeostrategjike. Të kërkosh sot një unitet politik në momentin kur ka kundërthënie të mëdha politikanësh të pa përgjegjshëm, një takim i tillë, është rëndë të realizohet dhe do të jetë i papërgatitur mirë. Të ftosh në tryezë politikanë që e kanë sherrin më të madh se dijen, iniciativa dhe ndërlidhja e bisedimeve të tyre bëhet shumë e papërshtatshme. Serbët e votuan më 21 qershor Vuçiqin mbi 63%, krejt kjo lojë politike te ata, është përgatitur që më parë, bile ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, në mënyrë të ngutshme, shkoi atje te subjektet shqiptare dhe intervenoi të dalin në zgjedhje të bashkuar për deputet të ardhshëm në Parlamentin e  Serbisë, kurse ne këndej jemi të aftësuar si ta rrëzojmë njërën apo tjetrën qeveri se nuk na koordinohen apo përputhen siç duam qëllimet dhe avancimet personale. Qytetarët shqiptarë për t’i bërë ballë politikës aktuale serbe duhet t’i lënë ndasitë dhe të përqendrohen se cilës parti apo koalicion duhet t’ia japin votën. Sepse tani ndonjëra prej partive shqiptare në Kosovë duhet të fitoj mbi 64%, që t’i bëjë ballë politikës dhe strategjisë serbe. Nëse bëhen të gjithë bashkë suksesi do të jetë i patjetërsueshëm

Populli shqiptar për momentin gjendet në një udhëkryq të vështirë të situatës politike dhe e ka shumë të rëndë gjetjen e shtegut adekuat të tij. Themi kështu, sepse tërë loja politike që është zhvilluar gjatë këtyre viteve të ikura, është bërë e pa sistemuar vetëm e vetëm për të përfituar disa individë të grupeve, partive apo edhe klaneve të caktuara të interesit. Çështjes kombëtare i kanë prirë politikanë dhe individë që janë të skaduar për frymën e sotme të politikës globale. Të tillët tani janë shumë të papërshtatshëm në diskutimet e ardhshme, shqiptaro-serbe, sepse kanë qenë individë të papërgatitur mirë dhe me njohje të një anglishte të cunguar dhe tallëse për të tjerët, me ata që shkojnë vetëm formalisht për çështjet kyçe të kombit, do të ishte takim shumë i gabuar. Të tilla takime kemi parë edhe në të kaluarën, por të pasuksesshëm kanë qenë në arritjen e qëllimeve të dëshiruara. Këto nuk janë takime për të kërkuar punë nëpër “baushtella”, por janë takime sublime me interes të madh kombëtar e shtetëror, që kërkon ekip profesionistësh të harmonizuar e të akorduar mirë, që do t’i dalin ballë bisedave dhe vendimeve të rëndësishme. Ata e ato pjesëmarrës/e duhet të jenë shembull bindës për faktorin kombëtar dhe ndërkombëtar në Shtëpinë e Bardhë dhe gjetiu. Vetëm në këtë formë të përgatitjes profesionale mund të arrihen suksese, kryesisht duke pasur në vetëdije qëllime e vendime të caktuara dhe të sinqerta kombëtare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat