E vërteta për 'UÇK' e LPK - Bota Sot
E vërteta për 'UÇK' e LPK

Opinione

E vërteta për 'UÇK' e LPK

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 3 korrik 2020 Në ora: 10:01
Ilustrim

Shkrimtari, publicisti, botuesi, politikani Veton Surroi mendon dhe ngulmon se "UÇK nuk ishte as Ushtri, as Çlirimtare, as e Kosovës. Ishte vetëm një grup i armatosur". Dhe, luftën e fundit në Kosovë, e ka trajtuar në publicistikën e tij politike dhe letrare, me libër.

Ndërsa analisti Shkodran Ramadani mendon dhe i kundërpërgjigjet studjuesit Surroi, se "UÇK-ja është Organizatë Politiko-Ushtarake më e suksesshme në shekullin XX"!

Krerët e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), themelimin e UÇK-së e shrtijnë në kohë, që nga viti 1981 e deri në vitin 1998! Dhe, janë aq shumë pretendentë, të hershëm dhe të vonshëm, sa lind dyshimi për shumësinë e UÇK-ve "ekzistente"!

Megjithatë, ta zëmë, u krijua një UÇK-e. Por, shtrohet pyetja: Cilat janë betejat, luftërat e kësaj Ushtrie?! Sepse betejat duhet të kenë emërtesa vendësh dha datash se ku dhe kur janë bërë. Madje, numri ushtarëve pjesëmarrës, hierarkia drejtuese, betejat e fituara?! 

Ndërkohë, Kosova numëron 400 masakra dhe secilën syrësh e festojmë si fitore të UÇK-së!? Këtë metodë festimi, sikur e kemi kopjuar nga serbët!

Disa nga kuadrot e lartë të LPK-së, përfshi këtu edhe Ibrahim Kelmendin, Prof. Muhamet Kelmendin, Dr. Jakup Krasniqin, Bislim Zogaj, thonë se UÇK (e LPK-së), nuk arriti të hyjë në luftë, si formacion i organizuar ushtarak. Dhe, dy Kelmendët akuzojnë krerët puçistë të LPK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Azem Sylën, Xhavit Halitin, të cilët, gjithhnjë sipas tyre, sabotuan luftën, përçanë popullin, penguan unifikimin e  faktorit ushtarak, flirtuan me pushtuesin, tradhtuan dhe dështuan luftën. Hijen e dyshimit e shtrijnë edhe tek krerët social-komunistë të Tiranës zyrtare, sepse ata ishin pajtuar që "kryeqyteti i Kosovës, të jetë Beogradi!". Akuzën e tyre e thellojnë edhe me grabitjen e fondeve, milionat e parave të vjedhura, të dhëna për luftën, nga mërgimtarët  shqiptarë, të kudondodhur në botë.

Rrjedhimisht, UÇK-ja e LPK-së mbeti emërtesë në letër, inekzistente në përballjen ushtarake për Çlirimin e vendit dhe nuk ishte as ushtri e Kosovës, sepse nuk hyri asnjëherë në Kosovë, për t`u përballë me policinë dhe ushtrinë pushtuese serbo-sllave.

Zëdhënësi i "UÇK-së", Jakup Krasniqi, në dëshminë e dhënë në Hagë, në rastin Limaj (Fatmirit), ka deklaruar se në Kosovë kishte vetëm grupe luftëtarësh, pa komandë e hierarki ushtrarake. Bilëz, veçsa nuk thoshte se ishin grupe anakiste e bashibuzuke!

Prandaj, Veton Surroi e përcakton drejt "UÇK-në", kur thotë se "ishte vetëm një grup i armatosur". Por, këtë mund ta thoshte në shumës. 

Reduktimi nga UÇK-e, në grupe të armatosura, korrigjon një falsifikim të qëllimshëm të SHTAB-istëve, të cilët, realisht, i bishtnuan luftës, nuk u bënë kurrë pjesë e saj. Përkundrazi e sabotuan atë. Ndërsa, për luftëtarët e grupeve të armatosura, qofshin ata dëshmorë apo të mbijetuar të luftës, respekt dhe nderim të përjetshëm, për veprën e tyre madhore, në shërbim të Atdheut. Tashmë, janë bërë të njohura edhe rastet e dekonspirimit dhe të pritave vdektare, pikërisht, nga mospajtimet, thyerjet, mosdëgjueshmëria ndaj shefave, me dyshimin e bazuar për mungesë sinqeriteti dhe besnikërie.

Mospajtimet, deri në kacafytje fizike, brenda mbledhjes të kuadrit "të luftës", në Gjermani, me ç`rast ka ndërhyrë edhe policia gjermane, të nesërmen e vrasjes të shefit të Emergjencës të UÇK-së, Ilir Konushevcit, rrjedhja e konspiracionit të ekzekutimit të tij, pas 22 vitësh, e përcolli në varr njërin nga dëshmitarët e Gjykatës Speciale. Prishja e pazareve të SHTAB-istëve në Zvicër, zbuloi, deri në detaje, atentatin e mbetur në tentativë, kundër Ministrit të Informacionit të Republikës të Kosovës, Xhafer Shatri, me seli në Gjenevë.

Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), të organizuara në Betejën fitimtare  të Loxhës, me komandant Kolonel Tahir Zemaj dhe në luftën e Kosharës, me komandant Rrustem Berisha, edhe pse me organizim herarkie dhe rregulla të mirëfillta ushtarake, megjithatë, Ministri i Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi, hezitonte ta quante UÇK-e. Ai deklaronte se "do t`i bashkojmë edhe grupet e LPK-së dhe ta bëjmë UÇK-në e vërtetë".

Ishte kënaqësi të bashkëpunoje me Kolonel Krasniqin. Ai bëri shumë për unifikimin e faktorit ushtarak. "Jam gadi të jam ushtar i thjeshtë, vetëm të bashkohemi". Koloneli ishte atdhetar, parimor dhe trim i paepur. Vetëm vdekja mund ta ndalonte për idealin i lirisë. Por, kundër këtij bashkimi, kundër lirisë, ishte Serbia, kryezyrtarët social-komunistë të Tiranës dhe disa nga SHTAB-istët e LPK-së, të cilët kishin marrë detyrime nga shërbime të huaja, për sabotimin e luftës dhe dështimi ishte i parathënë, i pritshëm.

Komandantët dhe ushtarët, nuk përballuan sulmin "Patkoj" të forcave serbe dhe u larguan para popullit. Ekzodi i popullatës shqiptare, ishte masiv. Soldateska serbo-sllave, edhe përgjatë ekzodit, bëri ekzekutime, kryesisht, meshkuj. "Nuk arritët të na mbroni gjatë luftës. Na latë në mëshirën e policisë dhe të ushtrisë pushtuese. Të paktën, na kuptoni tani, pas 20 vjetësh të abuzimit suksual, sepse ishte i dhunshëm", - akuzoi nga salla e Kuvendit, me kurajo qytetare të veçantë, heroina e denoncimit publik të krimit, motra jonë, Vasfije Krasniqi.

Prandaj, bazuar në fakte, mendimi i analistit Shkodran Ramadanit, se "UÇK-ja është Organizatë Politiko-Ushtarake më e suksesshme në shekullin xx", relativizohet mjaftueshëm. 

 

Vetëm kontigjenti ushtarak i Kosharës rezistonte, ngaqë ishin dy faktorë relevantë të kësaj qëndrese: 

1)  Drejtuesit profesional ushtarak të betejave, taktika dhe strategjia luftarake dhe 

2)  Njohja e terrenit, ku zhvilloheshin betejat ballore.

     Lufta e Kosharës legjitimoi edhe luftën çlirimtare të Kosovës. 

Çlirimin faktik të Kosovës e realizoi bota demokratike, me aleancën e saj ushtarake NATO, më 12 qërshor 1999. Dhe, kjo është e vetmja datë çlirimi për tërë Kosovën.

Për hir të së vertetës, duhet thënë se pjesë e bllokut përçarës dhe armiqësor kundër LDK-së e Presidentit legjitim, Ibrahim Rugova, ishte edhe Veton Surroi. Me të gjithë arsenalin e tij propagandistik, ishte vënë në shërbim të SHTAB-istëve, shumë syrësh ishin larg frontit të luftës. Madje, gjeneral Sylejman Selimi, ka deklaruar publikisht, se edhe pse isha shef i SHP të UÇK-së, vetëm pas luftës mësova se edhe ata ishin anëtarë të këtij SHTAB-i!! Vetoni provoi me "Ujdinë", "Parlamentarën", më vonë partizën "Ora", por as shejë nuk i bëri LDK-së të Rugovës. Vetëm prishja e pazareve me "komandantët", e këndelli Veton Surroin dhe sheshoi të vërtetën për të "bëmat" e tyre, më bindshëm se askush tjetër, meqë i njohu nga afër.

Veton Surroi është intelektual i kompletuar. Andaj edhe dijti ta bëjë tërheqjen e mençur, qoftë edhe të përkohshme, nga politika, por edhe zgjedhjen e duhur për anëtarët e partizës së tij "ORA". Ndonëse skena politike ishte e kontaminuar, e helmuar nga krimi i organizuar, korrupsioni, hajnia zyrtare, haraçi, nepotizmi dhe i gjithë katalogu i poshtërsive, zgjodhi LDK-në e pastër, të cilën e kishte anatemuar më se shumti, duke ia dorëzuar, në besë, krijesën e tij "ORA". Dhe, vërtet, LDK-ja i priti me zemërgjërësi e dinjitetshëm, duke u dhënë disa kuadrove të saj hapësirë zgjedhore dhe drejtuese. Ata u angazhuan me përkushtim, fisnikërisht e sinqerisht dhe kënaqësia ishte dhe vazhdon të mbetet reciproke.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat