A ka qenë UÇK-ja “Lëvizje vullnetare dhe pjesë e rezistencës civile..”, apo ushtri çlirimtare kundër pushtuesit gjakatar serb në Kosovë...!?

Opinione

A ka qenë UÇK-ja “Lëvizje vullnetare dhe pjesë e rezistencës civile..”, apo ushtri çlirimtare kundër pushtuesit gjakatar serb në Kosovë...!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 12 tetor 2020 Në ora: 16:52
Rexhep Elezaj

Ecë e kuptoje tash se çfarë zori e ka detyruar Hashim Thaçin, ende president i Kosovës, që pas 21 viteve ta thotë nga Amerika, po citoj; “Siç tregon historia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri e pavarësi në Kosovë dhe si e tillë është njohur nga bashkësia ndërkombëtare..”(!?), që, nëse ky konstatim i tij është i sakët, atëherë pa dyshim, se rolin, përbërjen, luftën e saj, sistemin organizativ, vijën komanduese dhe karakterin ushtarak të saj e përmbys të tërin me kokë poshtë, duke ia zhbërë emrin e saj historik, si Ushtri Çlirimtare dhe përpjekjet e saj për liri..!?

Sepse, një ushtri çlirimtare nuk mund të ketë cilësi organizative “vullnetare” dhe as të jetë forcë ushtarake e cila është pjesë e rezistencës civile të një populli, meqë ushtritë kudo në botë nuk formohen mbi baza vullnetare dhe as që  janë pjesë “ushtarake” e një rezistence civile, por një formacione të një rezistence të armatosur popullore, e cila si qëllim ka luftën për ta çliruar një popull nga një robëri, një diktaturë ose nga një pushtim i huaj..!?

Dhe, pa dyshim, se argumenti kryesor që e demanton qartë vlerësimin e Hashim Thaçit, është vetë emri historik i UÇK-së, pra, ajo është quajtur “Ushtri Çlirimtare” e jo “Lëvizje vullnetare”, por edhe akuza e “njohur” ndaj LDK-së dhe presidentit Ibrahim Rugova e ardhur pikërisht nga krahu i luftës dhe vetë Hashimi demanton atë prerazi, se “me dështimin e politikës dhe rezistencës paqësore (lexo: civile) të LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, popull e formoi ushtrinë çlirimtare të Kosovës”, pra ishte ushtri e jo Lëvizje vullnetare, siç thotë H. Thaçi sot...!?

Mendoj se ky konstatim i H. Thaçit si dhe krejt përmbajtja e deklaratës së tij të sotme e dhënë për media nga SHBA-të (Bota Sot; 12 tetor 2020), përveç se është shtrembërim i rënd i historisë së luftës sonë çlirimtare dhe UÇK-së, për të cilën deklaratë duhet të jep përgjegjësi morale, politike dhe kombëtare, pra për cenim dhe shtrembërim të rënd të rolit dhe karakterit çlirimtar-historik të UÇK-së, flet qartë për sikletin e tij të rënd psikik dhe shpirtëror, derisa për qëllime të tij personale, ndoshta për të shpëtuar sa më lehtë nga gjykimi i Dhomave speciale, ky, rolin e UÇK-së tenton ta shndërrojë në rezistencë civile për të hequr nga vetja përgjegjësinë e komisarit politik që kishte brenda UÇK-së.

Kjo është puro tradhti kombëtare, sepse është dashur para se ta merrte atë detyrë të mendohej mirë se çfarë po merrte mbi supet e tij kur kishte pranuar atë pozitë kyçe në UÇK, e jo sot 21 vite më pas ta mohon kaq brutalisht vetveten dhe UÇK-në në emër të cilës ka bërë karrierë politike deri në postin e presidentit të Kosovës.

Ose duhet të jesh burrë me dhjetë okë në raste të tilla, që iu qëndron fjalëve dhe veprimeve tua, ose nuk ke kurriz burri dhe as un personal, e që duket se Hashimi këto dy vlera nuk i paskësh pasur kurrë, derisa ka kaq shumë frikë nga Gjykata speciale..!?

Po ashtu, mendoj se shkuarja e tij privatisht në SHBA, pak ditë para se t’i konfirmohet ose hudhet poshtë (24 tetor) aktakuza nga Gjykata speciale, ka pasur dy qëllime kryesore;

E para; të kërkojë ndihmë dhe shpëtim nga “miqtë” e tij në Amerikë që të lirohet nga aktakuza në fjalë, si “njeriu që iu ka shërbyer me përkushtim interesave amerikane në Kosovë..”, dhe:

E dyta; të kërkojë nga miku i tij R. Grenell, që emrin e znj. Vlora Çitaku t’ua sjellë në zarfe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që pa asnjë kundërshtim ta zgjedhin për presidente të Kosovës, siç ka ndodhur me znj. Atifete Jahjaga para disa viteve, për shkakun e vetëm, sepse H. Thaçi, edhe duke u larguar nga politika dëshiron që me çdo kusht ta le njeriu e vetë në krye të shtetit të Kosovës, për të dëshmuar se ideologjia dhe koncepti i tij enverist-monist-diktatorial me të cilin e sundoi deri tash Kosovën do të vazhdojë edhe për shumë vite sipas asaj aksiomës komuniste; “Edhe pas diktatorit Hashim Thaçi...do ketë Hashim...” !?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat