Letër për Lumir Abdixhikun. Si një “këshillë” për ndryshimin që duhet bërë

Opinione

Letër për Lumir Abdixhikun. Si një “këshillë” për ndryshimin që duhet bërë

Skënder Sadri Kapiti   Nga Skënder Sadri Kapiti   Më 20 mars 2021 Në ora: 09:10
Lumir Abdixhiku

Lumir e gëzofsh detyrën e kryetarit të LDK-së dhe të uroj suksese në punën e detyrën tuaj për ndryshimin dhe vënien në funksionim të LDK-së si një alternativë pse jo edhe e re, duke ruajtur vlerat dhe trashëgiminë e vyer të Rugovës si dhe në evoluimin demokratik e politik të saj në kushtet e reja në të cilat përballet sot Kosova.

Suksese LDK-së që pritet të rinovohet e të drejtohet tashmë nga Ju në drejtim të forcimit e konsolidimit të shtetit ligjor dhe të sistemit demokratik, aktualisht si një opozitë politike (pas Mustafa) konstruktive që do të kontribuojë për funksionimin e drejtësisë dhe të shtetit ligjor; për çmontimin e krimit e korrupsionit nga sistemi dhe për plotësimin e standardeve demokratike, për integrimin dhe anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në strukturat e organizmat ndërkombëtare, pasi opozita ashtu si pozita janë komponentë njësoj të rëndësishëm për sistemin demokratik.

Z. Abdixhiku po të drejtohem për kujtesë që të bësh e të veprosh ndryshe pasi duhet të bëhet ndryshim dhe kthesë.

Këtë po ta them me këtë shkrim, por këtë ta thanë dhe ta kërkon edhe verdikti dhe legjitimiteti popullor i zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021, referendum i cili ndëshkoi me meritë politikën e vjetër dështake, antipublike e antikombëtare të koalicionit të së keqes ku pjesë e saj ishte edhe vetë LDK-ja e drejtuar nga Isa Mustafa.

Nëse populli e ndëshkoi me votë politikën e vjetër LDK, PDK e AAK, tashmë anëtarësia e LDK-së pret prej teje ndëshkimin, VETING-un dhe çlirimin e LDK-së prej uzurpatorëve të saj, se nuk mjafton vetëm largimi formal i Isa Mustafës por duhet të largohet e tërë struktura subjektiviste e personalizuar, emëruar dhe privatizuar tij e cila i ka rrënjët akoma të fuqishme në LDK.

Lumir, duhet bërë ndryshim dhe kthesë që të ngjallet shpresë te ata që akoma votojnë e besojnë te LDK-ja dhe te ata të tjerët që janë larguar prej saj se: nëse LDK-ja ndryshon e bën kthesë ata do të ktheheshin përsëri në LDK.

Lumir, duhet të ndahesh nga e kaluara; duhet të dalësh e t’i kërkosh falje anëtarësisë dhe publikut për ortakërinë e LDK-së në krim, hajni, korrupsion e tradhti në aleancë me PDK e AAK e të tjerë pasi kundrejt tyre LDK ka edhe një fizionomi tjetër politike; duhet t’u kërkosh e të bësh kritikë për pa sinqeritetin dhe mashtrimin që i është bërë elektoratit të djathtë, për matrapazllëqet me politikën tjetër të pushtetit që e sunduan dhe e keqqeverisën Kosovën në këto 20 vite; duhet kërkuar “falje” duke ndryshuar e premtuar ndryshimin real para elektoratit të djathtë; duhet kërkuar falje për manipulimin ,mashtrimin dhe për spekulimin me rugovizmin dhe shfrytëzimin e tij për interesa të ngushta personale që ka bërë elita e vjetër e LDK-së prej së cilës edhe u ndëshkua ashpër LDK-ja me 14 Shkurt 2021; duhet kritikë e besueshme dhe kërkim falje publike në emër të LDK-së për Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave serbe, për Demarkacionin me Maqedoninë e Malin e Zi dhe për fantazmën e idesë antishqiptare të copëtimit të Kosovës.

Pra z. Abdixhiku, të ka ra hisja që t’i ndërmarrësh këto veprime në emër të LDK-së tani, dhe madje edhe i duhet kërkuar edhe Znj. Osmani dhe Znj. Gërvalla falje pasi ato kanë qenë opozitaret dhe kundërshtaret e fuqishme kundër këtyre veprimeve të LDK-së të cilat i citova më lart dhe që për të cilat strukturat e larta të LDK-së i shkarkuan ato nga postet e larta partiake e që ia imponuan atyre largimin nga LDK-ja.

Është koha që karshi Vjosës të kërkohet “pendesë” për atë se çfarë pandershmërisht dhe heretikisht LDK-ja e Isa Mustafës vepruan kundër saj.

Vjosa nuk është larguar nga LDK-ja me dëshirë, ajo as nuk ka devijuar nga filozofia rugoviane e LDK-së, dhe ajo as kurrë nuk e ka tradhtuar elektoratin dhe e as premtimet e saj për luftë për ta çrrënjosur padrejtësinë, korrupsionin, krimin, hajninë dhe tradhtinë nga sistemi.

Dhe prandaj z. Abdixhiku dhe ju deputetët e LDK-së duhet ta votoni Vjosën për Presidente sepse tashmë ajo është personi më i votuar në Kosovë jo vetëm nga anëtarësia e LDK-së por edhe nga votuesit kosovarë pa marrë parasysh se ku aderojnë dhe kë parti politike simpatizojnë ata.

Anëtarësia e LDK-së nuk pret prej jush vetëm ndërrimin apo zëvendësimin e Isa Mustafës, por pret reformimin e LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat