Militantët e paaftë që shtorcëzohen para eprorëve tulakë

Opinione

Militantët e paaftë që shtorcëzohen para eprorëve tulakë

Nga: Gjon Marku Më: 24 prill 2021 Në ora: 23:58
Gjon Marku

Po ta shohim hollë-hollë është fatëkeqësi e madhe që shpesh si vend dhe si komb jemi gjendur nën drejtimin e të ligut. E kjo fatëkeqësi e sakjshme e bën cilindo që ka dy pare mend të shtrojë pyetjen qysh është e mundur që kaq shumë burra e gra pa mend, të magjepsur e të joshur prej vesesh, qehallarë të lakmive të përçudnuar në karkater e të zhveshur nga natyrshmëria në mënyrë kaq të zakonshme mbërrinë deri në institucionin më të larta ligjëvënës pra në Kuvendin e Shqipërisë apo në institucionet më të larta të shtetit.

Ç’është ky ves i prapë e kjo namë e gjamë?

Leshkot dhe servilët, burracakët dhe frikacakët që aq shumë lakmojnë karrjerën e pamerituar e që jo vetëm e durojnë të keqen por që janë të zhveshur prej virtytit lidhen zinxhir në vargun që sjell gjithë të zezat e ndërsa shtrocëzohen para eprorëve, në anën tjetër ndërsehen në hakmarrjen e kobshme ndaj të diturve dhe të drejtëve. Kështu duhet besuar se prej majës së piramidës fillon ndarja e hises disave më të madhe e disave të tjerë më të vogël, ku ata pra ministra e drejtorë apo zyrtarë të lartë jepen pas kënaqies së epshit duke harruar se qytetarët e këtij vendi më shumë se kurr kanë nevojë për të marrë ndihmën e tyre.

Është e pabesueshme se sa papritmas, menjëherë sapo dalin në podiumet e kuvendit apo diku gjetkë, ku s’dinë as të lexojnë ato që dikush me dy pare mend ua ka shkruajtur, populli e humbet krejtësisht besimin dhe sigurinë në fuqinë e shtetit e të shtetarit për të dhënë ndihmë. Kështu të budallallepsur në këtë farë feje ligjëvënës e zyrtarë që shumë shpejt mësohen të nënështrohen, e shtrocëzohen me dashje me po aq mendjelehtësi sa kanë ngjitur shkallët e karrierës së pamerituar ngërthyer prej vetëkënaqësisë ndaj vetres.

Nuk mund të flitet për moral dhe respektim të etikës kur kemi shmangie nga kodet e etikës. Zyrtarë të paaftë që si vemje kanë ngjitur shkallët e karrjerës gjithnjë karakterizohen nga një sjellje pak a shumë përulje e shfaqin gjithënjë e gjithëherë një temperament të nënështruari ndaj eprorëve hajdut, apo mështrues duke u bërë oborrtarë apo vasalë të tij, shërbyes të tij që të mund të fitojnë mbrojtjen prej tyre. Instikti shndërrohet në faktor dominues ani se shfaqet fenomeni i karakterit të munguar e zë vend kultura grabitqare.

Sidoqoftë shumë syresh shfaqin sjellje arrogante kundrejt të barabartëve apo vërtësve pavarësisht inferioritetit kulturor e profesional. Sidoqoftë mirësjellja është e dobishme në vetvete, si në opinionin e atij që e zbaton dhe të atij që e vëzhgon këtë element. A nuk kemi parë deputetë në parlamentin tonë të turren drejt podiumit të drejtueses së parlamentit duke shkatërruar e thyer vazo apo duke sharë me një zhargon fjalësh nga më të padenjat prej të ashtuquajturve deputet që shfaqin shenja nga më tipiket të mungesës së etikës, të mirësjelljes apo të edukatës e këta janë ata që kanë votuar ligjin e etikës, për kë? A nuk kemi dëgjuar në foltoren e parlamentit të ashtuquajtur “burra shteti” të përdorin fjalorin më bastard e të merren me moralin e grave, apo zonjave në atë vend ku shumë veprime janë tashmë të qënësishme e të urryera nga të gjithë njerëzit që kanë parë e dëgjuar gjëra që na revoltojnë instiktivisht aq sa thyerja e etikës e kodet e respektimit të etikës e në veçanti shkeljet e etikës shkojnë shumë më tej drejt arrogancës primitive ku presidenti shtyhet e tërhiqet deri me policin gjë që nuk ndodh kurrë në një vend të emancipuar e demokratik. “Trimëria” e “burrëria” është kryesisht trimëri e grupit ani për nivelin e ulët të shkallës së kulturës. Sjelljet e tyre nuk e shmangin padenjshmërinë dhe mospërputhjen morale me punën që i kanë dalë për zot padrejtësisht qoftë deputetët apo drejtues të tjerë të lartë të shtetit.

Nënshtrimi është qartësisht i dukshëm duke i kthyer zakonisht në skllevër paqësor vartësit e paditur, e kjo është e pranishme në mënyrën e qëndrimit dhe të jetës së shërbëtorit ndaj këtyre “burrave të shtetit” që duhet të ishin të parët dhe për nga domosdoshmeria e përzgjedhjes por që në fakt janë vënë në krye të niveleve të ulta të personalitetit e dinjitetit të munguar, ku kemi shfaqjen e kulturës tipike barbare apo drejt fazës më të ulët të barbarizmit primitiv. Nuk mund të bëhet fjalë kurrësesi për ngopje të dëshirës mesatare apo të përgjithshme pasi fillon të dominojë parimi i dukjes e nis faza grabitqare, kur egoizmi në kuptimin më të ngushtë të fjalës bëhet karakteristik kryesore. Kjo klasë barinjsh e lopçarësh apo në këtë stad kulturore ku mbizotëron parimi i mjaftueshmërisë e militantizmit qëllimin numër një kanë karrierën.

Me një ndjenjë mbizotëruese e mungesës së dinjitetit të punës, kodet e respektueshmërisë së punës injorohen e përfitimi kthehet në qëllimin kryesor. Prirja njerëzore për të rënë në sy, e përcaktuar nga ndjenjat dhe dëshirat ekskluzivisht shpërdoruese, është qartësisht e lidhur me motivin për të shpenzuar përtej asaj që është e nevojshme e përtej asaj që mund të fitohet në mënyrë të ndershme.  Ngërthyer prej dëshirës për të kënaqur standartet ekstreme zotëruar prej ndjenjave të turpit nga puna e krahut në udhëkryqe jete mund të triumfojë edhe mbi instiktin e vetëruajtjes duke shkelur ligjet e shtetit e ato morale e për këtë është e domosdoshme mbrojtja e eprorëve

 Të ndërshmive e të diturve sado t’iu shkëlqejë virtyti e ndershmëria, që e parë nga afër ju ngjall një farë nderimi kur është fjalë për të bërë ndonjë punë të mbarë, nuk i bëjnë dot ballë për shumë kohë mizorisë së atyre që kanë fare afër, që kanë zënë postin e drejtorit a shefit e më ato pak tru që kanë drejtuesit e tyre tregohen të ligj para shoqërisë, për shkak të paudhësive të atyre, apo të tyre që kanë mbjellë rrënjët e kësaj sëmundje të përgjithshme që mbërthen si falanga në shtetin e korruptuar ku pikërisht hajdutëve, të korruptuarve e injorantëve shefa a drejtorë nuk mund t’u prekte askush, askujt as fija e flokut. E kur i ndershmi sheh se në pokurori a gjykatë ku dhe janë vendet më të korruptuar e strehë e më të padrjetëve apo drejtorin dhe shefin e korruptuar dhe të dhënë pas veseve dhe epshit, dobësia njerëzore si pija e alkoolit apo narkotikëve bëhet i tillë sa shpesh duhet t’i bindet forcës duke iu lëshuar udhë të paudhëve e të bëjë durim për fatin e zi e ta ruaj veten për një të ardhme më të mbarë edhe pse guximtari nuk trembet aspak prej rrezikut e të mençurit nuk i bëjnë bisht mundimit por kur e humbasin krejtësisht shijen e lezetit e vënë re se janë aq të zvetënuar, të skllavëruar, u drejtohen rrugëve të mërgimit e kjo ka ndodhur në vendin tonë në këtë periudhë tranzicioni.

Grupet karakteristike paqësore gjithmonë e gjithkund për shkak të nevojës dhe përcaktimit kulturor por dhe të aristokracisë së tyre të vënë nënë drejtimin e njerëzve me një nivel më poshtë në shkallën e kulturës dhe dijes, bëjnë një hap që është në përputhje me kulturën tipke të tyre me qëllim të shmangin shenjat regresive e të mos bien nga përparimi kulturor.  Ngjashmërisht, qëndrimi kundrejt eprorëve, në masë të madhe dhe kundrejt të barabartësh është shprehje e një sjellje pak a shumë konvencionale të përuljes së papërshtatshme moralisht, pavarësisht inferioritetit shëndërrohet në raskapitje e në të shumtën e rasteve intelektualë e njerëz me kapacitete të larta kanë lënë vendin e janë larguar pikërisht të vënë përballë kësaj gjendje.

Njerëzit që ushtrojnë veprimtari në fushën e dijes bien pashmangshmërisht në kontakt me klasat që nga ana monetare janë më lart e ku shpenzimet për t’u dukur nuk kanë aspak lidhje me shijet estetike. Motive për të shpenzuar përtej asaj që është e nevojshme, shtrenjtësinë e dukshme dëshirën për të kënaqur standartin konvencional është i ndryshueshëm por te këta njerëz është tipari kryesor. Rrethanat ekonomike por jo nivelin kulturor dhe të efiçencën e dijes apo forcën intelektuale dhe estetike që zotëron, përkundrazi në shumë raste tregon se kemi të bëjmë me hajdutë e mashtrues ku prirja dhe dhuntia për t’u dukur është motivi më i fortë i tyre ku gjurmët e shpërdorimit për t’u dukur apo të paktën zakoni për t’u dukur, zakonisht bëhen të qarta me një këqyrje ku vihen re qartazi elementët e shpërdorimit ekskluzivisht për t’u dukur.

Kthimi paqësor në skllevër të eprorëve duke u bërë oborrtarë apo vasalë të ministrave, deputetëve apo drejtuesve të partive, ku nënështrimi duket qartazi e është i pranishëm në mënyrën e qëndrimit dhe të jetës si shërbëtor, duke ushqyer dhe veshur nga mbrojtja e eprorëve, është treguesi më i qartë i rangut të tij.  Shkelja e ligjit dhe kushtetutës bëhet haptazi. Gjyqtari është i korruptuar, prokurori po ashtu, drejtësia mungon e hajduti e sharlatani mund të livadhisë nga do. Tiparet kryesore në këto raste zotëron nga mangësia në kulturë, mungesë të sjelljes e temperamenti nënështrues. Kodet e shijes janë ndikuar nga veset e servilizmit dhe zotëruar nga inferioriteti i dijes. 

Por personat me kulturë dhe ndjeshmëri të lartë, të mësuar dhe të edukur ndjehen të turpëruar nga veprime të tilla e nisur nga instikti i vetëruajtjes largohen zemërthyer duke u hapur rrugën këtyre sharlatanëve të veshur me pushtet.

Komuniteti kulturor dhe klasat e larta janë të përjashtuara prej gjithçkaje që ka të bëjë drejtëpërsëdrejti me interest kombëtare ku të korruptuarit dhe të paditurit jo vetëm shkatërrojnë dhe vjedhin pasuritë kombëtare por janë gati tua shesin ato edhe dreqit mjafton të pasurohen dhe plotësojnë interest e tyre. Në këto kushte është e dallueshme diskretitimi i komunitetit kulturor apo njerëzve të ditur e për pasojë shfaqen shenja regresi.  

Mënyra diskreminuese e njerëzve të ditur që në fakt përbëjnë ajkën e shoqërisë, shmangia e tyre prej drejtimit, thellon shumë hendekun monetar e të paditurit vishen edhe me pushtet ekonomik.  

 Diferncimi konvencional i dietës shihet më mirë përdorimin e pijeve intoksinuese dhe narkotikëve, konsumi i artikujve të luksit, komoditetet shtëpiake apo të veshjes është konsumi që synon mirëqënjen e vet konsumuesit ndaj për këtë arsye është shenjë e të qënit padron. Forma e konsumit për t’u dukur është shumë në modë dhe mes të cilës sjell pasoja të caktuara, qartësisht të dallueshme dhe të qortueshme e kështu elementi i shpërdorimit nuk është pjesë e vlerës etike e morale apo i kulturës dhe dinjitetit.

Janë të pakët njerëzit me shije të holla që zënë vend në drejtimin e pushtetit prandaj janë bastarde veprimet e shkatërrimi i bibliotekave, apo i muzeve dhegalerive të arteve dhe kthimi i tyre në qebabtore apo gjellëtore.  

Janë faktorët e mësipërm që shpesh po t’u shtojmë këshilltarët injorantë të zgjedhur në këshillat e bashkive ku merren vendime për qytetet apo qendrat e banimit që kanë çuar në një katastrofë urbanistike apo shkatërrimi të vlerave e kjo është pasqyrë e nivelit të ulët të drejtuesve apo ekspertëve militantë të partive. Në përzgjedhjen e administratave në këto raste është i dukshëm e i dallueshëm diskreminimi i klasave dhe njerëzve të ditur. Ineficenca e administratës është prezente.

Në këtë stad kulturor të administratës, mjaftureshmëria e dijes nuk përputhet me traditat e lashta kulturore të cilat përditë shkatërrohen dhe tjetërsohen, grabiten ku kjo ndjenjë e papërgjegjshmërisë dhe dinjitetit në punë kthehet në shkatërrim vlerash që nesër iu kushton brezave. 

Nese sot flitet për gjyqtarë e prokurorë të korruptuar për zyrtarë të paaftë e të korruptuar, atëhere së pari ka ardhur koha e ndëshkueshmërisë, pastrimit të këtyre organeve dhe institucioneve që të kemi perparimin dhe zhvilllimin normal të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat